Dosje

Erion Alibej tregon si e vranë ‘çunat e Fushë Krujës’ vëllain e Talo Çelës: Nuredini më shkroi, ‘Bujari mbaroi’!

Gazeta Si – I penduari i drejtësisë, i akuzuar për dhjetëra ngjarje kriminale, Erion Alibej, ka rrëfyer të tjera detaje për vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në GJKKO, Alibej tha se vendimi për ta vrarë, është marrë pas vrasjes së Klevis Kapllanit, shokut të Nuredin Dumanit, për të cilin shërbente si shofer.

Erion Alibej tregoi se për këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe “çunat e Fushë Krujës”, Enver Diva e Besmir Xhixha.

Tentativa e parë për ta vrarë ka dështuar, pasi një fqinj i shtëpisë së Talo Çelës i pa autorët të maskuar. Më pas vendosën që ta godasin te lokali ku pinte kafenë e mëngjesit.

“Tek kafja në fillim kanë qëlluar çunat e Fushë Krujës (Diva dhe Xhixha), më pas ka qëlluar dhe Nuredini”, tha Alibej.

Pas kësaj, Alibej pretendon se Nuredin Dumani e ka njoftuar me sms se “mbaroi Bujari”. Ai tha ndër të tjera se e ka telefonuar një oficer i policisë, për t’i komunikuar vrasjen e vëllait të Talo Çelës.

“Mua më telefonoi një oficer, Agim Lleshi, me të cilin kisha kontakt. Më tha, që po shkonin në vendngjarje, se ishte vrarë vëllai i Talos”, tha Alibej.

Pas kësaj, ai ka bërë pagesën që shkonte diku 60-70 mijë euro tek një karburant në Vorë. Të nesërmen e pagesës, Alibejn e arrestuan.

“Të nesërmen, e pashë nga kamerat që po vinte një autokolonë policie. E dija që ishin për arrestim. Nuk kam bërë rezistencë. Kam plotësuar ato formularët. Më arrestuan e që nga ajo ditë jam këtu”, tha ai.

Erion Alibej dhe Nuredin Dumani janë të penduar të drejtësisë. Edhe Dumani ka treguar për këtë ngjarje se Bujar Çela ishte ngjitur një vend më lart në “listën e zezë” të tij dhe Alibejt pas vrasjes së Klevis Kapllanit.

“Sa shkova te lokali e pashë Bujarin. Bujarin vendosëm që ta vrisnim pasi u vra shoku im Klevis Kapllani në 15 shtator rreth orës 8:00 ose 9:00 të darkës”, tha ai.

Por gjatë rrëfimeve të tij, nuk kanë munguar edhe replikat me të akuzuar të tjerë të kësaj dosjes. Xhuliano Hoxha, të cilin Alibej pretendon se e kishte informator, e ka ironizuar duke e quajtur Tommaso Buscetta, i cili u bë i penduar i drejtësisë italiane, duke zbuluar anëtarë të lartë të mafies siçiliane dhe i liruar së fundmi falë programit si bashkëpunëtor në rrëfimin e krimeve para dhe pas viteve ’90.

Erion Alibej: Bujar Çela është vëllai i Talo Çelës. Njeriu më i afërt i Talos. Ka qenë taksist. Pas vrasjes së Emiliano Ramazanit, diskutova me Nuredinin, që armën e krimit ta vendosnim tek shtëpia e Bujar Celës. E dija ku e kishte shtëpinë. Unë kisha informator Xhuliano Hoxhën.

Xhuliano Hoxha reagon nga kafazi: Ku e di ti ku isha unë, o Tommaso Buscetta?

Erion Alibej: Bujar Çela kishte një pikë shumice afër shtëpisë. Përmes Xhuliano Hoxhës deshëm të gjejmë diçka që Bujari e kishte prekur me dorë, një qese, apo diçka. Doja që në të të fusnim armën e krimit dhe ta groposnim tek shtëpia. Më pas do sinjalizoja policinë përmes Leonard Palushit. Nuk e arritëm dot këtë dhe diskutuam, që duke qenë njeri i afërt i Talos, por edhe pse përmes taksisë bënte punë e lëvizje për Talo Çelën, vendosëm ta ekzekutonim. Si fillim u angazhua nipi, që i referohem Skerdi Tasos dhe kushos, që i referohem Henrik Hoxhajt. U angazhua kusho me nipçen për ta ekzekutuar.

Xhuljano Hoxha: Tregoja pak prokurores dhe gjykatës qe kur njihesh me mua? Sa kohë ka? Që në fëmijëri njihem me atë. Që kur kishte qejf të bënte xhiro me kuaj dhe që kur hante fara te shkallët e pallatit. Tregoja o palaço. Do të lutem shumë, zbardhini bisedat e Enchro Chatit. Nuk keni nevojë as për Nuredinin, as për Erjonin. Për vrasjen e Bujar Çelës është një person tjetër. Policia dhe prokuroria nuk mori masa për të parandaluar ngjarjen, sepse ishte palë me Erjon Alibejn.

DVR e shtëpisë time e ke të regjistruar. Merrni pamjet , shiheni kam qenë në shtëpi. Nuk kam lidhje fare. Ta dëgjojnë dhe gazetarët këtu, unë kam qenë shok me atë, por tre vjet rresht këtu ka deklaruar që mua nuk më ka njohur. Nuk kam lidhje fare me Bujar Çelën. Zbardhni Enchro Chat.

Nëse unë kam lidhje me këtë gjë më jepni 300 vjet burg. Nuk kam lidhje me pisllëqet e këtij. Ky ka qenë vetë shok me ato që sot i ka kundërshtarë. Unë kam qenë dy muaj në burg kur ka ndodhur ajo ngjarje, ju mund ta vërtetoni kudo ketë. Nuk kam lidhje, ai po kërkon të më njollosë mua.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë