Ka ndodhur

Euro, bizhuteri dhe radio policie, si u godit banda e vilave në kryeqytet

Një grup kriminal, i cili vepronte në fushën e grabitjeve të vilave dhe pronave të qytetarëve, është goditur nga Policia e Tiranës.

Kjo e fundit, ka konfirmuar se pesë anëtarë të kësaj bande, persona me precedentë të theksuar kriminalë, janë arrestuar.

Kështu, në kuadër të operacionit “START & STOP” u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Dorjan Lamani (Qirjazi), 38 vjeç, banues në Sarandë, i dënuar më parë për “Kultivim të bimëve narkotike”;

Klodian Çypi, 34 vjeç, banues në Derven, Fushë Krujë, i dënuar më parë për “Kultivim të bimëve narkotike”;

Halil Topalli, 29 vjeç, banues në Tapizë, Fushë Krujë, i dënuar më parë për “Kanosja” dhe “Kundërshtimi i punonjësve të Policisë”;

Redian Begaj, 32 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar me parë për “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Moskallëzim krimi”;

Dajvid Dosti, 21 vjeç, banues në Poliçan, Skrapar.

Sipas policisë, këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datën 12.04.2021, janë kapur në flagrancë menjëherë pas kryerjes së vjedhjes së banesës së shtetases B.S., te kompleksi i vilave pas qendrës tregtare “TEG”, ku kanë marrë një shumë të konsiderueshme në euro, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë.

Mes sendeve të vjedhura, edhe radio policie

Nga grupi hetimor i ngritur posaçërisht për hetimin e kësaj ngjarjeje janë sekuestruar prova materiale si armë zjarri, vlera monetare, bizhuteri, radio marrëse-dhënëse si ato të Policisë dhe telefona celular, konkretisht:

1 armë zjarri automatik, me dy krehër dhe 123 fishekë;

17.150 euro, 2 radio marrëse-dhënëse si ato që përdor Policia e Shtetit,

Bizhuteri të ndryshme floriri, si unaza, vathë, ora dore, varëse, medialionë etj,

3 palë çelësa automjetesh, njëri prej të cilit dyshohet të jetë vjedhur në banesën e shtetasit A. N., ngjarje e ndodhur në datën 14.12.2020,

1 automjet tip “Ford”, si dhe pajisje të tjera që shërbejnë për hapjen e bravave dhe dyerve të blinduara.

Vjedhje të tjera

Nga puna e bërë deri tani rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, janë autorë të dyshuar dhe të vjedhjes së banesës së shtetasit A. N., në rrugën ‘Xhanfize Keko”, ngjarje e ndodhur në datën 14.12.2020, ku janë vjedhur 40.000 lekë dhe automjeti i tij.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin dhe zbardhjen e ngjarjeve të tjera në të cilat mund të jenë të përfshirë këta shtetas.

Nëpërmjet Interpol Tiranës po bashkëpunohet edhe me disa vende të BE-së, për të dokumentuar aktivitetin kriminal të këtyre personave në Greqi dhe vende të tjera të BE-së.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i dërgohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Vjedhje me pasoja të rënda” e kryer në bashkëpunim “Sigurimi i mjeteve për vjedhje”, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë