Kombetarja

Elbasani në “shtetrrethim” për Shqipëri-Izrael

Është një ndeshje futbolli, por vështirë se atmosfera ngjan me një eveniment që presupozohet të jetë një festë sportive. Ashtu si edhe para dy vitesh, atmosfera e pragndeshjes mes Shqipërisë dhe Izraelit e vlefshme për kompeticionin Uefa Nations League, është e shoqëruar nën masa të rrepta sigurie dhe kontrolli. Angazhimi për këtë ndeshje futbolli nuk është i zakonshëm, pasi për të siguruar mbarëvajtjen e saj janë angazhuar një seri agjencish ligjzbatuese, duke filluar që nga policia e shtetit, por edhe shërbimet e inteligjencës.

Masat e sigurisë nga aeroporti në hotel dhe deri në stadium

Kur vjen kombëtarja e Izraelit në futboll masat ekstreme të sigurisë fillojnë që nga momenti kur skuadra zbarkon në aeroport. Ekipi izraelit në momentin kur ka zbritur në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” ka kaluar përmes një procedure ekstra për të shmangur çdo incident të mundshëm. Më pas udhëtimi nga aeroporti në hotel sërish nën masa të rrepta sigurie. Autobusi me futbollistët e Izraelit shoqërohej nga një eskortë e zgjeruar makinash policie, por edhe të forcave speciale. Në hotel “Plazza”, ku skuadra izraelite është akomoduar që prej dy ditësh, masat e sigurisë janë në nivelet më të larta. Janë bllokuar tre kate të hotelit dhe forca të shumta të Renea dhe Policisë së Shtetit monitorojnë vazhdimisht të gjithë hapësirën përreth. Madje siguria shkon deri aty, sa që i gjithë ambienti hotelit në qendër të Tiranës është i rrethuar me shirit ku nuk lejohet qarkullimi. Rrugëtimi i skuadrës izraelite gjatë pasdites së të enjtes drejt Elbasanit për të zhvilluar stërvitjen ka qenë i blinduar. Ekipi ka lëvizur me katër fugon, ndërsa autobusi ka qenë bosh. Forcat e policisë siguronin që mos të kishte makina të tjera pranë eskortës së fugon e dhe autobusit izraelit në një distancë prej të paktën 30 metra. Para mbërritjes së eskortës, në Elbasan gjithë qyteti ishte mbushur me forca të shumta policie që kishin zënë pozicione strategjike për ta mbajtur situatën gjatë gjithë kohës nën kontroll.

Stadiumi “Elbasan Arena” i kthyer në një bunker

“Elbasan Arena” ditën e premte ndoshta mund të jetë një nga vendet më të sigurt dhe të kontrolluara në Shqipëri. Sipas njoftimit zyrtar të policisë së Shtetit do të jenë 670 forca policore të angazhuara për këtë ndeshje futbolli. Ky është numri zyrtar edhe pse besohet se numri i efektivëve të rendit dhe atyre të agjencive speciale do të jetë shumë herë më i lartë. Efektivëve dhe agjentëve shqiptare në këto ditë iu janë bashkuar edhe ata izraelit që kanë ardhur për të shoqëruar ekipin kombëtar të vendit të tyre. Të gjitha godinat e larta përreth stadiumit “Elbasan Arena” janë kontrolluar gjatë dy ditëve të fundit imtësisht madje edhe me qen antieksploziv. Gjatë pasdites së të enjtes qentë anti ekspeloziv kanë kontrolluar të gjithë ambientet e jashtë dhe të brendshme të stadiumit në Elbasan. Të shtatë pikat e hyrjes në qytetin e Elbasanit janë duke monitoruar nga forca të policisë që prej mesditës së të enjtes. Policia ka njoftuar gjithashtu se qarkullimi me makina në Elbasan gjatë pasdites dhe mbrëmjes do të jetë i kufizuar.  Akset rrugore, nga degëzimi i Pedagogjikes deri në Unazë, nga rruga “Qemal Stafa”, te kryqëzimi i Tapeteve pranë stadiumit nga ish- konservimi deri tek Pedagogjikja dhe bulevardi “Aqif Pasha” deri tek “Dinamo” do të jenë të bllokuara, ka njoftuar Policia. Në dy pallatet më të lartë ngjitur me stadiumin “Elbasan Arena”do të ketë forca speciale të pajisur me snajper dhe dylbi.

Hyrja në stadium dhe risia e stjuartëve

Në bazë të ligjit për sportin i vitit 2017, në stadiumet shqiptare nuk lejohet qëndrimi i forcave të policisë gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv. Për herë të parë në një ndeshje të skuadrës kombëtare do të shohim që qetësia brenda në stadium do të ruhet nga policët privat edhe pse jashtë impiantit do të jetë një ushtri e vërtetë me “uniforma blu” dhe forca speciale. Megjithëse ligji thotë se Policia nuk lejohet të hyjë në stadium, nga burime të pakonfirmuara  mësohet se “uniformat blu” do të jenë brenda në “Elbasan Arena”, por në numër të kufizuar. Për të hyrë në stadium, Policia i ka njoftuar të gjithë tifozët se do duhet të paraqiten tre orë para fillimit të ndeshjes për të shmangur radhët për të hyrë. Gjatë gjithë kohës kur tifozët do të futen në “Elbasan Arena” do jenë të pranishëm qentë anti eksploziv. Për të hyrë në stadium tifozët do të kalojnë në fillim kontrollin policor, por dhe më pas të stjuartëve privat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë