Dosje

Erjon Çela u vra gabimisht në ‘Don Bosko’, vrasja u porosit nga Kasandër Noga. Roli i dy vëllezërve Beqiraj

Gazeta Si - Erjon Çela, i ekzekutuar në 4 janar 2022 nga grupi i vrasësve me pagesë, mes tyre edhe vëllezërit Gentian dhe Indrit Beqiraj, duket se është vrarë gabimisht, pa pasur asnjë lidhje me ngjarjen.

Kështu deklaroi këtë të martë Policia e Durrësit, bazuar te dëshmitë e dy vëllezërve, të cilët po bashkëpunojnë me drejtësinë.

Ata kanë rrëfyer se janë porositur për të vrarë një person dhe nipërit e tij në Tiranë, ngjarje e cila nuk ndodhi, pasi u ngatërrua objektivi dhe përfundoi i vdekur Erjon Çela.

Indrit dhe Gentian Beqiraj ishin rekrutuar pikërisht në grupin e vrasësve me pagesë për atentatin e ndodhur më 4 janar 2022 në "Don Bosko" në Tiranë.

Përpara se të plagoste Erjon Hysenbelliun në Belgjikë, Kasandër Noga kishte porositur vrasjen e vëllait të tij, Geron Hysenbelliut, përmes Kevin Zenelit, të shpallur tashmë në kërkim dhe Ilirjan Feçit, të arrestuar në operacionin “Plumbi i Artë”, pas rrëfimit të Nuredin Dumanit.

Sipas policisë, dy vëllezërit ishin kontaktuar nga Kasandër Noga kundrejt pagesave nga 50 mijë deri 150 mijë euro, ku një prej tyre ishte dhe atentati tek "Don Bosko", si dhe si dhe për vrasjen e shtetasit Arben Mërkuri në qytetin e Durrësit.

Fillimisht dy vëllezërve u është dhënë në dorë 6 mijë euro dhe ata kanë siguruar kushtet e nevojshme për kryerjen e vrasjes se shtetasit që kishin në shënjestër dhe të nipërve të tij.

Ata kanë siguruar si armë zjarri, automjet, motoçikletë, si dhe kanë marrë me qira një banesë, në afërsi të objektivit.

Pavarësisht porosisë dhe planifikimit, vëllezërit nuk kanë kryer veprime aktive në këtë ngjarje.

Autori i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë shtetasi Kevi Zeneli, i cili pas ngjarjes është ndihmuar nga dy vëllezërit, për t’u larguar jashtë shtetit.

Kasandër Noga, i cili u arrestua në Vjenë të Austrisë, pak ditë pas ngjarjes në Bruksel, i kishte porositur vëllezërit Beqiraj edhe për një vrasje tjetër në Durrës, për të cilën kishin marrë një parapagesë prej 3.500 euro.

Vrasja e këtij personi ka ndodhur, por ende nuk është zbardhur nga policia se kush janë autorët.

35-vjeçari Erjon Çela ishte ulur në tavolinë me 4 persona të tjerë mes tyre dajën, të vëllanë, kamarierin dhe një person tjetër kur persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të tyre.

Policia tha se ishin dy qitës dhe se janë derdhur mbi 20 plumba kallashnikovi drejt lokalit.

Makina e autorëve më pas ka marrë kthesën dhe janë larguar në drejtim të Traumës për të dalë jashtë Tiranës.

Të plagosurit ishin Blerim Çela 28 vjeç, vëllai i viktimës, i cili u lëndua në në fytyrë dhe këmbë; Edmond Crroj 41-vjeç, daja i viktimës, i plagosur në bark e këmbë; Azbi Selimaj 19 vjeç kamarieri i lokalit, i dëmtuar në shpatull dhe Arben Dani 46 vjeç, i dëmtuar në këmbë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë