Rend dhe Ligj

Rrezikohet ekstradimi i vrasësit të dyshuar të Nikulajt, Shqipëria s’ka marrëveshje me Marokun

Gazeta Si - Ekstradimi nga Maroku në Shqipëri i Ruben Saraivës, vrasësit të dyshuar të Ardian Nikulajt, i cili u arrestua një ditë më parë në Rabat, rrezikon të dështojë.

Kjo për shkak se mes dy vendeve nuk ka një marrëveshjeve ekstradimi për shtetasit e shpallur në kërkim për vepra penale.

Në fakt, autoritetet përkatëse në të kaluarën kanë përdorur në disa raste parimin e reciprocitetit të ndërsjelltë.

Kjo do të thotë se ekziston mundësia që Saraiva të shkëmbehet me ndonjë person të shpallur në kërkim nga autoritetet marokene dhe që mund të jetë ndaluar në Shqipëri.

LEXO EDHE:
- Arrestohet në Marok portugezi i dyshuar si vrasës i Ardian Nikulajt
- Foto, birra dhe bilardo në hotel para vrasjes së Nikulajt. Lëvizjet e britanikëve, kur erdhën dhe ku u strehuan
- Vrasja e Ardian Nikulajt, Britania refuzon Shqipërinë për arrestimin e njërit prej të akuzuarve

Ruben Saraiva ka disa anëtarë të familjes së tij në Marok dhe kjo është arsyeja që ka shkuar në atë shtet pas atentatit në Shëngjin.

Pas arrestimit, Maroku kërkoi informacion nga autoritetet shqiptare lidhur me Ruben Saraivën, vrasësin e dyshuar të biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin.

Burime paraprake, shprehen se portugezi 28-vjeçar, ka udhëtuar nga Greqia drejt Marokut, ku edhe u arrestua.

Mësohet se autoritetet marokene, kanë dërguar një mesazh të hënën drejtuar Interpol Tiranës, me përmbajtje: “Lidhur me shtetasin Ruben Saraiva, i cili kërkohet nga ju për vrasje, a është kërkimi i vlefshëm? Nëse po, ju lutem na vini në dispozicion praktikën. Ai është arrestuar nga ne dhe po mbahet në paraburgim”.

Praktikisht ky është edhe mesazhi që informon palën shqiptare për arrestimin e të shumëkërkuarit dhe njëherësh kërkon të dhëna për rrethanat e çështjes dhe argumentat mbi veprat penale për të cilat akuzohet nga Shqipëria.

Javën e shkuar, policia britanike arrestoi katër të dyshuarit e tjerë në Londër, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj.

Ata janë Edmond Haxhia, Stephen Hunt, Thomas Mithan dhe Harriet Bridgeman, ndërsa Harry Simpson është ende në arrati. 

Policia thotë se organizator i vrasjes së Nikulajt ishte shqiptari Haxhia, ndërsa 4 britanikët, së bashku me Simson që vijon të jetë në kërkim, kishin rolin e vëzhguesve. Sa i përket Saraivës, ai ishte personi që e qëlloi atë për vdekje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë