Gazeta Si – Prokuroria e Durrësit ka ndryshuar akuzën për Hygerta Metën, e cila akuzohet se bashkë me vëllain e saj të madh ka vrarë dhe asgjësuar kufomën e babait të saj, Pëllumb Meta, ngjarje e ndodhur afro një vit më parë në Shën Vlash të Durrësit.
Procesi gjyqësor në ngarkim të tre fëmijëve Hygerta Meta, Hysen dhe Amarildo Meta u mbajt këtë të martë me dyer të mbyllura, ndërsa në sallë ishte i pranishëm vetëm Amarildo Meta, vëllai i vogël.
Organi akuzës, bën me dije se për 19-vjeçaren ka ndryshuar akuza nga: fshehja dhe asgjësimi i kufomës, në vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, duke rënduar kështu pozitën proceduriale vajzës dhe duke e dërguar në gjykim me një akuzë të re, për vrasje në bashkëpunim me vëllain e saj Hysen Meta “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Për shkak të mungesës në gjyq të Hysen dhe Hygerta Metës, dy fëmijëve të tjerë të viktimës, të tre të arrestuar për krimin, gjykata ka shtyrë procesin duke kërkuar praninë e tyre fizike, të detyruar në seancë, për të dhënë deklarimet e para.
Gjatë hetimeve, Hygerta Meta ka ndryshuar disa herë dëshminë e saj. Në fillim, ajo pranoi të ishte autorja e krimit, por më vonë përjashtoi veten nga përfshirja në vrasje, duke pranuar vetëm fshehjen dhe asgjësimin e trupit të pajetë.
Ndërkohë, Blerina Meta, bashkëshortja e viktimës, akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Në këtë çështje është përfshirë edhe Sajmon Bajramaj, pronari i automjetit të përdorur nga të pandehurit për fshehjen e provave.
Ai akuzohet për “mos kallëzim krimi”, pasi dyshohet se ka ndihmuar në largimin e makinës së viktimës në zonën e Sektor Rinia.
Sipas prokurorisë, motivet e krimit lidhen me konflikte të thella brenda familjes. Pas vrasjes, të pandehurit dyshohet se kanë bashkëpunuar për fshehjen e trupit dhe provave.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik për shkak të natyrës së saj tragjike dhe përfshirjes së gjithë familjes në këtë akt kriminal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.