Futboll

Emiliano Sala, rrëzimi në momentin e shkëlqimit

Tashmë kanë kaluar më shumë se 24 orë nga zhdukja pa asnjë gjurmë e sulmuesit argjentinas, Emiliano Sala. 28-vjeçari u nis me avion nga Nanta drejt Kardifit, ku kishte firmosur dhe do të vazhdonte karrierën e tij futbollistike, por duket se nuk ishte e thënë që argjentinasi me origjinë italiane të luante në ishullin Britanik. Argjentinasi 28-vjeçar kishte bërë përparim të ndjeshëm te Nante në tre vitet e fundit, aq sa trajneri i kombëtares italiane, Mancini e kishte kontaktuar atë për të veshur fanellën e kombëtares “axurre”.

Karriera e Emiliano Sala deri para këtij momenti kishte qenë shumë e komplikuar me disa pozicione të ndryshuara në fushën e lojës dhe më i fundit, si sulmues në krahun e djathtë e caktuar nga Ranieri, duket se kishte nxjerrë më të mirën e tij. Sulmuesi 28-vjeçar ishte transferuar në Francë në vitin 2010 kur Bordo e bleu atë në moshën 20-vjeçare.

https://www.facebook.com/fcnantes/videos/2098814726865853/
Disa nga golat e Emiliano Sala me Nante

Në Ligat inferiore franceze dhe me ekipe të vogla, ku aktivizua si i huazuar bëri mirë, duke shënuar gola, por asnjëherë nuk arriti në maksimumin e tij. Do të ishte pikërisht dora e një mjeshtri si Klaudio Ranieri që do të ndikonte në karrierën e Sala, duke e bërë atë një sulmues tipik zonë dhe shumë modern. Një sulmues që shënon gola, por edhe që kthehet për të ndihmuar ekipin në momente të caktuara.

Pikat e forta të Sala kanë qenë gjithmonë, pozicionimi në fushë, fiziku shumë i fortë që i bënte kundërshtarët që të stepeshin kur futeshin në dyluftim me të. Këto aftësi të tij, por edhe një stërvitje intensive dhe me përqendrim i dhanë rezultatet, duke e bërë atë objektiv të disa ekipeve në Premier Ligë. Idhulli i tij, siç e kishte shprehur në një intervistë në Argjentinë, ka qenë gjithmonë Gabriel Omar Batistuta edhe pse mënyra e tij e luajturit ishte disi më ndryshe. Gjithsesi viti 2018 kishte qenë spektakolar për Sala, duke ia dalë që të futej në mes të trios të frikshme të PSG, Nejmar-Mbape-Kavani. Në 19 ndeshje, 28-vjeçari shënoi 12 gola dhe kishte mesatare më të lartë se Kavani për sa i përket raportit mes minutave të luajtura dhe golave të shënuar.

Mundësi për të luajtur më kombëtaren italiane

Si shumë argjentinas, Emiliano Sala ishte me orgjinë të largët italiane. Paraardhësit e 28-vjeçarit kishin emigruar disa dekada më parë drejt vendit amerikano latin. Që në mbiemër ai dallohet që ka një lidhje me Italinë, madje mediet apenine shkruajnë se ai ishte një folës shumë i mirë i gjuhës italiane. Trajneri i “axurrëve” Mancini e kishte vrojtuar që prej fillimit të këtij sezoni Salën dhe madje kishte nisur kontaktet me të për ta afruar në përfaqësuese. Interesi ishte i dyanshëm, Italia vuan për sulmues, ndërsa Sala nuk do e refuzonte një fanellë kombëtareje, pasi te Argjentina nuk kishte asnjë shans që të thirrej, duke parë mbipopullimin në këtë repart. Sala nëse do të vishte fanellën e kombëtares italiane, do të ndiqte kështu shembullin Osvaldos dhe të Ledezmës që luajtën me skuadrën “axurre”.

Parandjena dhe frika në avion

Një udhëtim nga Nanta në Kardif për të firmosur kontratën, pastaj kthimi për t’u përshëndetur me shokët dhe sërish fluturimi për ishullin britanik, kështu kanë shkuar orët e fundit para zhdukjes për Emiliano Sala. Shpesh thonë se njeriu e ndjen një diçka të keqe që mund t’i ndodhë dhe duket se edhe me sulmuesin argjentinas ka ndodhur kjo gjë. Kur u kthye në Nantë për t’u përshëndetur me shokët, mediet shkruajnë se ai iu kishte treguar shokëve për tmerrin që kishte përjetuar në avion gjatë kthimit dhe se ndjehej pak i frikësuar. Frika e tij duket se u bë reale, kur avioni filloi të kishte problemet e para dhe nga ky moment është bërë publik këtë mëngjes edhe mesazhi i tij i fundit, që i kishte dërguar një shoku të tij.

https://www.youtube.com/watch?time_continue=60&v=dbxSxlpzuRE
Mesazhi i fundit i Sala i drejtuar një miku të tij

"Tani jam në bordin e avionit që duket sikur po bjerë nga momenti në moment. Do të shkoj në Kardif tani dhe nesër do të filloj stërvitjen me ekipin tim të ri nesër. Si jeni ju të gjithë të mirë? Nëse nuk dëgjoni ndonjë lajm tjetër prej mua për një orë e gjysmë, duhet të dërgoni dikë që të më gjejë. Jam shumë i frikësuar!"- kanë qenë fjalët e Sala pak para incidentit me avionin, që prej ditës së martë rezulton i zhdukur.
Sakaq sa i përket kërkimeve për Emiliano Sala deri në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure nuk ka asnjë shenjë. Kërkimet u ndërprenë mbrëmjen e së martës për shkak të motit të keq dhe rifilluan orët e para të së mërkurës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë