Lajme

Era e fortë, 5 qytetarë përfundojnë në spital, ndryshojnë oraret e nisjes së trageteve

Dje Shqipëria u përfshi nga stuhi të forta, të cilat u shoqëruan me rënie pemësh, rënie objektesh të ndryshme, etj.

Nga stuhia pesë qytetarë kanë pësuar lëndime të ndryshme dhe kanë përfunduar në Spitalin e Traumës për të marrë mjekim.

Era e fortë në Tiranë arriti shpejtësinë deri në 77 km në orë, duke shkaktuar rënien e depozitës nga një pallat në Komunën e Parisit e po ashtu edhe pemë e tabela të rrëzuara.

Edhe pema e Vitit të Ri në sheshin “Skënderbej” u rrëzua nga era e fortë, por fatmirësisht nuk pati të lënduar.

Ndërkohë natën e kaluar deti i trazuar dhe era e fortë në brigjet e Italisë jugore kanë penguar nisjen e dy trageteve të linjës Bari – Durrës.

Nga të dhënat e Qendrës së Informacionit në Autoritetin Portual Durrës, mësohet se dy tragete janë nisur nga Durrësi drejt Barit sot rreth orës 00.40.

Dy tragetet e tjerë që pritej të mbërrinin rreth orës 21.00 të së dielës nuk u nisën dot nga Bari për arsye të motit të keq .

Ndërkohë, kompanitë e lundrimit njoftojnë se kanë marrë masa për njoftimin e udhëtarëve për ndryshimet e orareve të nisjes së trageteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë