Moti

Europa merr masa kundër të nxehtit afrikan. Në Shqipëri mbi 40 gradë, ISHP jep këshilla

Evropa po përgatitet për një valë të jashtëzakonshme të nxehtësisë, pasi meterologët kanë paralajmëruar që i nxehti afrikan do të përfshijë të gjithë kontinentin. Pritet që temperaturat do të tejkalojnë 40 gradë celsius, në një numër të madhe qytetesh anembanë vendit. Autoritetet kombëtare të motit në Belgjikë, Çeki, Francë, Gjermani, Itali, Spanjë, Zvicër dhe në vendin tonë kanë paralajmëruar të njëjtat vlera nxehtësie, duke këshilluar njerëzit që të shmangin aktivitetet në mesditë dhe pasdite, të pijnë sa më shumë ujë dhe të qëndrojnë në ambiente të mbyllura.

Sipas ekspertëve, valët e nxehtësisë po bëhen më të shpeshta dhe më të rënda për shkak të ndryshimeve klimatike. Gjithashtu, ata kanë deklaruar se shpeshtësia e ngjarjeve të tilla meteorologjike, pritet të dyfishohet deri në vitin 2050.

Meterologia Rezarta Xhakollari ka thënë për Gazetën “Si” se vlerat e temperaturave gjatë ditëve në vijim do të rritet ndjeshëm, duke arritur në 40-deri në 41 gradë.
“I nxehti i jashtëzakonshëm nga shkretëtira e Algjerisë që ka goditur Europën Perëndimore do t’i afrohet edhe vendit tonë. Ditën e enjte deri e deri në javën e ardhshme, termometri do të ngjitet deri në 40 gradë në zonat e ulëta. Temperaturat e larta do të mbeten deri në fund të muajit qershor,”shton Xhakollari

Meterologia Rezarta Xhakollari

Një valë e tillë të nxehti u pa edhe javën e kaluar, ku disa qytetarë të Tiranës, nga vapa e tepërt u lanë në sheshin Skënderbej. Shumë fëmijë të shoqëruar edhe nga prindërit u freskuan në ujin e shatërvanëve, duke shpëtuar në një farë mënyre nga vapa.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe në qytetet të tjera evropiane. Fotografitë tregojnë se si njerëzit freskohen në dushet provizore apo në shatërvanët e qyteteve. Meterologët ndërkombëtarë raportuan për CNN se vala e të nxehtit më së shumti do të ndjehet në Francë, e në këtë mënyrë Bashkia e Parisit ka instaluar 48 dushe në të gjithë qytetin dhe do të zgjasë orët për pishinat publike. Edhe Spanja dhe Gjermania pritet të kalojnë të njëjtën valë nxehtësie, ku temperaturat do të arrijnë vlera maksimale deri në javën e ardhshme.

CNN ka raportuar se organet e shëndetit publik europian po përpiqen të parandalojnë një përsëritje të vitit të kaluar, ku valët e nxehtësisë rezultuan me vdekje në Spanjë dhe Portugali dhe thatësira në Gjermani dhe Suedi. Specialistët në këto vende këshillojnë qytetarët të qëndrojnë në ambiente të mbyllura dhe të freskëta, të shmangin aktivitetet për shumë orë në diell, të pinë shumë ujë dhe të jenë të vëmendshëm.
Gjatë vitit të kaluar, Qendra Europiane për Shërbimet e Ndryshimeve Klimatike, bëri me dije se kontinenti përjetoi gushtin më të nxehtë, në historinë e 10 viteve të fundit.

Këshillat e Institutit të Shëndetit Publik: Si të ruajmë shëndetin gjatë stinës së nxehtë të verës
Së bashku me verën vjen edhe rreziku i goditjes nga i nxehti. Për të përgatitur popullatën për këtë gjë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Instituti i Shëndetit Publik, kanë filluar një fushatë sensibilizimi me këshilla për kategori të ndryshme sociale. Në të gjitha situatat e të nxehtit ekstrem apo në temperaturat e larta ndiqni rekomandimet e autoriteteve shëndetësore.
Temperaturat e larta dhe i nxehti gjatë stinës së verës mund të shikohen si një lehtësim nga dimri i ftohtë por kur ato arrijne vlera të larta mund të përbëjnë një rrezik për shëndetin e popullatës.

Grupet të cilat janë më të rrezikuara ndaj temperaturave të larta janë:
- Të moshuarit
- Foshnjat dhe fëmijët e vegjël
- Individët të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike si:
- Sëmundjet kardiovaskulare
- Diabeti, thyreotoksikoza
- Sëmundja pulmonare obstruktive kronike SPOK
- Sëmundjet mendore
- Sëmundjet e veshkave, insuficienca renale, gurët në veshka, etj
- Gratë shtatzëna

Si ndikojnë temperaturat e larta te të sëmurët kronikë?
Efektet e temperaturave të larta në shëndet ndodhin kur sistemi i rregullimit të temperaturës së trupit tonë nuk arrin të shpëndajë nxehtësinë e tepërt. Këto efekte do të varen nga koha e ekspozimit ndaj këtyre temperaturave, shpeshtësia e ekspozimit si dhe intensiteti i ekspozimit. Gjithashtu këto efekte varen edhe nga mosha dhe gjendja shëndetësore. Të moshuarit përbëjnë grupin më të madh të rrezikuar nga temperaturat e larta pasi ata shpesh vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike. Me rritjen e moshës aftësia e trupit për të rregulluar temperaturën e trupit bie, tek ata ulet toleranca ndaj nxehtësisë, etja ndjehet vonë, reagimi i djersitjes është i vonuar dhe numri i gjendrave të djersës është i reduktuar.
Gjendja shëndetësore e individëve që vuajnë nga sëmundjet kronike rëndohet si pasojë e dëmtimit të disa mekanizmave përshtatës ndaj temperaturave të larta:
- Të sëmurët kardiovaskularë kanë dëmtim të përgjigjes së termorregullimit, përgjigje e reduktuar e sistemit kardiovaskular dhe rrezik të lartë për trombozë koronare dhe cerebrale.Tek ata ndodhin ndryshime në funksionin e veshkave të cilat mund të shkaktojnë çrrgullime të ritmit të zemrës. Ata që vuajnë nga hipertensioni mund të bëjnë një rënie të papritur të presionit arterial e cila mund të çojë në ishemi cerebrale.
- Tek të sëmurët me diabet dhe sëmundje të tjera endokrine, rëndimi i gjendjes shëndetësore është i lidhur me çrregullimin e qarkullimit të gjakut në lëkurë e cila mund të luajë një rol në reduktimin e shpërndarjes së nxehtësisë, gjithashtu djersitja reduktohet dhe ndodhin ndryshime metabolike.
- Tek individët me SPOK, astmë dhe bronkit kronik rëndohet gjendja shëndetësore sipas efektit të kombinuar midis temperaturës së lartë dhe ajrit të ndotur. Për shkak të hiperventilimit dhe të dispense këta të sëmurë kanë vështirësi në shpërndarjen e nxehtësisë, dhe dehidrimi pengon nxjerrjen e sekrecioneve nga rrugët e frymëmarrjes.
- Gjithashtu përdorimi i disa medikamenteve mund ta rëndojë gjendjen shëndetësore të të sëmurëve kronikë. P.sh medikamentet antidepresive çrregullojnë aftësinë e trupit për të rregulluar temperatureën trupore, antihistaminikët ndikojnë në aftësinë e trupit për tu djersitur. Gjithashtu edhe betabllokuesit që merren për të kontrolluar HTA ndikojnë në djersitjen e trupit të individit.

Çfarë duhet të bëjmë që të mbrojmë shëndetin nga temperaturat e larta? Disa këshilla të thjeshta, të zakonshme dhe parandaluese nëse i bëjmë pjesë të jetës sonë të përditëshme gjatë ditëve të nxehta të verës, ato mund të na ndihmojnë për të reduktuar apo ulur efektet negative të temperaturave të larta në shëndet.
- Evitoni daljet nga shtëpia në orët e nxehta të ditës, 11.00 – 17.00.
- Vishuni lehtë, me veshje pambuku, të gjera dhe ngjyra të hapura.
- Mbani në kokë kapele ose çadër dhe syze dielli kur dilni nga shtëpia.
- Mbani shtëpinë sa më të freskët. Mbani mbyllur dritaret gjatë ditës. Temperaturat në shtëpi duhen të jenë deri në 25° – 27° Celsius.
- Freskohuni here pas here me ujë të freskët duke bërë dush ose duke u lagur me peceta për të ulur temperaturën e trupit në krah, qafë dhe ballë.
- Pini lëngje ose ujë në mënyrë të mjaftueshme edhe nëse nuk keni etje.
- Mos përdorni pije alkoolike, lëngje me shumë sheqer apo kafeinë.
- Konsumoni vakte të lehta me përmbajtje të lartë uji, si zarzavate dhe fruta.
- Ruajini ushqimet në frigorifer.
- Shmangni ngrënien e ushqime të nxehta apo pikante.

Si duhet vepruar në situatat e të nxehtit ekstrem. Në të gjitha situatat e të nxehtit ekstrem apo në temperaturat e larta ndiqni rekomandimet e autoriteteve shëndetësore.

Mbani shtëpinë të freskët
Mbani të freskët ambientin ku jetoni. Kontrolloni temperaturën e dhomës ndërmjet orës 8:00-10:00, në orën 13:00 dhe natën pas orës 22:00. Temperatura e ambientit ku jetoni duhet të mbahet nën 32°C gjatë ditës dhe 24°C gjatë natës. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për të porsalindurit, për individët mbi 60 vjeç, apo për ata që kanë probleme shëndetësore kronike.
Freskoni shtëpinë gjatë natës. Hapni të gjitha dritaret dhe grilat gjatë natës dhe në mëngjes, atëherë kur temperatura e jashtme ulet.
Mundohuni të ulni temperaturën në shtëpi. Mbyllni grilat dhe dritaret, veçanërisht ato që rrihen nga dielli. Mos mbani llampat ndezur, reduktoni vënien në punë të pajisjeve elektrike të gatimit apo larjes, etj.
Nëse keni kondicioner, mbyllni dyert dhe dritaret me qëllim ruajtjen e temperaturës së brendshme, duke zvogëluar kështu konsumin e tepërt të energjisë.

Shmangni të nxehtët
Qëndroni në dhomën më të freskët të shtëpisë, veçanërisht gjatë natës.
Në pamundësi për të mbajtur shtëpinë të freskët, shpenzoni 2-3 orë të ditës në mjedise të freskëta jashtë shtëpisë (p.sh. ambiente publike).
Shmangni daljen nga shtëpia gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Shmangni aktivitetet fizike me intensitet të lartë nëse mundeni. Nëse duhet të bëni patjetër aktivitet fizik, atëherë shfrytëzoni orët e mëngjesit.
Qëndroni në hije.
Mos lini fëmijët apo kafshët në një automjet të parkuar.
Konsultohuni me mjekun nëse nuk ndiheni mirë apo nëse gjendja juaj nuk përmirësohet.
Mundohuni të mbani trupin të freskët dhe të hidratuar
Bëni dush me ujë të ftohtë.
Vishni rroba të lirshme, mundësisht me materiale pambuku ose linoje. Nëse dilni nga shtëpia mbani kapelë me strehë të gjerë dhe mos harroni syzet e diellit.
Mundohuni të flini pa jastëk dhe të pambuluar për të mos akumuluar nxehtësi.
Pini rregullisht lëngje por shmangni alkoolin, kafet e tepërta dhe sheqerin.
Konsumoni ushqim në racione të vogla dhe shpeshherë. Shmangni ushqimet e pasura me proteina.

Ndihmoni të tjerët
Kontaktoni me familjarët, miqtë dhe fqinjët të cilët jetojnë vetëm, pasi në ditët e nxehta mund të kenë nevojë për asistencë.
Diskutoni për situatat e të nxehtit ekstrem me familjen. Gjithsecili duhet të dijë se si të zvogëlojë rreziqet shëndetësore në këto situata.
Nëse ndokush që ju njihni është në rrezik, ndihmojeni atë të kërkojë ndihmë. Të moshuarit dhe të sëmurët të cilët jetojnë vetëm duhet të kontaktohen të paktën një herë në ditë.
Nëse një person është duke marrë mjekim, pyesni mjekun që e trajton nëse mjekimi që po merr ndikon në funksionimin normal të organizmit, e lidhur kjo me vapën; këtu kemi parasysh mekanizmat termorregullatore dhe balancën e lëngjeve në organizëm.

Nëse ju keni një problem shëndetësor
Mbani ilaçet në temperaturën nën 25°C ose në frigorifer. Kërkoni ndihmë mjekësore nëse vuani nga ndonjë sëmundje kronike apo nëse merrni më shumë se një ilaç.
Nëse ju apo dikush tjetër nuk ndihet mirë
Kërkoni ndihmë nëse ndiheni i turbulluar apo i këputur, nëse keni dhimbje koke, gjendje ankthi apo etje shumë të madhe dhe të vazhdueshme. Zhvendosuni menjëherë në një mjedis të freskët dhe matni temperaturën e trupit.
Pini ujë apo lëng frutash për t’u hidratuar.
Nëse njëri nga pjesëtarët e familjes ka lëkurë të nxehtë dhe të thatë, dridhje të forta apo gjendje të fikëti, lajmëroni menjëherë mjekun e ambulancës. Ndërsa prisni për ndihmë, zhvendoseni të sëmurin në një dhomë më të freskët, vendoseni në pozicion horizontal mbështetur në njërën anë, ngrijani këmbët pak nga pozicioni horizontal, mundohuni ta freskoni duke e lagur me ujë dhe mos i jepni paracetamol.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë