Futboll

Endri Çekiçi largohet nga Kroacia, firmos në Slloveni

Pas rreth 5 vitesh në Kroaci, me Dinamon e Zagrebit, Lokomotivën e Zagrebit dhe së fundi me ekipin e dytë të Dinamos së Zagrebit, Endri Çekiçi është transferuar në Slloveni. Futbollisti pogradecar ka firmosur me NK Olimpija Ljubjanë, skuadrën që mban vendin e dytë aktualisht në kampionat, pas Mariborit.

Mesfushori-sulmues ishte konsideruar si një nga talentet e futbollit shqiptar, por edhe pse e ka pasur shansin për të bërë hapin e madh në karrierë me Dinamon e Zagrebit, nuk ia ka dalë. Çekiçi u bashkua me gjigantët kroatë në vitin 2014, kur la Teutën. Për dy sezone është huazuar te Lokomotiva e Zagrebit, ku ka pasur edhe momentet më të mira në Kroaci dhe shokë skuadre ka apsur eros Grezdën dhe Herdi Prengën. Sezonet e fundit, duke parë se nuk kishte hapësira me ekipin e parë, 22-vjeçari është aktivizuar me ekipin e dytë të Dinamos dhe këtë sezon ka shënuar dy gola.

Endri Çekiçi dhe Emanuele Ndoj në një konferencë shtypi

Tashmë ka ardhur firma me sllovenët e NK Olimpijas, ku Çekiçi synon të hapë një kapitull të ri në karrierën e tij. Ai ka nënshkruar me këtë klub për tre sezonet e ardhshme. Endri Çekiçi ka qenë për shumë vite pjesë e Kombëtares U-21, në shumë ndeshje titullar. Ndoshta aktivizimi me ekipin e ri në Slloveni do ta ndihmojë pogradecarin edh për t’u grumbulluar me Kombëtaren A.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë