Futboll

Eliminimi nga Champions, Juventus humb 13 mln euro, bie 24% në bursë

Humbje e dhimbshme për Juventusin në Champions League, në çdo aspekt. Eliminim i dhimbshëm në shtëpi nga një Ajaks fantastik, që i ka dhënë ekipit të madh italian një leksion të mirë se suksesi nuk mund të blihet. Eliminimi në çerekfinale të Championsit bën që në arkën e Juventusit të mungojnë shpërblimet që jep UEFA për këtë fazë të kampeticionit dhe klubi bardhezi me siguri do të vuajë pasojat.

Juventusi djeg së pari 13 milionë eurot e kualifikimit në gjysmëfinale të Championsit dhe i heq vetes të drejtën për të fituar deri në 33 milionë euro të tjera. Këto janë pasojat ekonomike të eliminimit nga Ajaksi në fazën çerekfinale të Champions League. Por jo vetëm kaq: në bursë Juventusi ka pësuar një rënie të menjëhershme prej 24%. Dalja nga skena e kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube – dhe kjo është më domethënësja – mund të sjellë një ngadalësim të planit të zhvillimit 5-vjeçar, që klubi torinez ka nisur me blerjen e Kristiano Ronaldos verën e kaluar. Juventusi del nga Championsi me rreth 94 milionë euro arkëtime nga UEFA: 30 nga rezultatet historike, 26 nga pjesëmarrja dhe rezultatet në grupe, 20 nga 1/8-t dhe çerekfinalet dhe 18 nga marketingu. Kalimi në gjysmëfinale do të sillte 12 milionë bonus, plus 1 milion nga marketingu. Fitimi i Championsit do ta çonte shifrën e përfitimit total në 127 milionë euro.

Ronaldo i dëshpëruar pas eliminimit nga Ajaksi në Champions

Shifra që mungon në llogaritë e klubit italian do ta kishte ndihmuar atë për të balancuar shpenzimet e fushatës së fundit të blerjeve. Shpenzimet e pagave janë shtuar në masën 35% dhe në këtë drejtim Juventusi del me humbje, por pasojat janë edhe më të mëdha, nëse flasim për projektin e zgjerimit global. Ronaldo duhej t’i shërbente Juventusit për të përmirësuar ecurinë e tij në Champions, pra t’i shkonte deri në fund kompeticionit dhe rrjedhimisht të rriste të ardhurat në arkën e klubit. Mungesa e markës së Juventusit në tregun ndërkombëtar në fazën finale të Championsit, nga tani në qershor, do të jetë vërtet e dhimbshme për bardhezinjtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë