Dosje

‘Kisha akses në TIMS’, Alibej: Njoftova policinë, por nuk veproi. Hetoja vetë, dilja me motor si shpërndarës picash!

Gazeta Si – I penduari i drejtësisë Erion Alibej ka rrëfyer në GJKKO detaje të reja lidhur me aktivitetin kriminal dhe përplasjen me grupin e Çopjave për masakrën e Bradasheshit të ndodhur në 2018-ën ku iu vra vëllai dhe xhaxhai i tij.

Gjatë dëshmisë bie në sy fakti se Alibej kishte patur akses të plotë në sistemin TIMS dhe se një prej të pandehurve të dosjes “Plumbi i Artë” kishte takuar në Elbasan Ardi Veliun dhe Tonin Vocaj.

Sipas tij, në momentin e dorëzimit në polici ka dhënë informacion mbi autorët e dyshuar, por nuk ka patur asnjë reagim nga grupi hetimor duke bërë që të humbiste besimin tek drejtësia.

“Unë kisha sistemin TIMS që konteolloja gjithë ç’ka doja. Të gjithë këta emrat nisa t’i identifiko j. I kisha me foto dhe gjithë hyrje daljet e tyre. Të gjithë, nga Çopjat, Qosja, Dumanin. Po grumbulloja shumë informacion. Jo se po harroja Suel Çelën. Ai kujtonte se më kishte lënë në gjumë, por unë nuk kam fjetur asnjëherë të vetme. Madje, mendoj se unë e kam lënë Suel Çelën në gjumë”, tregon Alibej.

“Unë po humbja besimin tek institucionet e drejtësisë në Elbasan. Mësoj se Abedin Mama ka bërë një takim në Elbasan me Ardi Veliun dhe Tonin Vocajn. Kjo mu përputh edhe me ndërrimin e drejtorëve, – vijon Alibej. – E mora si informacion. Ndërkohë kërkoja për ekzekutorët e familjarëve të mi. E kam bërë vetë hetuesin, prokurorin, gjyqtarin. I kam vënë në dispozicion drejtësisë të gjitha infot e mia. Pasi jam vetëdorëzuar, i pari që kam informuart ka qenë polici Leonard Palushi”.

Pas vrasjes së djalit të xhaxhait, Andi Zylyfit, më 13 dhjetor të 2019-s, Erion Alibej tregon se ndërmori veprime për të mbledhur informacione mbi autorët e dyshuar, duke u maskuar si shpërndarës picash për të vëzhguar lëvizjet në qytet.

Gjatë kësaj kohe, ai identifikoi disa automjete të dyshimta pranë banesave të disa individëve që besohej të kishin lidhje me ngjarjen. Pas kësaj, ai u vetëdorëzua në polici dhe më pas u vendos në masën e arrestit në shtëpi.

Ai tha se ishte maskuar si shpërndarës picash për të mos u zbuluar. “Pasi më vranë djalin e dajës, në shtëpi më kanë ardhur dy makina duke brohoritur, madje dhe në sy të patrullës së policisë. Unë kam bërë verifikime vetë. Dilja në qytet i maskuar si shpërndarës picash me motor, edhe pse kisha një pjesë të kamerave të qytetit, sepse gjithë qytetin, kamerat i kishte Suel Çela. Tek shtëpia e Emiljano Ramazanit identifikova dy automjete dhe më pas i verifikova me kamerat e sigurisë. Dua të them se kisha çdo informacion që më korrespondonte dhe ia vura në dispozicion policisë dhe prokurorit. Pas ngjarjes së Andi Zylyfit, unë vetëdorëzohem në polici bashkë me avokatin tim. Më pas dola në arrest shtëpie”, ka rrëfyer ai.

Alibej deklaroi se Talo Çela ishte objektivi i tij kryesor.

“Unë kërkoja vetëm Talo Çelën me çdo kusht – të gjallë, të vdekur. Doja çdo informacion për të. Djali i dajës më tha: ‘Pashë Fatos Gosën pas meje me një BMW, rrugës për në Peqin’. Talo ishte kryesori për mua, sepse ai dinte çdo gjë për mua, rrugët i njihte mirë, etj. Unë doja që ai të kapej nga policia, sepse e di që do fliste”.

Në dëshminë e tij, Alibej përmend emra si Talo Çela, Mikael Qose dhe Altin Ndoci, të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në planifikimin e atentatit.

Ai gjithashtu ka treguar se si, përmes kontakteve të tij, ka arritur të zbulojë detaje mbi takimet dhe bisedat që kanë çuar në vrasjen e vëllait.

Erion Alibej është një nga bashkëpunëtorët kryesorë të drejtësisë në Shqipëri, i përfshirë në dosjen e njohur si “Plumbi i Artë”, që ka zbuluar rrjete të gjera të krimit të organizuar në vend.

Ai ka dhënë dëshmi të zgjeruara në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke ndihmuar në zbardhjen e disa vrasjeve dhe aktiviteteve kriminale të ndodhura në Elbasan dhe më gjerë.

Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Alibej akuzohet për përfshirje në disa vrasje mafioze, përfshirë eliminimin e Dorian Shkozës, Anxhelo Avdisë, vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, si dhe të Emiliano Ramazanit dhe Rigers Runajt.

Ai ka pranuar se ka porositur vrasjen e Talo Çelës për 100 mijë euro dhe ka ofruar 200 mijë euro për ta sjellë atë të gjallë.

Alibej ka rrëfyer për herë të parë në gjyq më 29 maj 2025, duke zbuluar detaje të rëndësishme për konfliktet me grupet kriminale në Elbasan dhe për vrasjen e avokatit Ravik Gurra në mars 2019.

Ai ka ndihmuar në identifikimin e personave të përfshirë në këto ngjarje dhe ka ndarë informacione për mënyrën se si funksiononin këto grupe.

Hetimet e SPAK, kanë zbuluar se masakra e Bradasheshit, u porosit nga vëllezërit Franc e Hajdar Çopja dhe u pasua me urdhërimin e vrasjeve të disa personave të afërm të Endrit Alibejt, vëllait të Erion Alibejt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë