Futboll

Euro 2020, Kristiano Ronaldo synon të thyejë rekordin e Robi Kin

Kristiano Ronaldo është një bomber i padiskutueshëm te kombëtarja portugeze, sidomos pas ardhjes së trajnerit Fernando Santos. Ylli i Juventusit është gjithmonë në “gjueti” të rekordeve dhe jo vetëm në nivel klubesh, por edhe me fanellën e Portugalisë.

Nëse Ronaldo shënon dy gola në ndeshjen e nesërme ndaj Lituanisë, do të arrinte rekordin e sulmuesit irlandez, Robi Kin, i cili është në krye të listës së golashënuesve më të mirë në fazën eliminatore të Europianëve me 23 gola. Është një shans që sulmuesi i Juventusit nuk mund ta lërë t’i ikë nga duart. Që prej vitit 2014, CR7 po regjistron numra fantastikë edhe me fanellën e Portugalisë, sa herë që zbret në fushë, ndaj dhe Kin është i kërcënuar seriozisht. Pas ardhjes së trajnerit Fernando Santos në stolin e Portugalisë, Ronaldo ka shpërthyer.

Kristiano Ronaldo me fanellën e Portugalisë. Gazeta Si, 9 shtator 2019

Ai ka shënuar 5 gola në 10 ndeshjet e para, më pas u bë i pandalshëm, duke shënuar 30 gola në 30 ndeshje. Pastaj edhe 4 gola të tjerë në 5 ndeshjet e fundit. Numra impresionues, që në 159 ndeshje e kanë çuar në 89 numrin total të golave të shënuar nga Ronaldo me Portugalinë. Një trajektore mbresëlënëse, që ka nisur me Skolarin në stol (15% të totalit të golave), për të vazhduar me Kueiroz (4.2%), Paulo Bento (29.5%) dhe së fundi me Fernando Santos (32.2%). Portugezi është i prirur për të thyer çdo rekord personal dhe Lituania është e paralajmëruar.

Shënuesit më të mirë të eliminatoreve në Europë
23 gola-Robi Kin (Irlandë)
21 gola-Kristiano Ronaldo (Portugali)
19 gola-Zllatan Ibrahimoviç (Suedi)
19 gola-Hakan Shukur (Turqi)
19 gola-Jon Dahl Tomason (Danimarkë)

 

Më Shumë