Ekonomi

Energjia, Shqipëria siguron vetëm 44% të sasisë, çmimi 255.79 euro/MWh, tenton sërish

Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL) siguroi këtë të hënë (ora 14:00) vetëm 44% të sasisë së energjisë së kërkuar në ankandin e saj të parë pas pas shpalljes së emergjencës në furnizimin e energjisë nga qeveria. Në ankand u siguruan 19 400 MWh energji me një çmim mesatar 255.79 euro/MWh që në total kap një fond prej 5 milionë euro. Fillimisht FTL tentoi  të sigurojë 44 400 MWh energji për pesë ditë. Ankandi i ndarë në dy lote parashikonte sigurimin e një sasie 30 mijë MWh energji për orarin 00:00-24:00 dhe 14 400 për orarin 07:00-23:00 në datat 13-17 tetor.

Duke mos arritur objektivin e saj FLT çeli për së dyti procedurën në orën 16:00 duke kërkuar këtë herë diferencën e sasisë së energjisë së siguruar. Ajo që vihet re është që loti për të cilën janë shfaqur më shumë oferta është ai i furnizimit 24 orësh me energji. Në ankandin e parë morën pjesë 10 kompani teksa për ankandin e dytë mbetet për tu parë në rezultatet finale pjesëmarrja.

OSHEE kishte siguruar energji nga ankandet deri në datë 10 tetor ndërkohë që furnizimI aktual po bëhet në koordinim me Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare sikurse e parashikon edhe vendimi i fundit i qeverisë për kushtet e emergjencës.

Ndërkohë në Bursën Hungareze këtë të hënë çmimi për pikun ishte 219 euro/Mwh kurse ai mesatar 192 euro/mëh. Për datën 12 tetor çmimi për pikun rezulton me një rritje 16.375 në raport me datën 11 tetor dhe me një vlerë 255.46 euro/MWh.

OSHEE deri më tani ka shpenzuar mbi 100 milionë euro për importet e energjisë ndërkohë që sipas planit që shpalosi Kryeministri vetëm dy ditë më parë kompania e shpërndarjes do të marrë edhe 100 milionë euro të tjera si mbështetje për të siguruar importet deri në fund të vitit dhe 100 milionë të tjera për importet në vitin 2022.

Qeveria shpalli emergjencën në furnzim me energji deri më 15 prill 2022 ndërkohë që kompanitë e sektorit duhet që të pezullojnë planet e investimit dhe të fokusohen vetëm tek sigurimi i furnizimit në vend. (Monitor)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë