Ekspozite

“Enough is Enough”, në brigjet e lumit të Lanës

Instalacioni “Enough Is Enough”, lidhja e Kosovës me Shqipërinë dhe një “eko” e situatës së çdo refugjati sot në botë

Nga Luljeta Nelallari - "Enough is Enough" është vepra më e re e artit publik e vendosur në kryeqytet nga artisti kosovar kontemporan, Alban Muja.

Ky instalacion i vendosur në dy brigjet e lumit të Lanës ka lindur prej deklaratës së bërë prej ish-Presidentit amerikan, George Bush gjatë vizitës së tij në Tiranë në vitin 2007: “Ka ardhur koha, madje sa më shpejt, që të themi “Mjaft më!” (Enough is enough!), Kosova është e pavarur!”, duke sjellë në vëmendje fatet e lidhur të Kosovës e Shqipërisë.

Artisti kosovar, Alban Muja tregon për Gazetën “Si”, se ky instalacion vjen nga deklarata e ish-presidentit amerikan, George Bush, por është menduar për të sjellë në vëmendje refugjatët kosovarë, dhe jo vetëm.

“Në fakt, si shprehje vjen nga deklarata e presidentit George Bush në vitin 2007 nga Tirana për Kosovën dhe është mendu me u kriju me i kujtu jo vetëm refugjatët e shqiptarëve të Kosovës më shumë se 20 vjet më herët, por edhe me sjellë në kujtesë refugjatët sot”, shprehet Muja për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “ky instalacion është filluar në vitin 2019, pikërisht në 20-vjetorin e refugjatëve kosovarë”.

Artisti kosovar, Alban Muja

“Enough is Enough” është një vazhdimësi e diskursit artistik që ngre artisti Muja me punën e tij, duke reaguar për vendin e tij dhe duke e bërë publikun të reflektojë.

Për artistin bashkëkohor, Alban Muja, kjo vepër është e para e këtij lloji dhe është një skulpturë në hekur e cila, si një urë, lidh dy brigjet e lumit të Lanës, në një prej zonave më urbane të kryeqytetit.

Vepra është e përbërë prej germave formuese të togfjalëshit “Enough is Enough”, është rreth 17.5 metra e gjatë dhe secila germë 1.8 metra e lartë.

Artisti Muja shton më tej se kjo vepër publike sjell më tej në vëmendje çështjet e emigrimit e ndarjes, por edhe rëndësisë së vlerave humane.

“’Enough is Enough’ do të kujtojë të gjithë refugjatët, shqiptarët e Kosovës që u strehuan një pjesë e madhe në shtetin shqiptar, por edhe raste të ngjashme të refugjatëve sot nëpër botë, sikurse edhe imigrimin në të kaluarën dhe në ditët e sotit”, tregon për Gazetën “Si” artisti, ndërsa vë në pah se “askush nuk lëshon shtëpinë e vet nga dëshira, andaj ‘Enough is Enough’ e kemi menduar si edhe si një thirrje për vetëdijesim dhe përkrahje për refugjatët gjithandej”.

Kjo vepër publike vjen e kuruar nga Harabel (një platformë e artit kontemporan në Tiranë) që ka në fokus vendosjen e publikut në ndërveprim të afërt me artin bashkëkohor, si dhe krijimin e një dialogu të hapur mes hapësirës urbane, komunitetit dhe artit.

“Kjo vendosje është sigurisht e qëllimtë: bashkimi i dy brigjeve është një gjest retorik. Është një memorial i mbështetjes së Shqipërisë gjatë krizës së shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999. Është vendosur në 2 brigje lumi si simbol bashkimi, pra si një urë. Po ashtu nxjerr një tjetër të vërtetë të madhe: atë të mikpritjes shqiptare të eksodit të Kosovës gjatë luftës, e madhe, por pa zhurmë”, shprehet Harabel për Gazetën “Si”.

Sipas artistit, “Enough is enough” është edhe një thirrje ndaj politikave të gabuara për emigrantët.  

“‘Enough is enough’ tenton të ndërtojë edhe një narracion për situata të ndryshme politike dhe ekonomike sot në botë, madje edhe gjatë dhe pas pandemisë, e veçanërisht për refugjatët, kujdesi ndaj tyre dhe vlerësimi që sot ju bëhet në vende të ndryshme, ndaj atyre që jo me dëshirë lëshojnë shtëpitë e tyre e deri te politikat e gabuara, si te ne, në regjion dhe përtej saj! Tek ‘Enough is Enough’ mund të gjeni edhe ju veten, në thirrjet dhe apelet tuaja ndaj problemeve të mundshme apo edhe ndaj porosive që bëni”, përfundon artisti Muja për Gazetën “Si”.

Instalacioni, që do të qëndrojë për 3 vite në kryeqytet, vjen në kuadër të një projekti afatgjatë të Harabel që ka nisur përgjatë vitit 2020 dhe përmban një seri veprash arti të realizuara nga artistë bashkëkohorë, të cilat do të vendosen në hapësirat publike të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë.

“Enough Is Enough” është vepra e dytë që bën pjesë në këtë projekt, i cili ka nisur me përurimin e veprës “Bukurshkrimi” të artistit Adrian Paci, në nëntor të 2020-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë