Futboll

Emri i Fadil Vokrrit përjetësohet në stadiumin e Prishtinës

Është konsideruar si një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave që ka prodhuar Kosova dhe pa asnjë diskutim njeriu me ndikimin më të madh në futbollin kosovar dhe më gjerë. Fadil Vokrri u nda nga jeta vetëm një muaj më parë në mënyrë tragjike pas një ataku në zemër.

Figura e tij ka qenë e nderuar dhe e respektuar gjithmonë, por tashmë pas ndarjes nga jeta, ajo ka marrë një tjetër dimension. Ka qenë të shumta nderimet dhe medaljet që janë dhënë për ish-kreun e FFK-së, në këto 4 javë. Por duket se nderimi më i madh dhe me shumë mundësi ai që, vetë Fadil Vokrri do të kishte dashur më së tepërmi është dhënë nga komuna e Prishtinës.

Me propozimin e kryetarit të kësaj komune, Shpend Ahmeti, stadiumi i rikonstruktuar i Prishtinës tani e tutje do të mbajë emrin, “Fadil Vokrri”. Në ballinën e këtij impianti, me gërma të mëdha, është vendosur emri i Vokrrit. Stadiumi më i rëndësishëm dhe më i madh i Kosovës do të mbajë emrin e atij, që me golat e tij për Prishtinën i bënte krenarë të gjithë shqiptarët.

Me përfundimin e të gjitha punimeve, tashmë ky impiant i rikonstruktuar në mënyrë tërësore duket më i bukur se kurrë. Aty do të luaj ndeshjet skuadra përfaqësuese e Kosovës, ajo për të cilën, Fadil Vokrri dha gjithçka nga vetja që të njihej ndërkombëtarisht. Përveçse do të presë ndeshjet e Kosovës, stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë shtëpia e skuadrës së Prishtinës. Skuadra më e madhe dhe titulluar në Kosovë në fanellën e saj shton edhe një tjetër peshë shumë të rëndë, siç është emri i Fadil Vokrrit, i cili me golat e tij e çoi në nivelet më të larta historike këtë ekip.

Fadil Vokrri si futbollist dhe president i FFK-së

Fadil Vokrri në kohën kur luajti futboll në fushën e blertë arriti të bëhej një nga më të mirët në gjithë Jugosllavinë që në atë periudhë kishte një nga kampionatet më të fortë në botë. E nisi karrierën e tij sportive në skuadrën e Llapit të Podujevës, por shkëlqimin më të madh e pati tek Prishtina. Tek “bardh e blutë” e  Kosovës, në 172 ndeshje, Vokrri arriti të shënonte 55 gola. Me paraqitjet e tij, Prishtina arriti rekordin e saj historik në kampionatin jugosllav, që në vitet, 80’ 90’ ishte nga më të fortët në botë. Më pas Vokrri luajti edhe për Partizanin e Beogradit dhe skuadrën përfaqësuese të Jugosllavisë. Në mbyllje të karrierës së tij, Fadil Vokrri luajti edhe për gjigandët e Turqisë, Fenerbaçe dhe disa klube të vogla në Francë.

Fadil Vokrri si drejtues në futboll

Por, jo me më pak rëndësi ka qenë loja e Vokrrit jashtë fushe, ku ai gjithmonë shkëlqeu. Fillimisht ishte drejtues tek klubi i Prishtinës, ku dha një ndihmesë shumë të madhe në strukturimin dhe shndërrim e tij në një klub modern dhe me parametra europian. Për më shumë se 10 vite, Fadil Vokrri ishte president i Federatës Kosovare të Futbollit, ku luajti një rol shumë të rëndësishëm në promovimin dhe njohjen e futbollit kosovar. Ai do të mbahet mend si njeriu që anëtarësoi Kosovën në FIFA dhe UEFA. Do të jetë shumë e vështirë për cilindo që do të pasojë Vokrrin në këtë pozicion, pasi trashëgimia dhe standartet e tij janë shumë të larta.

Sakaq sa i përket stadiumit, pas rikonstruksionit total, ai është në pritje të ndeshjes testuese, me qëllim që të marrë edhe certifikimin nga UEFA-s për ndeshje që organizohen prej saj. Ndeshjet e para që ky impiant do të presë do të jenë ndeshjet kualifikuese të përfaqësueses së Kosovës për Ligën e Kombeve. Me përfundimin e këtij stadiumi, për Kosovën mbyllet edhe një problem shumë i madh sa i përket pritjes së ndeshjeve ndërkombëtare. Deri më tani Kosova kishte përdorur stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë