Futboll

Etrit Berisha fiton derbin e portës kuqezi në Serinë A

Tre kuqezinj në fushë në ndeshjen Atalanta-Lacio, e vlefshme për javën e 16-të të Serisë A. Një derbi i portës kuqezi në kampionatin italian, që në fund ka parë fitimtar Etrit Berishën, tashmë i konfirmuar titullar në portën e skuadrës nga Bergamo. Atalanta ka mundur 1-0 Lacion, që po kalon një moment të vështirë javët e fundit.

Tomas Strakosha pësoi golin e vetëm të ndeshjes pa u mbushur ende një minutë lojë, por jo për fat të tij. Mbrojtja e Lacios nuk mundi të largonte një top në zonë dhe Duvan Zapata përfitoi, duke e dërguar në rrjetën e Strakoshës. Ndeshja mund të ishte mbyllur në barazim, po të mos ishte VAR-i, që duket se i ka keq punët me Lacion, pasi në kohën shtesë anuloi një gol të shënuar nga Açerbi për një pozicion milimetrik jashtë lojë. Një vendim që ka nervozuar Igli Taren, drejtorin sportiv të Lacios, pasi goli është anuluar me shumë vonesë, pas një pritje prej më shumë se 5 minutash.

Strakosha pëson golin golin e vetëm nga Zapata

Në fushë është futur në pjesën e dytë edhe mbrojtësi i Kombëtares, Berat Gjimshiti, i cili zuri vendin e Polominos. Me këtë fitore, Atalanta është ngjitur në zonën e Ligës së Europës, në kuotën e 24 pikëve, vetëm 1 pikë pas Lacios, që nuk fiton prej shumë ndeshjesh. Paraqitja e Etrit Berishës në këtë ndeshja ka qenë mjaft e mirë. Të paktën në dy raste në pjesën e parë ai ka qenë shpëtimtar për Atalantën, duke neutralizuar gjuajtjet e Imobiles dhe Milinkoviç-Saviç. Lojtari i dytë më i mirë për Atalantën, pas Zpatës, autorit të golit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë