Futboll

Eros Grezda në udhëkryq, Gllasgou Rejnxhërs nuk e llogarit më

Përçse me Kombëtaren, Eros Grezda është bërë tashmë çështje edhe te klubi i tij, Gllasgou Rejnxhërs. Sipas lajmeve të fundit nga shtypi sportiv në Skoci, klubi nuk e ka më në llogaritë e veta futbollistin shqiptar dhe Grezda nuk do të jetë pjesë e grupit që do të ketë në dispozicion trajneri Stiven Xherard për fazën përgatitore.

Nga drejtues të klubit të madh britanik është thënë shpesh se Grezda është një futbollist me talent, por nuk i bën punë Gllasgou Rejnxhërs, sepse ka probleme disiplinore. Agjenti i sulmuesit kuqezi, Ives Cakarun, e ka argumentuar situatën aktuale të Grezdës si rrjedhojë të asaj që i ndodhi me Kombëtaren, ku lojtari u dëmtua. Ai ka këmbëngulur se Grezda është ende pjesë e Gllasgou Rejnxhërs dhe nuk bëhet fjalë për një largim të tij nga ekipi, por gjërat në fakt duken ndryshe dhe gjasat janë që shumë shpejt sulmuesi t’i japë lamtumirën Skocisë.

Eros Grezda me fanellën e Gllasgou Rejnxhërs

Pas kalimit të bujshëm nga Osijeku i Kroacisë te Gllasgou Rejnxhërs, Grezda asnjëherë nuk ka bindur me formën e tij, duke përjashtuar ndonjë moment të veçantë, kur ka shënuar në kampionat. Sezonin e fundit, në shumicën e ndeshjeve ka qëndruar në stol, por duhet pranuar se në formën e tij ka ndikuar edhe një dëmtim, që e mbajti jashtë fushave për një kohë të gjatë. Grezda u grumbullua nga trajneri Edi Reja me Kombëtaren për dy ndeshjet e fundit, por pas pak ditësh ai largua nga ekipi me justifikimin se ishte dëmtuar.

Situatën e sqaroi vetë trajneri Reja, i cili saktësoi se me Grezdën kanë mospërputhje idesh për futbollin dhe lojtari mori vendimin të largohej nga grumbullimi i Shqipërisë. Ndoshta sulmuesi nuk ishte llogaritur në formacion dhe zgjodhi atë rrugë, por tani telashet për të vazhdojnë me klubin skocez, ku ditët e fiutbollistit kuqezi duken të numëruara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë