Ana e errët

Banda e vilave luksoze, grabitësit përdornin “google maps” dhe rrjetet sociale mes tyre

Gjykata e Tiranës, ka vendosur masën ‘arrest me burg’ për 5 grabitësit e vilave luksoze në Tiranë. Pas kërkesës së prokurorisë Tiranë, gjykata la në fuqi masën e sigurisë për Hektor Qirjazin (i njohur edhe me emrin Dorjan Lamani ), Dajvid Dosti, Klodian Çypi, Halil Topalli dhe Redian Begaj. Mësohet se gjatë seancës, asnjë nga grabitësit nuk ka folur, duke mos reaguar për akuzat.

Ndërkohë, banda e ashtuquajtur që grabiste vilat dhe shtëpitë e të pasurve në zonën e Saukut në Tiranë, ka pasur një organizim dhe koordinim të përsosur mes anëtarëve.

Në të vërtetë, grupi komunikonte me njëri-tjetrin në rrjetet sociale dhe me radio marrëse-dhënëse nga ato të policisë, për t’iu shmangur në këtë mënyrë përgjimeve telefonike.

Në dosjen e prokurorisë, është zbardhur dëshmia e Dajvid Dostit, një prej 5 të arrestuarve, i cili është shprehur se Hektor Qirjazi (Dorjan Lamani), i dënuar me burgim të përjetshëm në Greqi për grabitje, u dërgonte me “google maps” vendndodhjen e vilave për t’u grabitur.

Banda, pas vjedhjes së vilës në zonën e TEG-ut në Tiranë, kanë pasur si synim të radhës grabitjen e një pike këmbimi valutor në Yzberisht. Ka qenë pikërisht ky plan, ai që i ka nxjerrë zbuluar nga ana e policisë.

Pesë anëtarët, kordinoheshin mes tyre për vjedhjen e vilave përmes teknologjisë në telefonat celularë dhe rrjeteve sociale, ku  Hektor Qirjazi, u dërgonte  pjesëtarëve të tjerë të grupit lokacionin e vilave luksoze.

Dajvid Dosti u arrestua pas vjedhjes së vilës në TEG më 12 prill, sapo kishte hipur në taksi për t'u larguar nga vendi i ngjarjes.

Pas tij janë vënë në pranga edhe Hektor Qirjazi, Klodian Çypi, Halil Topalli, Redian Begaj, gjatë operacionit të koduar  “START & STOP”, ndërsa ky grup kriminal ka kryer aktivitetin kriminal në Greqi dhe vende të tjera të BE-së

"Për vjedhjen e vilës te TEG-u, më ftoi Hektor Qirjazi. U njohëm në Skrapar, më kontaktoi në rrjetet sociale dhe më ftoi për vjedhjen, - tregon Dosti. - Qirjazi më tregoi në Google Maps vilën ku do të vidhja dhe pastaj do ndanim lekët. Pranë vilës, më çuan 2 shokë të Dorjan Qirjazit me makinë, ai nuk erdhi me ne. Kalova murin dhe hyra në vilë, dera ishte hapur, gjeta kasafortën. Hapa kasafortën me forcë dhe mora disa bizhuteri dhe 16.250 euro. Në vilë qëndrova rreth 1 orë, komunikonim me radio si të policisë", - është shprehur Dosti para prokurorëve të çështjes.

Gjatë kësaj bisede, Dosti rrëfen se ka folur me bashkëpunëtorin e tij edhe për ndarjen e parave që do të merrnin. “Pjesën më të madhe, do e kisha unë dhe pjesën tjetër do e merrte Dorjani”, - shton ai.

Gjithashtu Dorjani i ka  dhënë një radio marrëse-dhënëse, një vegël si “krik dore” të madh për hapje dyersh, një kaçavidë të madhe dhe pllakë.

Materiale, që do ta ndihmonin për hapjen e dyerve, nëse ai do të kishte ndonjë vështirësi. Pasi të kishte mbyllur misionin e tij, Dajvidi kishte lënë të takohej me Dorjanin te zona e “Astirit” për të ndarë paratë.

Gjatë operacionit për ndalimin e tyre, policia sekuestroi një armë zjarri automatik, me dy krehër dhe 123 fishekë, 17.150 euro, 2 radio marrëse-dhënëse si ato që përdor Policia e Shtetit, bizhuteri të ndryshme floriri, si unaza, vathë, ora dore, varëse, medaljonë, 1 automjet tip “Ford”, si dhe pajisje të tjera që shërbejnë për hapjen e bravave dhe dyerve të blinduara.

Mes të tjerash, bandës së vilave luksoze u janë sekuestruar edhe një sërë sendesh me vlerë të vjedhura, armë zjarri, para cash.

Kush janë të arrestuarit

1 – Dajvid Dosti, datëlindja 1999  banues në Poliçan

2 - Dorjan Lamani (Qirjazi), datëlindja 1983,  banues në Sarande por që po jetonte me qera në Tiranë, I dënuar më parë për  “Kultivim te lendeve narkotike”

3 - Klodian Çypi, datëlindja 1987 banues në Fushë Krujë i dënuar më parë për  “Kultivim te lendeve narkotike”

4 - Halil Topalli,  datëlindja 1992, banues  në fshatin Tapize, Tiranë,

5 - Redian Begaj, datëlindja 1989, nga Vlora


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë