Gazeta Si – Në GJKKO, i penduari i drejtësisë, Erion Alibej, ka rrëfyer momentin kur ka ndodhur masakra e Bradasheshit në dhjetor të vitit 2018, në të cilën humbën jetën vëllai i tij, Endrit Alibej, xhaxhai Arben Dylgjeri dhe miku i familjes me nënshtetësi turke, Erdal Durunay.
Sipas tij konflikti kishte nisur më herët dhe pohon se kishte qenë në kërkim nga policia pas një përplasjeje me armë me Xhoni Rustën, të cilin pretendon se e ka qëlluar në zonën e “5 Majit” në Tiranë. “Mbaja armë në makinë. Kur më doli paralel, ishte Xhoni Rusta në timon. I qëllova”, deklaroi ai.
Para prokurorëve, ai ka rrëfyer se çfarë ndodhi natën e 29 dhjetorit 2018 në Elbasan. Fillimisht para se të shkonte në vendin e ngjarjes ka hasur Mikael Qosen, i dyshuar më vonë për vrasjen e Endrit Alibejt.
“Sa ishim larguar nga gëzimi familjar kur më telefonuan. Unë në atë moment pashë një ‘BMW X5’ të bardhë të Mikael Qoses para ‘fast food’-it të Dine Çamit. Kur u shkëmbyem, i thashë Mikaelit, a ke hekur aty (armë). Jo, më tha, çfarë ka ndodhur. I thashë, që i kanë gjuajtur Endritit. Bashkë me të në makinë ishte edhe Ervis Çopja, që i thërrisnin ‘Liçe’”, – tregoi Erjon Alibej.
Ai theksoi se ishte i pari që ka shkuar në skenën e krimit, madje para policisë. Dyshimi i tij i parë ka lindur pasi nuk gjeti një patrullë policie, e cila çdo natë ishte aty.
Fillimisht familjarët që po i shoqëronin me një makinë mbrapa kanë pandehur për një aksident, por kur kanë hapur derën e mjetit kanë parë të plagosurit.
“Aty ishte errësirë. Aty gjithmonë rrinte një patrullë policie, por atë natë nuk ishte, ç’ka më ngriti dyshime. Gjeta aty familjarët e mi në një situatë që nuk e shpjegoj dot. E para që ka hapur derën e ‘Range Rover’-it ishte bashkëshortja ime. Pastaj motra ime. Kishin pandehur një aksident fillimisht. E gjeta të ngrohtë Endritin. Shtetasi turk po ashtu. Edhe xhaxhai pas ishte i pajetë. Erdhi pastaj policia dhe ambulanca. Endriti i kishte plumbat nën krah. E çuam Endritin në spital, por më pas mësuam që ishte pa jetë”, u shpreh Alibej.
Ai tregoi çastet pas krimit, informacionet që i vinin, kush ishin njerëzit e parë që i erdhën për t’i treguar apo për të akuzuar.
Nga Çapjat tek Çopjat, që drejtonin gishtin nga Suel Çela, teksa dyshimet rriteshin se autorët mund të ishin Çopjat, miqtë e fëmijërisë së tyre, e që kishin përdorur si atentator Talo Çelën. Sipas Erionit, Çopjat edhe qanë në varrimin e Endritit.
“…Shumë shpejt më erdhën njerëz të familjes Çapja, Florenci dhe disa të tjerë, dola veç, i ngjova me Bledar Muçën dhe Florenc Çapjan. Bledari me tha: “I pata thenë Endritit të bënte kujdes, por s’me dëgjoi”. I thashë nga kush ? Më tha, ‘vetëm Suel Çela bën këto masakra! Bled Muça kishte pirë alkool, i thashë flasim në një moment tjetër, por më thanë na ke në krah, ashtu i interesonte. Po me vinin infotmacione pa fund, jo ta ka bo Kamer Mehja, jo Suel Çela, sidomos për Suelin. Rreth atyre ditëve më është përmend emri i Çopjave dhe ma ka përmend Sokol Sanxhaktari dhe më thonë që atentatin ja ka ba Talo Çela dhe Dari, për Hajdar Çopjan. Në ditën e parë, që akoma nuk i kisha përcjellë në varreza, Franc dhe Hajdar Çopjan i kisha aty poshtë shtëpisë dhe të gjithë bisedat e tyre e lidhnin me Suel Çelën dhe për më tepër ato kanë qajt në varrimin e vëllait…”, dëshmoi ai.
Alibej rrëfeu edhe bisedat e gjata me Suel Çelën, pasi dyshonte se një ‘ushtar’ i tij nga Shkodra kishte marrë pjesë në atentat, por ai e kishte garantuar se s’kishte lidhje me ngjarjen.
Sueli, sipas tij, i kishte treguar edhe arsyen pse ishte vrarë avokati Ravik Gurra i familjes Çapja, pasi “i kishte fut shumë hunët te ‘maci'”, pseudonimi për Klodjan Çopjan.
Alibej ka treguar se kur ishte në kërkim ka qëndruar për disa kohë në Durrës. Më pas ka qenë në një fshat mes Elbasanit dhe Peqinit. Ai dëshmoi se vendosi që të dorëzohej në momentin që i vranë djalin e xhaxhait, Andi Zylyfi.
Hetimet e SPAK kanë zbuluar se masakra e Bradasheshit u porosit nga vëllezërit Franc e Hajdar Çopja dhe u pasua me urdhërimin e vrasjeve të disa personave të afërm të Endrit Alibejt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.