Kombetarja

Eliminatoret e Botërorit, vajzat kuqezi nuk i shpëtojnë dot humbjes në Poloni

Entuziazmi i fitores së thellë 5-0 ndaj Armenisë është shuar shpejt. Shqipëria në futboll për femra ka humbur sot në Poloni, me rezultatin 2-0. Ishte ndeshja e radhës në grup për eliminatoret e Botërorit Australi–Zelandë e Re 2023.

Vajzat kuqezi bënë një pjesë të parë të mirë dhe iu afruan golit me kapitenen Megi Doçi, e cila nuk arriti të finalizonte në momentin e fundit. Polonia kaloi në avantazh në fundin e pjesës së parë me anë të një penalltie të kthyer në gol nga Dudek. Kombëtarja jonë e mbajti ndeshjen të hapur, por u ndëshkua me golin e dytë një minutë para fundit të ndeshjes.

Doçi ne aksion gjate ndeshjes. Gazeta Si, 26 tetor 2021

Trajneri Armir Grima e nisi ndeshjen me këtë formacion: Rexhepi, Hilaj, Curraj, Maliqi, Elezaj, Gjini, Franja, Krasniqi, Doçi, Hamidi dhe Maksuti. Në fund u aktivizuan edhe Lufo dhe Begallo në vend të Maksutit dhe Krasniqit.

Vajzat kuqezi mbajnë vendin e 4-t në Grupin F, me 4 pikë të grumbulluara pas 4 ndeshjesh. Po 4 pikë ka edhe Kosova, që sot fitoi 0-1 në fushën e Armenisë. Grupi kryesohet nga Norvegjia me 10 pikë, e ndjekur nga Polonia me 8 pikë dhe Belgjika me 7 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë