Sociale

Esat Mala del negativ, Partizanit i mbeten vetëm 2 lojtarë jashtë skuadre

Para derbit me Tiranën, Partizanit iu infektuan jo pak, por pesë futbollistë nga Covid-19, rumuni Boldor, Ferati, Çinari, Mala dhe Kote. Që të gjithë munguan në atë ndeshje, bashkë me trajnerin Adolfo Sormani, i cili refuzoi ta drejtonte ekipin në atë situatë dhe më pas klubi i kuq ndërpreu bashkëpunimin me italianin.

Të kuqtë kanë marrë dje një lajm të mirë, mesfushori Esat Mala ka rezultuar negativ në testin e dytë, duke e kaluar kështu problemin shëndetësor dhe mund të bashkohet me skuadrën. Pak ditë më parë kryen testin e dytë Boldor dhe Ferati, të cilët, ashtu si Mala, rezultuan negativë. Tashmë mbeten vetëm dy futbollistë jashtë skuadre, Erald Çinari dhe Kristi Kote. Edhe ata së shpejti do të kryejnë testin e e radhës për të mësuar, nëse e kanë kaluar problemin apo jo.

Mala dhe Çinari. Gazeta Si, 22 korrik 2020

Partizani po kalon një moment të vështirë në këtë fund kampionati dhe rreziku për të mbetur jashtë Europës është i madh. Të kuqtë vijnë pas tri barazimeve radhazi dhe me 50 pikë mbajnë vendin e 6-të, janë më afër zonës së rënies se asaj europiane. Ndeshjen e radhës Partizani e ka të premten me Vllazninë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë