Lajme

Era e fortë mbyll portet dhe rrëzon pemët

Temperaturat e ulta me të cilat nisi dita e dielë në Shqipëri u pasua nga një erë e ftohtë dhe e fuqishme në orët e pasdites, që shkaktoi vështirësi në qarkullim.

Në Tiranë era rrëzoi pemë në disa zona, duke bllokuar përkohësisht rrugët. Njëra prej pemëve të rrëzuara ishte pranë godinës së Kryeministrisë, por që fatmirësisht nuk shkaktoi të lënduar.

Grupet e punës të bashkisë u shfaqën në terren pak më vonë dhe nisën pastrimin e mbetjeve të lëna pas prej rrëzimit të kësaj peme.

Një tjetër pemë u rrëzua në rrugën që kalon mes Pallatit të Kongreseve dhe Hotelit Rogner. Pema bllokoi rrugën, ndërkohë që në dy kahet hyrëse të këtij segmenti të shkurtër, policia rrugore zhvendosi trafikun e makinave, duke i udhëzuar që të ndiqnin një tjetër rrugë.

Pemë të rrëzuara u raportuan edhe nga Kinostudio, Kombinati, zona e Rrugës së Elbasanit dhe të tjera lagje të Tiranës, por që fatmirësisht pa asnjë të lënduar. Ndërkohë, era nuk kurseu as pemën e Vitit të Ri të vendosur në Sheshin Skënderbej. Pema u rrëzua në tokë, edhe në këtë rast pa lënduar njëri.

Pemë të rrëzuara u raportuan edhe në qytete të tjera. Në Durrës ranë disa palma, e po ashtu edhe në Elbasan, Fier dhe Vlorë pati pemë të rrëzuara në rrugë. Fatmirësisht, në asnjë episod nuk raportohet për të lënduar në njerëz.

Shpejtësia e erës ka shkuar deri në 80 kilometra për sekondë. Përveç pemëve të rrëzuara, ajo ka shkaktuar në bregdet dallgë të mëdha, duke bërë që puna në Portin e Durrësit, Vlorës dhe Shëngjinit të pezullohej përkohësisht.

Autoritetet ndaluan daljen në det si të anijeve për pasagjerë e për mallra, ashtu edhe të mjeteve më të vogla lundruese, si peshkarexha, apo skafe të tjera.

Ndërkohë, në zonat malore reshjet e dëborës kanë shoqëruar thuajse të gjithë ditën e dielë. Në Dibër, Tropojë, Kukës dhe në Korçë e Pogradec drejtuesit e mjeteve duhet të jenë të pajisur me zinxhirë. Autoriteti Rrugor Shqiptar thotë se deri më tani të gjitha segmentet rrugore janë të qarkullueshme me zinxhirë, por kërkohet që të bëhet kujdes gjatë orëve në vijim, kur temperaturat pritet që të pësojnë të tjera ulje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë