Politike

Eurodeputeti grek në Himarë: Lironi Fredi Belerin, po pengoni anëtarësimin në BE

Eurodeputeti grek, Manolis Kefalogianis, në një takim me qytetarët e Himarës këtë të martë foli për arrestimin e Fredi Belerit si dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ai ka kërkuar edhe njëherë lirimin e kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri dhe është shprehur se mënyra se si kjo çështje po trajtohet, do të ketë ndikimin e saj në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.

"Bashkë me zonjën ambasadore greke, kisha gëzimin dhe nderin të takoja Fredi Belerin brenda burgut, dhe pashë aty një politikan, burrë të vërtetë. Fredi Beleri, përgjatë komunikimit që pata me të, më tha se nuk do të heqë dorë, nuk do të bëjë asnjë hap mbrapa.Do të luftojë për të drejtat e himarjotëve, të cilët e meritojnë të gjithë këtë sakrificë që ai po bën.

Beleri më tha gjithashtu se 'jam gati të qëndroj në burg aq sa duhet, për të përfaqësuar interesat e tyre' kur drejtësia të fitojë dhe ai të lirohet, për të qenë kryebashkiaku juaj. Dua t’ju them se himarjotët janë në zemrën e të gjithë grekëve, mbi të gjitha të parit të tyre, Mitsotakis. Kryeministri ju shpreh respektin e tij më të madh për qëndresën që ju po bëni në këtë çështje", deklaroi ai.

Kefalogianis gjithashtu theksoi se në parlamentin europian është diskutuar çështja e lirimit të Fredi Belerit, marrja e detyrës së tij, mbajtja peng e pronave të himarjotëve si dhe çështja e minoritetit.

“Çështja e Himarës nuk është më një çështje kombëtare, ka marrë përmasa më të mëdha.Nuk është më një çështje që ne e diskutojmë me qeverinë shqiptare,është tashmë një çështje europiane që diskutohet edhe aty.Si çështje europiane, do përballohet si e tillë.

Kjo çështje do të ketë tepër rëndësi në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Si një komb i zbatimit të të drejtave të njeriut për këtë çështje dhe trajtimin e saj, do të japi konkluzione edhe Këshilli Europian, ku marrin pjesë kryeministrat dhe gjithë shtetet euopiane. Aty do të diskutohen të gjitha, teksa konkluzionet që do të nxirren në disa çështje si liria e shprehjes, përparimi demokracisë, zbatimi i të drejtave të njeriut, do të kenë rëndësi gjithashtu në rrugën europiane të Shqipërisë.Për një shtet si Shqipëria e cila është në rrugën e saj për të hyrë në BE, Greqia ka ndikim të madh në Këshillin Europian, për të dhënë mendimin e saj se si këto çështje trajtohen, por edhe për rrugën e Shqipërisë në BE”, deklaroi ai.

Në këtë takim eurodeputeti grek, Kefalogianis, ka qenë i shoqëruar nga ambasadorja greke në Shqipëri, Konstandina Kamici, si dhe kryetari i Omonias, Vasilis Kajos. Në krah të tyre qëndronte gjithashtu djali i Fredi Belerit, Petro Beleri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë