Shendet

Elektriciteti mund t’i shërojë plagët 3 herë më shpejt

Shkencëtarët kanë zbuluar një metodë që i bën plagët të shërohen më shpejt duke përdorur elektricitet. Studiuesit në Universitetin e Teknologjisë në Suedi dhe Universitetin e Freiburgut në Gjermani thonë se plagët kronike që janë të pranishme te pacientët në moshë të thyer ose ata diabetikë janë një problem për të cilin nuk ka mjaftueshëm vëmendje.

Zbulimi i kësaj metode mund t’iu ndryshojë jetën pasi janë kategoritë që vuajnë më shumë nga plagët që nuk  shërohen.

Ekipi e bazoi punën mbi një hipotezë të vjetër të quajtur elektrotaktikë që do të thotë se ata mund të “zhvendosin” qelizat. Nëse një fushë elektrike vendoset në të njëjtën hapësirë me qelizat e lëkurës, ato do të zhvendosen drejt kësaj fushe.

Shkencëtarët krahasuan dy kampionë lëkure artificiale duke përdorur një çip të vogël dhe njëri prej kampionëve u stimulua me elektricitet, ndërsa tjetra jo. Rezultatet ishin mbresëlënëse.

Kampioni në të cilin u përdor elektriciteti u shërua tre herë më shpejt. Autorët e studimit provuan të njëjtën metodë edhe në plagët e shkaktuara nga diabeti dhe shërimi i tyre ishte thuajse i njëjtë me qelizat e shëndetshme.

Shkencëtarët shprehen se duan të zhvillojnë një koncept për të ‘skanuar’ plagët dhe të përshtatin stimulimin individual të secilës prej tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë