Futboll

Emra të mëdhenj jashtë Championsit, Ajaksi ia del me 3 penallti

Në turin e tretë kualifikues të Champions League ka pasur jo pak surpriza. Emra të mëdhenj si Selltik, Porto, apo Dinamo Kiev, kanë mbetur jashtë kompeticionit më të rëndësishëm europian në nivel klubesh.

Surpriza e parë erdhi nga Azerbajxhani, ku qipriotët e Apoelit përmbysën humbjen 2-1 në shtëpi, duke e mundur Karabagun 0-2 në fushën e tij. Bryzhi, pas fitores 1-0 në ndeshjen e parë, barazoi 3-3 në Kiev, duke nxjerrë jashtë Dinamon. Kualifikim pa probleme për Dinamon e Zagrebit, që shënoi 4 herë në fushën e Ferencvaroshit. Eliminimi më i bujshëm ishte ai i Portos nga rusët e Krasnodarit. Skuadra e trajnerit Konseisao kishte fituar 0-1 në Rusi, por në “Do Dragao” pësoi 3 gola brenda një pjese loje dhe golat e Ze Luis dhe Diaz nuk patën asnjë vlerë, pasi me rezultatin e përgjithshëm 3-3 kaluan rusët, të favorizuar nga golat në fushë kundërshtare.

Tadiç shënon me penallti për Ajaksin ndaj PAOK-ut. Gazeta Si, 14 gusht 2019

Jashtë edhe Bazeli i Taulant Xhakës, që në turin e dytë kishte eliminuar PSV-në. Ndaj Lask Linz, zviceranët i humbën të dyja ndeshjet, 2-1 dhe 3-1. Olimpiakosi mundi 2-0 Bashakshehirin, me gola të Semedo dhe Valbuenës, kurse Ajaksi vuajti shumë për kualifikimin. Ndeshja e parë ndaj PAOK-ut ishte mbyllur në barazim, 2-2, ndërsa në Amsterdam nisi keq për holandezët, 0-1, por në fund u mbyll 3-2. Për t’u përmendur është fakti që arbitri anglez, Pauson, akordoi 3 penallti në favor të Ajaksit, dy të kthyera në gol dhe një e humbur nga Dushan Tadiç. Eliminim i befasishëm ishte edhe ai i Selltikut, që humbi në fushën e tij 3-4 me rumunët e Kuzhit. Ndeshja e parë në Rumani ishte mbyllur në barazim, 1-1. I vetmi kualifikim që u vendos nga penalltitë ishte ai i Crvena Zvezdës ndaj Kopenhagenit. U gjuajtën plot 22 penallti për të përcaktuar skuadrën fituese, që rezultoi ajo serbe.
Ndeshjet e “play-off”-it për grupet e Champions League janë Dinamo Zagreb-Rosenborg, Kluzh-Sllavia Pragë, Jang Bojs-Crvena Zvezda, Apoel-Ajaks, Lask Linz-Bryzh dhe Olimpiakos-Krasnodar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë