Shendet

Është koha që sistemet shëndetësore ta dinë: Problemet e grave pas lindjes zgjasin me vite

Nga Devi Sridhar- Së fundi, një raport ka renditur ndërlikimet afatgjata shëndetësore për gratë pasi lindin fëmijë.

Lindja është zakonisht një periudhë lumturie, ku prindërit e kuptojnë mrekullinë e jetës. Por lindjet ndonjëherë vijnë dhe me komplikacione, që mund të rrezikojnë jetën e nënës dhe fëmijës.

Sapo një grua dhe foshnja e saj i mbijetojnë lindjes, në shumë vende ndjekja e vijimësisë së shëndetit të fëmijës dhe nënës për disa javë është rutinë për çdo problem urgjent shëndetësor. Kjo periudhë prej gjashtë deri në tetë javë quhet kujdes pas lindjes, pasi gratë shërohen nga lindja veçanërisht nëse kanë pasur një lindje cezariane.

Por çfarë ndodh me nënat e reja pas atyre pak javësh? Zakonisht zhduken nga sistemi shëndetësor dhe lihen të përballojnë vetë shërimin.

Në një përmbledhje të re shkencore që u botua në Lancet Global Health, u vlerësua shtrirja e problemeve afatgjata pas lindjes duke bashkuar një sërë studimesh ndërkombëtare. Autorët vlerësojnë se më shumë se një e treta e grave luftojnë me komplikime shëndetësore afatgjata, kjo është për të paktën 40 milionë gra në mbarë botën. Edhe për lindjet pa komplikime të menjëhershme, problemet mund të lindin më vonë, shpesh pasi sistemi shëndetësor ka ndaluar monitorimin e grave.

Problemet shëndetësore pas lindjes nuk dalin në pah, duke qenë se ato përfshijnë pjesët më private të trupit tonë. Këto përfshijnë dyspareuninë (dhimbje gjatë seksit), depresionin pas lindjes, tokofobinë (frika nga lindja) dhe dhimbje kronike në pjesën e poshtme të shpinës dhe zonën e legenit. Është vlerësuar se 43% e grave kanë pasur dhimbje gjatë seksit për dy deri në gjashtë muaj pas lindjes, 22% për gjashtë deri në 12 muaj dhe 40% nga 12 deri në 24 muaj. Për ato që kanë lindur në mënyrë natyrale, 19% e grave kishin simptoma të dhimbjeve edhe një vit pas lindjes.

Depresioni pas lindjes është njohur më mirë vitet e fundit dhe vlerësohet të prekë 11% të grave në vendet me të ardhura të larta, ndërsa infertiliteti sekondar (pamundësia për të lindur për herë të dytë) në 10.5%. Dhimbja në pjesën e poshtme të shpinës u vlerësua se prek 31.6% të grave pas lindjes.

Por, për këto probleme flitet pas dyerve të mbyllura, me gratë që shpesh u thuhet të vazhdojnë me to, e gjithë kjo ndërsa kujdesen për një foshnje. Megjithatë, këto sfida shëndetësore nuk janë të lehta për t'u injoruar për nënat e reja, duke pasur parasysh dhimbjen e përditshme që ato kanë thjesht duke shkuar në tualet ose thjesht duke ekzistuar. Pavarësisht prevalencës së lartë të këtyre kushteve, studimi zbulon se nuk ekzistojnë udhëzime cilësore për menaxhimin e 40% të problemeve prioritare në vendet me të ardhura të larta dhe asnjë nuk është zhvilluar në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Më në fund kemi statistika të fuqishme që tregojnë shtrirjen e problemeve afatgjata pas lindjes. Këto duhet të përdoren jo vetëm për të rritur ndërgjegjësimin, por edhe për të zhvilluar zgjidhje. Sistemet e kujdesit shëndetësor duhet ta shohin mbështetjen pas lindjes si më të gjatë se gjashtë javë. Kjo mund të përfshijë kontrolle rutinë tre, gjashtë dhe 12-mujore për gratë për të siguruar që rikuperimi është në rrugën e duhur dhe për të ofruar kujdes për të ndihmuar në lehtësimin e dhimbjes dhe simptomave. Gratë nuk duhet të lihen vetëm të vuajnë. Përveç kësaj, ne kemi nevojë për udhëzime ndërkombëtare me cilësi të lartë të zhvilluara për 32 problemet kryesore prioritare ku mund të mbështeten infermierët dhe mjekët.

Reduktimi i stigmës rreth komplikimeve afatgjata shëndetësore pas lindjes është gjithashtu i rëndësishëm: ju mund ta bëni këtë në jetën tuaj të përditshme duke pyetur jo vetëm për foshnjën e re, por duke pyetur një nënë të re se si po ia del dhe duke u siguruar që të flisni për urinimin ose depresionin pas lindjes. Aq shumë njerëz i përjetojnë ato sa që në fakt janë të zakonshme. Askush nuk duhet të ndihet i izoluar dhe i vetëm.

Muajin e kaluar, kam shkruar për rënien e lindshmërisë në pothuajse të gjitha rajonet e botës. Ndërkohë që ka disa faktorë prapa grave që zgjedhin të mos kenë fëmijë, qeveritë duhet të jenë gjithashtu të vetëdijshme për atë që lindja e fëmijës i bën trupit të grave dhe rrugën e gjatë drejt shërimit të plotë pa dhimbje.

*Prof Devi Sridhar është kryetar i shëndetit publik global në Universitetin e Edinburgut


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë