Kombetarja

Ëndrrat e Berishës: Shkollë futbolli në Kosovë dhe Champions!

Portieri i Atalantës dhe Kombëtares së Shqipërisë, Etrit Berisha, është rrëfyer në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, ku ka folur për momentet e vështira dhe dëshirat për të ardhmen. Prestigjiozja italiane ka vlerësuar kurajën e portierit kuqezi, i cili arriti të ringrihet pas gabimit në ndeshjen e Europa League ndaj Borusias së Dortmundit. Intervista e plotë e Berishës, bashkë me qëndrimin e gazetës së madhe italiane:

Kush ka vërtet karakter, del me kokën lart nga momentet e vështira. Berisha e di. Nga ai gabim në 1-1-shin e Europa League, ku gaboi në golin e Shmelcer, ka ditur të nxjerrë mësime. “Ishte një goditje e fortë, por u ringrita dhe sot ndihem më i fortë brenda meje. Këtë sezon kemi humbur disa pikë, por Europa është e arritshme, mund të mundim çdo kundërshtar, edhe ata big”, - thotë portieri i lindur në Kosovë, më 19 mars 1989. Gjiganti nga Prishtina kaloi në Suedi në janar të 2008-ës, ku me Kalmarin u bë profesionist. Pas 5 vitesh në futbollin e madh: “Kisha shumë oferta, por Tare ishte vendimtar edhe e falënderoj. Pastaj doja të isha protagonist dhe Bergamo ishte një sfidë për mua, - shprehet Berisha, që numëron 83 ndeshje me Atalantën dhe ka një rritje konstante, në duar dhe në mendje.

Etrit Berisha me fanellën e Atalantës

Berisha, çfarë do të thoshit për nivelin tuaj aktual?
Përvoja të mëson shumë. Mëson edhe nga gabimet. Eliminimi nga Borusia na goditi të gjithëve, veçanërisht mua. E kam vuajtur shumë, por ai episod më ka forcuar karakterin. Sot jam i lumtur dhe e mendoj këtu të ardhmen time. Klubi është ambicioz dhe nuk luftohet më për mbijetesën. Nuk mund të kërkoj më mirë.
Jeni plotësisht në garë për të shkuar në kupat e Europës…
Do të varet gjithçka nga pjekuria jonë. Kemi 28 pikë, na kanë ikur 4-5 pikë për gabime të evitueshme. Por klasifikimi është i mirë dhe mund t’i arrijmë objektivat.
Ndeshja me Kaljarin vlen për çerekfinalet e Kupës së Italisë. Si e shihni?
Është mundësia për të sfiduar Juventusin. Si në kampionat, edhe në kupë duam të shkojmë sa më larg të jetë e mundur.
A jeni dakord me portierin “regjisor”?
Futbolli ka ndryshuar shumë dhe loja me këmbë ka shumë rëndësi. Po përpiqem të mësohem dhe trajneri Gasperini kërkon që aksioni të nisë nga prapa, nga unë. Kur është mundësia, nuk fshihem.
Në fillim të sezonit titullar u duke se do të ishte Golini?
Është një djalë shumë i zoti dhe një portier i shkëlqyer. Ka një rivalitet të shëndetshëm mes nesh. Kam punuar gjithmonë për ta merituar një shans të dytë, dua të jem garanci për shokët e skuadrës.
Portierët më të mirë në botë në këtë moment, sipas jush?
Loris, Pikford, Handanoviç dhe Oblak. Në Itali? Përveç Samir Handanoviç, mendoj Donaruma. E ardhmja është e tij. Pastaj është Kranjo, që ka reflekse të shkëlqyera. Por nuk mund të harroj mikun tim Strakosha (ndërhyn Iliçiç “hajde stërvitu!”.
Ëndrrat për të ardhmen?
Të luaj në Champions League me Atalantën dhe të fitoj një trofe. Do të ishte maksimumi që mund të bëja me Atalantën.
Berisha pas 10 vitesh, ku mund të jetë?
Me çantën në shpinë, nëpër fusha për të gjetur talente. Shpresoj shumë që të kem një shkollë futbolli në Kosovë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë