Kombetarja

Elozhe Nedim Bajramit, italianët e shohin si “farin” e lojës së Empolit

Prestigjiozja italiane “La Gazzetta Dello Sport”, në rubrikën e saj “fantanews”, evidenton lojën në rritje të Nedim Bajramit, fantazistit të Empolit dhe Kombëtares shqiptare. Bajrami sapo ka bërë debutimin me fanellën kuqezi, konkretisht në ndeshjen me Hungarinë, ku tregoi se është lojtari që i ka munguar skuadrës së Rejës. Ja çfarë shkruhet konkretisht në artikull:

Te një Empoli i paqendrueshëm, i aftë për të heshtur Juventusin në “Allianz Stadium” dhe pastaj i pafuqishëm për të marrë pikë ndaj Venecias, po bie gjithmonë e më shumë në sy, javë pas jave, Nedim Bajrami. Trekuartisti ka dhënë nëj asist dhe ka shënuar një gol, duke u konfirmuar si një “far” në lojën sulmuese të Empolit.

Bajrami ne stervitje me Kombetaren. Gazeta Si, 15 shtator 2021

I lindur në Zyrih dhe më nënshtetësi shqiptare, Bajrami nuk pati aspak frikë nga ngjitja në Serinë A, përkundrazi, ka vazhduar atë që bënte prej disa sezonesh në Serinë B: të kapë bonuset. Ai luan sezonin e tretë me Empolin, është një lojtar në gjendje të luajë në çdo pozicion në mesfushë, por roli natyral është ai që po mbulon aktualisht, trekuartisti, pra lojtari pas dy sulmuesve.

Gjatë dy sezoneve të para ka shënuar në total, në të gjitha kompeticionet, 12 gola dhe ka dhënë 14 asiste. Në Serinë A ka gjetur golin e parë, edhe pse nuk pati vlerë, pasi Venecia fitoi 1-2. Po ashtu, ai dha një asist në ndeshjen e parë ndaj Lacios për Bandinelin. Bajrami tregoi se mund të gjuajë shumë mirë penalltitë, një rol që tek Empoli në fakt e bën Mankuzo.

Një fillim sezoni i mirë. Shpresat e Empolit për mbijetesë varen shumë edhe prej këmbëve të tij. Lojtari i Kombëtares shqiptare mbetet një lider tek Empoli, është lojtari i prekjes vendimtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë