Futboll

Europa League, sfida “zjarri” për Napolin dhe Valencian

Luhen mbrëmjen e kësaj të enjte 4 ndeshjet e fazës çerekfinale të Ligës së Europës. Janë katër përballje shumë të forta dhe të 8-a ekipet që do zbresin në fushë mund t’i shkojnë deri në fund këtij kompeticioni. Arsenali pret Napolin, Benfika gjermanët e Eintrahtit të Frankfurtit, ndërsa Çelsi udhëton drejt Sllavias së Pragës. Një përballje shumë e fortë pritet të jetë edhe derbi spanjoll mes Vilarealit dhe Valencias.

Arsenali ka gjetur ritmin në javët e fundit në Premier Ligë, duke u ngjitur në zonën Champions dhe të njëjtën formë të mirë kërkon ta ruaj edhe në Europa League. Me Napolin ka për të qenë një përballje shumë e fortë, pasi italianët kanë dalë nga gara në çdo kompeticion tjetër dhe trofeu i Europa Ligë është i vetmi për të shpëtuar sezonin. Janë dy ekipe që mund ta fitojnë këtë trofe dhe kjo përballje në “Emirates Stadium” mund të cilësohet si një finale e parakohëshme.

E tillë mund të konsiderohet edhe përballja që do të zhvillohet në “Da Luz”. Benfika do të presë në shtëpi Eintrahtin që pasi eliminoi Interin tashmë është një pretendent për ta fituar Ligën e Europës. Nga kjo sfidë priten shumë gola, pasi kemi të bëjmë me dy ekipe të mbushura me talente dhe që luajnë shpejt.

Ai që duket se është ekipi më i favorizuar nga kjo fazë në Ligën e Europës janë londinezët e Çelsit. “Blutë e Londrës” do të udhëtojnë në këtë sfidë të parë drejt Çekisë për t’u ndeshur me Sllavian e Pragës. Në letër duket një ndeshje e lehtë, por ekipi i Sarrit duhet të ketë kujdes, nëse dëshiron të eliminojë ndonjë surprizë të pakëndshme. Edhe për Çeslin Europa Liga është trofeu i vetëm që mund të shpëtojë sezonin.

Përballja më e barabartë është ajo që do të luhet në “El Madrigal” mes dy ekipeve të vetme spanjolle, Vilarealit dhe Valencias. Sfida mes të dyjave do të jetë një shans për hakmarrje edhe pse në kampionat ekipet ndodhen në pozita jo shumë komode. Më shumë për Vilarealin, që nga një anë lufton në Europa ligë dhe në krahun tjetër është në zonën e rënies nga kategoria. Të gjitha ndeshjet do të luhen duke filluar nga ora 21:00.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë