Kombetarja

Etrit Berisha pranë largimit nga Atalanta, e kërkon SPAL

Etrit Berisha pritet të jetë një nga futbollistët shqiptarë më të përfolur në merkaton e kësaj vere. Gardiani kuqezi që do të jetë titullar me kombëtaren në dy ndeshjet me Islandën dhe Moldavinë mund të largohet nga Atalanta.

Golini ka bërë një paraqitje fenomenale në pjesën e dytë të kampionatit dhe duket i pa rrezikuar nga Berisha për një rol titullari në katërkëndëshin bergamask. Në këto kushte opsionet që do i paraqiten në merkato pritet që Berisha t’i shikojë me vëmendje. Sipas gazetarit italian i specializuar në merkato, Xhanluka Di Marzo, SPAL është ekipi që interesohet më shumë për gardianin shqiptar.

Pasi siguroi mbijetesën këtë sezon, SPAL po shqyrton mundësinë që ta forcojë ekipin këtë verë. Një nga pikat e dobëta këtë sezon ishte porta dhe Etrit Berisha shikohet si njeriu i duhur për të krijuar stabilitet në repartin difensiv.

Më herët për Berishën ka pasur disa zëra që e çonin jashtë kampionatit italian, por e gjithë kjo do të vendoset me shumë mundësi pas datës 15, qershor kur portieri shqiptar do të rikthehet në Itali. Etrit Berisha në dy sezonet e fundit ka qenë i rëndësishëm për Atalantën, që e mori atë dy vite më parë nga Lacio, ku Strakosha zuri një vend titullari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë