Shendet

Europës po i mbarojnë ilaçet

Medikamentet e zakonshme, duke përfshirë antibiotikët dhe qetësuesit e dhimbjeve të fëmijëve, janë në mungesë në të gjithë rajonin. .

Shumë njerëz në të gjithë Europën janë detyruar të kërkojnë nëpër farmaci edhe për ilaçet më të thjeshta si shurup për kollën apo antibiotik, sidomos këtë sezon të mbushur me viroza.

Që nga fundi i vitit 2022, vendet e BE-së kanë raportuar probleme serioze duke u përpjekur të furnizojnë depot farmaceutike me të paktën ilaçet e rëndësishme.

Sa e keqe është situata dhe, më e rëndësishmja, çfarë po bëhet për këtë?

Në një sondazh të bërë nga Politico me përfaqësues të farmacive të 29 vendeve europiane, duke përfshirë anëtarët e BE-së, si dhe Turqinë, Kosovën, Norvegjinë dhe Maqedoninë e Veriut, pothuajse një e katërta e vendeve raportuan më shumë se 600 ilaçe në mungesë dhe 20 për qind raportuan 200-300 ilaçe që mungonin.

Tre të katërtat e vendeve thanë se mungesat ishin më të mëdha këtë dimër se një vit më parë.

Autoritetet belge raportojnë rreth 300 ilaçe në mungesë. Në Gjermani ky numër është 408, ndërsa në Austri më shumë se 600 ilaçe nuk mund të blihen në farmaci për momentin. Lista e Italisë është edhe më e gjatë, me mbi 3000 ilaçe të përfshira, megjithëse shumë prej tyre janë kompani të ndryshme të të njëjtit ilaç.

Cilat ilaçe mungojnë?

Antibiotikët, veçanërisht amoksicilina, e cila përdoret për trajtimin e infeksioneve të frymëmarrjes janë në mungesë. Llojet e tjera, duke përfshirë shurupat e kollës, paracetamolët dhe ilaçet për hipertensionin janë gjithashtu në mungesë.

Pse po ndodh kjo?

Është një përzierje e kërkesës në rritje dhe ofertës së reduktuar.

Infeksionet sezonale, gripi dhe virusi sincicial i frymëmarrjes (RSV) para së gjithash, filluan herët dhe janë më të forta se zakonisht. Ekziston gjithashtu një shpërthim i pazakontë i sëmundjes së fytit Strep A tek fëmijët. Ekspertët mendojnë se niveli jashtëzakonisht i lartë i aktivitetit të sëmundjeve është i lidhur me imunitetin më të dobët të njerëzve, sidomos të fëmijëve që nuk janë mësuar me viruset për shkak të izolimit të Covid-19.

Ky dimër i vështirë, pas dy vitesh të qeta (me përjashtim të Covid-19), i kapi prodhuesit e ilaçeve të papërgatitur.

Inflacioni dhe kriza energjitike kanë rënduar edhe kompanitë farmaceutike, duke ndikuar në ofertën.

Vitin e kaluar, Centrient Pharmaceuticals, një prodhues holandez i përbërësve aktivë farmaceutikë, tha se fabrika e saj po prodhonte një çerek më pak prodhim se në vitin 2021 për shkak të kostove të larta të energjisë. Në dhjetor, InnoGenerics, një tjetër prodhues nga Holanda, u shpëtua nga qeveria pasi shpalli falimentimin.

Rezultati, sipas Sandoz, një nga prodhuesit më të mëdhenj në tregun europian është një "situatë ku nuk ka furnizim”.

Si po reagojnë qeveritë?

Disa vende po frenojnë eksportet për të mbrojtur furnizimet e brendshme. Në nëntor, rregullatori grek i ilaçeve zgjeroi listën e ilaçeve që nuk mund të tregtohen jashtë vendit.

Rumania ka ndaluar përkohësisht eksportet e disa antibiotikëve dhe ilaçeve për fëmijët. Më herët në janar, Belgjika publikoi një dekret që lejon autoritetet të ndalojnë eksportet në rast krize.

Këto ‘ngrirje’ mund të kenë efekte të dëmshme. Një letër nga Komisionerja Europiane e Shëndetësisë, Stella Kyriakides, drejtuar ministrit të Shëndetësisë të Greqisë, Thanos Plevris, i kërkoi atij të merrte në konsideratë efektet e ndalimeve ndaj vendeve të treta.

"Shtetet anëtare duhet të përmbahen nga marrja e masave kombëtare që mund të ndikojnë në tregun e brendshëm të BE-së dhe të parandalojnë aksesin në ilaçe për ata që kanë nevojë në shtetet e tjera anëtare", shkroi Kyriakides.

Në Francë dhe Gjermani, farmacistët kanë filluar të prodhojnë ilaçet e tyre, megjithëse kjo nuk ka gjasa të bëjë një ndryshim të madh, duke pasur parasysh masën e mungesës.

Burimi: Politico. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë