Futboll

Ekzekutohet ish-sulmuesi, i njohur për përplasjen me Pistorius

E kanë qëlluar disa herë me pistoletë, teksa ndodhej në makinën e tij, afër shtëpisë, në periferi të Johanesburgut. Ka ndërruar jetë Mark Batchelor, ish-sulmuesi i kombëtares së Afrikës së Jugut, lojtar i Kaizer Chiefs dhe udhëheqësi i Orlando Pirates në fitimin e Champions League të Afrikës në vitin 1995.

Policia ka hapur menjëherë një hetim për vrasje dhe është në kërkim të dy personave që hapën zjarr nga një motoçikletë mbrëmjen e së hënës. Të paktën 7 plumba kanë shpuar xhamin e BMV-së së ish-futbollistit dhe i kanë marrë jetën atij. Zëdhënësi i policisë, Lungelo Dlamini, ka bërë të ditur se Batchelor është vrarë me armë zjarri dhe se ende janë të panjohura shkaqet e kësaj ngjarjeje. Nuk është vjedhur asgjë nga makina e ish-lojtarit dhe nuk është bërë i mundur ende identifikimi i të dyshuarve.

Ish-futbollisti Mark Batchelor, i vrarë me armë zjarri

Batchelor ka qenë vite më parë në qendër të kronikave në Afrikën e Jugut, pasi atleti paraolimpik Oskar Pistorius e kishte kërcënuar se do t’i thyente këmbët, pas disa deklaratave të ish-futbollistit në lidhje me raportin e shumë diskutuar të kampionit paraolimpik me femrat. Në atë kohë Pistorius ishte i ndaluar, pasi akuzohej për vrasjen e të dashurës së tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë