Ka ndodhur

Ekstradohet nga Gjermania 40-vjeçari, dyshohet se vrau ish-agjentin e antidrogës para 13 vjetësh

Florind Shabani, 40 vjeç është ekstraduar nga Gjermania si i përfshirë në një vrasje që ka ndodhur në vitin 2009 në qytetin e Elbasanit.

Shabani në datën 22 korrik të atij viti, në lagjen “Vullnetari”, në bashkëpunim me persona të tjerë dyshohet se ka vrarë me armë zjarri Roland Rexhepin.

Për këtë arsye Gjykata e Elbasanit, i ka caktuar në shtator të vitit 2021 masën e sigurimit personal “arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Roland Rexhepi njihej me pseudonimin "Doda" në Elbasan. Ai ka qenë ish-agjent i antidrogës dhe ish-shofer i drejtuesit të Policisë së Elbasanit, Edmond Koseni.

Roland Rexhepi, është kunati i motrës së Dritan Shemes, 32-vjeçarit që u vra më 19 tetor 2006 në lagjen “Don Bosko” në Tiranë.

Në 26 dhjetor 2005, Rexhepi u dyshua se kishte tentuar që të prishte vendngjarjen në vrasjen e Sokol Çapjes dhe kishte ndihmuar autorët të largoheshin nga Elbasani.

Dy vite më vonë atij iu vra vëllai, Ilir Rexhepi. Ky i fundit nuk mundi t’i mbijetonte plagëve pavarësisht se iu kundërpërgjigj autorit të cilin e plagosi. Po ashtu, “Doda” dyshohej se ishte informator i kapjes së armëve në Fier në Gusht të vitit 2006. 

Një analizë ADN-je që i është bërë Ismail Shabanit, babait të Florind Shabanit, ka qenë vendimtare për zbardhjen e vrasjes së Roland Rexhepit.

Florind Shabani, dyshohet se ka qenë në rolin e ndihmësit në këtë vrasje, ndërsa gjermanët kanë qenë ata që sollën sinjalet e para, duke ndihmuar prokurorinë shqiptare në faktimin me provë shkencore të pjesëmarrjes së tij në këtë vrasje.

Ai është arrestuar në Gjermani edhe për shitje droge dhe në vazhdën e procedurave, policia gjermane ka sjellë në Policinë e Shtetit, një kërkesë për analizimin e ADN-së së këtij personi.

Nga verifikimi i profilit të ADN-së i mbërritur nga Gjermania me profilet e ruajtura në laboratorin shkencor të policisë, del se i njëjti profil pështyme është gjendur në një maskë dhe bisht cigare, e sekuestruar nga Prokuroria e Elbasanit në ngjarjen e vrasjes së Roland Rexhepit në 29 korrik 2009.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë