Ekonomi

“Emigrimi, rrezik real për ekonominë shqiptare në 2019-ën”

Sabina Veizaj - Arben Malaj, ish-ministri socialist i financave, aktualisht anëtar i Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë, në një intervistë për Gazetën “Si” bën një udhëtim të shkurtër nëpër ekonominë e vitit që po lëmë pas e tregon gjithashtu vizionin e tij për çfarë na pret gjatë 2019-ës.

Eksperti Malaj flet për risqet potenciale të financave publike duke renditur shkaqet dhe argumenton njëkohësisht financimin e ekonomisë përmes PPP-ve. Problematika që eksperti Malaj ngre me zë të lartë është emigrimi, që sipas tij do t'i kushtojë shtrenjtë ekonomisë së vendit.

Si e interpretoni ekonominë shqiptare gjatë 2018-ës?

Arben Malaj,
President i Institutit për Politika Publike dhe Mirëqeverisjes

Për sa i përket ritmeve të rritjes ekonomike; zhvillimeve në tregun e punës; totalit dhe strukturës së investimeve të huaja dhe totalit të investimeve, strukturës së eksporteve, ekonomia jonë në vitin 2018 është në trendet mesatare afatmesme. Risqet potenciale në rritje dallohen në zhvillimet në tregun bankar për nivelet e ulëta të kredidhënies, e cila nuk ushqen rritjen e kërkesës agregate në ekonomi në risqet potenciale të stabilitetit të financave publike për shkak të mosnjohjes qartë të shumës së detyrimeve të prapambetura nga mos pagimi TVSH- së, detyrimeve të tjera ligjore që shteti shqiptar ka ndaj pronarëve, gjyqeve të fituara nga punonjësit e larguar nga administrata publike gjatë 10 apo 15 viteve të fundit, si dhe nga detyrimet e "fshehta" të kontratave të PPP-ve.

Largimet e konsiderueshme nga vendi, vitet e fundit duket se kanë ulur kërkesën agregate në ekonomi. Luhatjet e kurseve të këmbimit rritin paqartësitë. Njëkohësisht dhe mungesa e analizave të thelluara të Bankës së Shqipërisë nuk mund të vlerësojë se sa forcimi i monedhës shqiptare vjen nga ristrukturimi pozitiv i ekonomisë tonë duke e bërë atë më konkurruese dhe sa nga faktorë jostrukturorë.


"Mungesa e analizave të thelluara të Bankës së Shqipërisë nuk mund të vlerësojë se sa forcimi i monedhës shqiptare vjen nga ristrukturimi pozitiv i ekonomisë tonë duke e bërë atë më konkurruese dhe sa nga faktorë jostrukturorë. Gjithashtu nuk mund të vlerësohet se sa i madh dhe sa i gjatë do të jetë impakti i faktorëve jo strukturorë, që rrezikohen të vazhdojnë edhe për vitin 2019 "- Malaj

Gjithashtu nuk mund të vlerësohet se sa i madh dhe sa i gjatë do të jetë impakti i faktorëve jo strukturorë, që rrezikohen të vazhdojnë edhe për vitin 2019. Nëse faktorët jostrukturorë janë të konsiderueshëm në madhësinë dhe kohëzgjatjen e veprimit të tyre, kjo mund të sjellë efekte jopozitive në eksportet shqiptare, të cilat nëqoftëse janë goditur nga faktorët jo strukturorë duhet të asistohen me politika ekonomike lehtësuese. Në rast të kundërt, dëmtimi i eksporteve nga “përmirësimi i bilancit tregtar” nga forcimi i monedhës kombëtare, mund të sjellë efekte jo pozitive afatmesme. Qartësimi i faktorëve në këtë sjellje jo të arsyeshme të kursit të këmbimit është dosmoshmëri kritike.

Si e gjykoni rolin e PPP-ve në ekonomi, duke marrë parasysh edhe kritikat e vazhdueshme ndaj tyre nga organizmat ndërkombëtarë?

Ekonomia shqiptare ka nevojë për disa miliarda dollarë investimeve sidomos për të siguruar infrastrukturë normale në zonat rurale, në akset kombëtare dhe ndërkombëtare. Financimi në reduktimin e kësaj pengese në zonat rurale duhet për një jetesë më të mirë, sepse infrastruktura nuk është thjesht transport, por mundësi për një cilësi më të mirë në arsimim, shëndetësi dhe në biznes. Investimet më të mëdha në akset rrugore dhe ato ndërkombëtare po ashtu krijojnë premisa për një rritje më të lartë dhe më të qëndrueshme të ekonomisë së një vendi. Kjo sepse çdo investim në infrastrukturë rrit aksesin për lehtësimin në kohë dhe vlerë të tregtisë kombëtare si në krahun e importeve dhe atë të eksporteve, përfshi këtu turizmin.

Studimet tregojnë sidomos në kohë të rënieve ekonomike se, kur individët reduktojnë shpenzimet dhe investimet e tyre sepse janë të pasigurtë dhe të paqartë për të ardhmen, kur biznesi redukton shpenzimet dhe investimet e tij sepse ka pasiguri dhe paqartësi për të ardhmen; rënia ekonomike tenton të bjerë shpejtë. Dhe sa më thellë të bjerë ajo, aq më e vështirë bëhet dalja nga kriza ekonomike. Atëherë të gjitha qeveritë pavarësisht profileve neoliberale apo neokonservatore, detyrohen të respektojnë epitafin ekonomik të Keynsit i cili theksonte se - në kohë të gjatë të gjithë ne jemi të vdekur - pra ndërhyni, ndaleni përkeqësimin e ekonomisë, ndihmoheni ekonominë të ringrihet sa më shpejtë dhe me sa më pak kosto mbi gjeneratat e ardhshme.

Problemi qëndron se këto miliarda të domosdoshme për infrastrukturën e vendit tonë ku do t'i gjejmë? Sa nga taksapaguesit shqiptarë nëpërmjet taksave apo borxhit që do t’ju rritim, sa nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe sa nga biznesi privat?
“Novacioni” financiar që financon infrastrukturën kryesisht me partneritetin publik me privat (PPP), mund të rezultojë më vonë me një krizë të rëndë të stabilitetit financiar të vendit tonë. Pasojat e një krize të re financiare, ekonomike, sociale e politike do të ishin të rënda dhe pasoja shpresëvrasëse do të ishte çdo fluks i ri i braktisjes së vendit. Edhe vendet më pak të zhvilluara të BE-së, bazuar në historinë e tyre që prej viteve '50-të, kanë përmirësuar infrastrukturën e tyre kryesisht me fonde të BE-së apo Institucioneve Financiare Ndërkombëtare.


"Problemi qëndron se këto miliarda të domosdoshme për infrastrukturën e vendit tonë ku do t'i gjejmë? Sa nga taksapaguesit shqiptarë nëpërmjet taksave apo borxhit që do t’ju rritim, sa nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe sa nga biznesi privat?" - Malaj

Pak kohë më parë një nga qendrat kërkimore shkencore në botë “Brooking Insititute” kishte një analizë për efektshmërinë e PPP-ve dhe burimet e financimit të tyre. Autorët theksonin se një vend mund ta financojë ekonominë e tij nëpërmjet tre rrugëve: taksave; borxhit publik- rritjen e tij dhe mes fshehjes së borxheve.

Duhet pak kohë që ne të qartësohemi cilën prej tyre, apo në cilin kombinim midis tyre, qeveria shqiptare po financon PPP-të në infrastrkturë.

Çfarë vizioni keni për ekonominë shqiptare në 2019-ën dhe në cilin model ekonomik mendoni se duhet të fokusohet qeveria?

Shqiptarët meritojnë që çdo Vit i Ri të jetë më i mirë. Kjo kërkon rritje ekonomike më të lartë, papunësi dhe varfëri më të ulët, kohezion dhe solidaritet social më të lartë, defiçit buxhetor, borxh publik dhe kosto financimi të individëve, bizneseve dhe buxhetit publik sa më të ulët.
Modeli ekonomik i vendit tonë duhet të jetë "Law and Development". Qartësimi i të drejtave dhe detyrimeve brenda dhe midis agjentëve ekonomikë është mundësia më e mirë që vendi ynë të eleminojë pengesat dhe të çlirojë rritjen ekonomike.

Kjo fillon me të drejtat e pronës, me një sistem gjyqësor efektiv, me një administratë thellësisht profesionale, një ambient biznesi që ul paqartësinë, pasiguritë, kostot abuzive, mungesën e burimeve alternative dhe me kosto të arsyeshme të financimit etj. Ekonomia 2019 do të ketë luhatshmërinë brenda trendeve afatmesme.


"Largimet nga vendi mund të jenë një risk në rritje i cili duhet të matet shumë mirë për efektet direkte dhe indirekte në rritjen ekonomike, në impaktin në treguesit social dhe impaktin në buxhet" - Malaj

Disa risqe potenciale lidhen me kursin e këmbimit; me strukturën e ekspozuar të eksporteve; me impaktin dhe luhatjet e energjisë në varësi të kohës dhe tregjeve (energjia ka pasiguri natyrore të mëdha); respekti për mineralet nga pesha relativisht e lartë e eksporteve të lëndëve të para që nuk janë eksporte të shëndetshme për ekonominë në efektin e tyre spil-over në përfitimet ekonomike e sociale. Largimet nga vendi mund të jenë një risk në rritje i cili duhet të matet shumë mirë për efektet direkte dhe indirekte në rritjen ekonomike, në impaktin në treguesit socialë dhe impaktin në buxhet; efekte direkte në uljen e të ardhurave dhe efektet indirekte në rritjen e asistencës sociale të familjeve të tyre që mund të gjenden në vështirësi kur largohen pjesëtarët e tyre më të aftë, të cilët me të ardhurat e tyre kur ishin në Shqipëri lehtësonin papunësinë dhe varfërinë e pjesëtarëve të tjerë të familjeve të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë