Kombetarja

Eliminatoret Euro 2025, Bushi: Shqipëria i ka të gjitha shanset të kualifikohet

Gazeta Si – Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, doli sot në një konferencë shtypi, ku komentoi shortin e eliminatoreve të Euro 2025, i hedhur pak ditë më parë në Nion. Kuqezinjtë kanë rënë në Grupin E, bashkë me Zvicrën, Rumaninë, Malin e Zi, Armeninë dhe Finlandën.

Ish-sulmuesi që drejton prej disa vitesh Shpresat pohoi se grupi është i fortë, por ai shprehu bindjen se Shqipëria U-21 i ka të gjitha shanset për t’u kualifikuar në fazën finale të Europianit që zhvillohet në Sllovaki.

“Mendoj që është një grup relativisht i fortë dhe i ekuilibruar. Janë ekipe që të hapin probleme. Je jemi në kërkim të talenteve dhe do kemi prurje shumë të forta. Shpresoj të mos kemi dëmtime dhe uroj që lojtarët të marrin minuta në ekipet e tyre. FSHF mund të na ndihmojë me ndeshje miqësore, kemi menduar të luajmë 4 të tilla.

Jemi ekip modest, por jemi të fortë kur bëhemi bashkë dhe sakrifikojmë. I kemi të gjitha shanset për t’u kualifikuar. Kemi probleme për gjetjen e lojtarëve në disa pozicione. Do jetë grup interesant, mendoj me shumë barazime. Jemi të fokusuar te ndeshja e parë ndaj Armenisë. Duke sakrifikuar dhe luftuar, por edhe me pak fat, kemi mundësi të arrijmë lart.

Asllani dhe Adrian Bajrami janë dy lojtarët që mund t’i kemi nga ekipi A, por Bajrami është i dëmtuar. Me Silvinjon kemi pasur takime, mendoj se do të bëjnë mirë ekipi i parë dhe Shpresat”, - ka theksuar Bushi mes të tjerash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë