Futboll

Enco Fernandez vendos rekord, blerja më e shtrenjtë në historinë e Premier Ligës

Gazeta Si – Mesfushori argjentinas, i riu më i mirë i Botërorit të Katarit, kalon nga Benfika te Çelsi për shumën më të lartë që është paguar ndonjëherë nga një klub anglez.

Drejtuesit e Çelsit ia dolën, e bindën Benfikën për ta shitur menjëherë Enco Fernandezin, duke kompletuar një transferim rekord për 120 milionë euro. Kjo është shifra më e lartë e shpenzuar në merkato në Premier Ligë.

Totali i merkatos pa limite të janarit në kampionatin anglez shkon në 368.5 milionë euro për 8 lojtarë, më shumë se gjithë klubet e tjera të kampionateve top të Europës të mbledhura bashkë. Fernandez ka firmosur një kontratë deri në 2031-shin, pasi ka fluturuar drejt Londrës.

Enco Fernandez, mesfushori kampion bote me Argjentinen. Gazeta Si, 1 shkurt 2023

Tratativat zgjatën më shumë se një muaj. Blutë u dashuruan me mesfushorin 22-vjeçar në Katar. U duk për një moment se akordi u arrit, pastaj bisedimet ngecën, pasi portugezët donin që Çelsi ta paguante menjëherë klauzolën e 120 milionë eurove. Për arsye të fair play-it financiar anglezët duhej të paguanin me këste. Ditët e fundit Çelsi insistoi, pranoi shifrën e klauzolës, por gjithmonë për pagesë me këste. Në fund u dorëzua edhe Benfika, duke parë dëshirën e lojtarit për të shkuar në Premier Ligë.

Çelsi mbyll me ‘qershinë mbi tortë’ një merkato të bujshme. Boehli nuk ka kursyer asgjë, duke kapur shifrën e 700 milionë eurove në total që prej majit, kur bleu klubin. Blutë në janar kanë marrë për 40 milionë euro 21-vjeçarin Badiashile, më pas paguan 100 milionë euro për Mikhailo Mudrik nga Shakthari. Nga Atletiko erdhi në huazim Zhoao Feliks dhe tani shpenzimi rekord me Fernandez, blerja më e shtrenjtë e historisë në Angli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë