Epidemiologët shqiptarë që nuk janë pjesë e Komitetit Teknik apo strukturave të tjera shtetërore, po kërkojnë gjithnjë e më me ngulm kryerjen e testimeve seriologjike masive në popullatë, si e vetmja mënyrë e zgjuar (“smart”) për të ndërprerë zinxhirin e infektimit.
Ilir Alimehmeti, epidemiolog klinik pranë Fakultetit të Mjekësisë, shprehet se “imuniteti mburojë (shielding immunity) redukton zgjatjen dhe barrën e epidemisë Covid-19, ndaj është shumë e rëndësishme të kemi sa më shpejt në dispozicion analizën serologjike”. Ndërsa duke shkuar pak muaj më larg në parashikim, mjeku shqiptar Erion Dasho, Drejtor i Shëndetit dhe Inovacionit në Franfkfurt (Gjermani), shprehet se “nuk ka asgjë të keqe apo alarmuese që virusi të përhapet në verë”. “Madje, shumë më mirë kur përhapet në verë, pasi kushdo mund ta kalojë më lehtë dhe të fitojë imunitetin aq të nevojshëm”, thotë ai.

Mjeku Alimehmeti shprehet se “duke ditur se cilët individë 20-60 vjeç janë tashmë imunë ndaj virusit (antitrupa pozivitë, tampon negativ) ata mund të futen ndërmjet të infektuarve dhe të pasëmurëve dhe të ndërpresin zinxhirin e transmetimit të virusit”. “Në këtë mënyrë reduktohet edhe kohëzgjatja e epidemisë, edhe barra e sëmundjes (vdekshmëria, shtrimet në spital etj). Efekti rritet gjithnjë e më shumë në përpjesëtim të drejtë me përdorimin e teknikës së imunitetit mburojë”, shkruan Alimehmeti në profilin e tij në FB.
Ky efekt – të cilit mjeku Alimehmeti i referohet – është përshkruar më së miri në artikullin e publikuar në “Nature Medicine” nga një grup i kryesuar nga Georgia Technology Institute (Atlanta, SHBA) në bashkëpunim me Princetown University (SHBA) dhe McMaster University (Kanada). (kliko për studimin e plotë).
Sipas mjekut Alimehmeti, mitigimi (mbyllja e shtetit) dhe supresioni po përdoren kundër Covid-19, por duke shkaktuar probleme socioekonomike dhe nevojiten strategji të sakta daljeje. “Duke futur “imunitetin mburojë” si metodë komplementare, pra duke testuar antitrupat te personat e shëruar, ata mund të futen në jetë aktive duke shërbyer si mburojë për personat vulnerabël”, shprehet mjeku.
Modeli i imunitetit mburojë për të reduktuar përhapjen e Covid-19:

Në krahasim me sjelljen aktuale, të gjithë skenarët e imunitetit mburojë të testuar nga autorët e studimit të mësipërm tregojnë ulje dërrmuese të rasteve të reja, shtrimeve në spital dhe vdekjeve. Kjo ndodh pasi të imunizuarit mund të ndërveprojnë pa asnjë rrezik transmetimi qoftë me të infektuarit, qoftë me personat e pasëmurë.
“Këto të dhëna theksojnë dhe forcojnë nevojën për testimet serologjike masive. Identifikimi strategjik dhe futja në komunitet e individëve të shëruar përbën një oportunitet për reduktimin e transmetimit të virusit dhe për të mirën e përbashkët”, thotë Alimehmeti.
Sipas tij, fillimi i testimeve serologjike masive është çelësi i qasjeve proaktive për përfundimin e pandemisë nga Covid-19 dhe për rifillimin e veprimtarisë ekonomike.

Deri më sot, në Shqipëri nuk është kryer asnjë analizë serologjike e vetme në komunitet.
Të vetmet testime serologjike janë kryer te personeli shëndetësor, i cili gjithsesi është në punë. Më 7 maj, Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale do të njoftonte se ishin testuar 323 mjekë për antitrupa anti-SARS-CoV-2. Nga të dhënat rezultoi se në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive 15% e mjekëve kanë rezultuar pozitivë për antitrupa, ndërsa në total në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” (QSUT) kanë rezultuar 11% e bluzave të bardha për antitrupa.
Në botë testet serologjike po japin gjithnjë e më shumë një tablo të qartë të infektimit apo jo të popullatës. Ndërsa në rajon, rasti më i freskët kur shteti po ndërmerr testimin masiv serologjik të popullatës (ose të paktën në kampionë të caktuar të saj), vjen nga Maqedonia e Veriut. Sëfundmi, Fakulteti i Mjekësisë në Shkup është furnizuar me reagentë për përcaktimin e koncentrimit të anti-truptave IgG specifikë për Covid-19. Gjithsej janë 16 mijë teste serologjike, për të cilat shteti ka paguar 5.124.000 denarë (84 mijë euro me TVSH).
Thirrje për nisjen e testeve serologjike masive janë bërë ditët e fundit edhe në Kosovë, por atje ende nuk ka asnjë njoftim se qeveria do të ndërmarrë ndonjë nismë të tillë.

Lidhur me zhvillimin apo jo të imunitetit këto kohë, është shprehur në vazhdimësi edhe mjeku tjetër, epidemilogu Erion Dasho. “Nuk ka asgjë të keqe apo alarmuese që virusi të përhapet në verë. Madje, shumë më mirë kur përhapet në verë, pasi kushdo mund ta kalojë më lehtë dhe të fitojë imunitetin aq të nevojshëm”, shkruan Dasho në profilin e tij në FB. “Virusi në verë do të përhapet shumë më ngadalë se në dimër, duke u kontrolluar më lehtë”, thotë ai. Por ajo që duhet pasur parasysh si në dimër dhe në verë janë të moshuarit dhe të sëmurët që duhen mbrojtur. “Nëse duam një verë të qetë për të gjithë, një verë që e shfrytëzojmë për të krijuar imunitet grupi ndaj Covid-19, një verë që e shfrytëzojmë për të riparuar ekonominë, kujdesi për të moshuarit dhe të sëmurët është domosdoshmëri”, shprehet Dasho.

Ai prej kohësh u ka bërë thirrje strukturave shtetërore për më shumë transparencë shkencore ndaj publikut. Sipas Dashos, “qytetarët shqiptarë presin si gjithë qytetarët europianë përgjigje për këto pyetje: Si do të jenë këtë vit vera, pushimet dhe plazhi? Si do të jetë kjo fundjavë dhe java që vjen pas? Si po ecën krijimi i imunitetit të grupit në vendin tonë? Cilat janë masat për mbrojtjen e moshës së tretë? Rritja e numrit të rasteve, a është pjesë e një plani, apo rritet se ashtu i do qejfi virusit??!!”
Dasho thotë se “këto përgjigje priten nga ata që kanë marrë përsipër të jenë ekspertë dhe që duhet të japin sqarime si ato që japin eskpertët kudo në Europë”. “Por sqarimet dhe përgjigjet tashmë janë vonuar aq shumë sa ka kaluar çdo kufi dhe njerëzit po marrin masa me kokën e tyre. Kontrolli i epidemisë nisi si diktaturë dhe po përfundon si anarki. Nisi si çështje serioze dhe po përfundon si komedi”, shkruan mjeku Dasho.
Në një postim të mëhershëm dhe, pikërisht duke u fokusuar te rëndësia e zhvillimit të imunitetit në popullatë, mjeku Dasho ka reaguar edhe për bllokimin gjatë dy ditëve të fundit nga policia të Liqenit Artificial në Tiranë. “Nuk bllokohet liqeni! Madje e kundërta! Mund të mbahet hapur 24 orë që njerëzit të kenë aktivitetin fizik aq të nevojshëm. Mund të vendosen persona përgjatë rrugëve që t’u kujtojnë njerëzve rregullat e ecjes dhe distancimit në kohën e Covid. Mund të caktohen fasha të dedikuara, p.sh. 5 me 8 për të moshuarit, 9 me 14 për familjarët, 14 me 18 për vrapuesit dhe çiklistët, 18 me 5 e hapur për këdo etj. Ka edhe shumë metoda të tjera, por vetëm mbyllje jo. Transmetimi i virusit në mjedise të hapura ku njerëzit janë në lëvizje është minimal (madje sipas disa studimeve nuk ndodh). Mësoni, o “ekspertë”, nga bota se i nxitë jetën dhe e terrorizuat miletin…”, shkruan mjeku Dasho.
Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje