Treg

Europa po përballet me çmime rekord të energjisë elektrike që u rritën brenda orëve

Çmimet e energjisë elektrike në Europë kanë prekur nivelin më të lartë ndonjëherë, me Rusinë që po ndërpret transferimet e gazit nëpër kontinent duke kërcënuar për një dhimbje të zgjatur në kurriz të industrive dhe familjarëve.

Çmimi kapi vlerën më të lartë ndonjëherë të hënën duke kaluar dhe rekordin e dhjetorit të shkuar, duke u shitur me 325 euro për megavatorë. Shtrenjtimi vazhdoi edhe për të martën kur kapi 328 euro. Në Francë, energjia elektrike po shitet me 366 euro megavatorë që nga fillimi i vitit.

Çmimet e elektricitetit janë të ndikuara drejtëpërdrejtë nga kosto e gazit, që përdoret për gjenerim të energjisë. Në Europë, çmimi i gazit është katërfishuar nga një vit më parë, pasi Moska reduktoi furnizimet e saj.

Por situata po përkeqësohet gjithashtu nga problemet e mirëmbajtjes në një numër të madh të centraleve bërthamore të Francës. Vendet fqinje po djegin gaz shtesë për të prodhuar energji elektrike për Francën në një kohë kur kontinenti po përpiqet të ruajë furnizimet për dimrin nën frikën e shkurtimeve të mëtejshme nga Rusia.

“Askush nuk e kishte menduar një situatë të tillë një vit më parë”,-tha Hanns Koenig, kreu i Aurora Energy, një kompani kërkimore në Gjermani.

Gjermania ka eksportuar afërsisht 600.000 megavatorë elektricitet gjatë qershorit, drejt Francës, krahasuar me 300.000 megavatorë një vit më parë.

Mbretëria e Bashkuar po eksporton në Francë, 10% të kërkesës së vet ditore për energji.

Uilliam Peck, analist i tregut të energjisë, tha se çmimet e larta të saj lidhen me parashikimet e tregtarëve se problemet me furnizimin e gazit do të zgjasin të paktën edhe një vit tjetër.

“Gazi kishte rënie të investimeve për prodhimit të ri gjatë Covid dhe kërkesa u kthye më shpejt nga sa prisnin njerëzit. Çmimet filluan të rriten një vit më parë”, - tha ai. "Lufta Rusi-Ukrainë ndezi gjithçka."

Frika për furnizimet me gaz po shtohet nga mbyllja e gazsjellësit Nord Stream 1 mes Rusisë dhe Gjermanisë nga 11 korriku. Moska pretendon se sanksionet kanë çuar në një rënie të sasisë që po qarkullon pasi pjesët kyçe të gazsjellësit kanë ngecur në Kanada, por politikanët europianë e shohin këtë si një pretekst për shkurtimin e furnizimeve dhe "se ajo nuk do të kthehet as në kapacitetin e 40% pasi të rifillojë punën".

Gjermania ka plane për një rikthim të termocentralit të qymyrit me sasi 10 gigavatorë, por ekspertët thonë se çmimet në rritje të qymyrit nuk do ta ndihmojnë tregun.

“Sikur këto gjëra të mos ishin mjaftueshëm, ne kemi edhe problemin e uljes së kapacitetit të energjisë nukleare në Francë”, -tha Koenig.

Për herë të parë nga viti 1991, tregu i energjisë në Gjermani doli me bilanc negativ dhe humbi 1 mld euro në muajin maj.

Përpunuesit europianë të zinkut dhe aluminit janë nën presion të konsiderueshëm nga rritja e kostove të energjisë dhe çmimeve. Chris Heron, drejtor i marrëdhënieve publike në Eurometaux, shoqata europiane e metaleve, tha se sektori është “gjunjëzuar” që nga shtatori i kaluar dhe “mbylljet e mëtejshme të impianteve janë një shqetësim real nëse çmimet vazhdojnë të qëndrojnë kaq të larta”./Financial Times


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë