Ekspozite

Ekspozitë e Petraq Papës/ “Acta Urbana” sjell imazhet e pullave dhe kartëmonedhave

foto e ekspozites

Nga Gazeta Si - Veprat e përzgjedhura ndër vite në fushën e filatelisë, numizmatikës dhe bankënotave, artisti Petraq Papa i shpalos në galerinë “Fab” përmes ekspozitës “Acta Urbana”.

Petraq Papa

Prej disa vitesh dizajni i pullave të postës dhe monedhave e kartëmonedhave mbajnë firmën e artistit të njohur Petraq Papa. Një pjesë e krijimeve më të rëndësishme, si vizita e Papa Franceskut në Shqipëri, shenjtërimi i Nënë Terezës apo portretet dhe realizimet e disa prej personaliteteve më me ndikim në vend, vijnë edhe në ekspozitën personale “Acta Urbana” në galerinë FAB.

Ekspozita e kuruar nga profesoreshë Najada Hamza vjen e ndarë në tri seksione dhe ka si qëllim njohjen e publikut e sidomos studentëve me filatelinë.

“Ideja e kësaj ekspozite ka lindur jo tani, vite më përpara por le të themi për shkak të pandemisë, u ndërpre.

Më në fund arritëm në një konkluzion bashkë me kuratoren Najada Hamza. Ajo duke parë punimet e mia dhe duke e ndjekur krijimtarinë time prej vitesh vendosi që të jetë kuratorja ime, madje dhe titulli i ekspozitës është një decizion i kuratores”, shprehet artisti Petraq Papa për Gazetën “Si”.

Artisti i ka përmbledhur punimet e tij nën titullin “Acta Urbana”, pasi prej vitesh merret me dizenjimin e letrës.

“Acta Urbana’ në latinisht do të thotë letër, pra gjithçka që ka të bëjë me letrën, jo prodhimin e letrës, por është fjala që jam marrë me letrën në kuptimin e dizenjimit të tyre, krijimit të pullave, kartëmonedhave dhe monedhave numizmatike”, vijon artisti Papa.

Ekspozita është e shpërndarë në tri dhoma. Dhoma e filatelisë është e para me 90 fije në origjinal. Pastaj janë dy dhomëzat anësore me monedha dhe kartëmonedha.

Tematikat janë të larmishme, nga ngjarjet historike, thesare të trashëgimisë kulturore apo personalitete të vendit.

“Salla qendrore ka të bëjë me filatelinë ku është përqindja më e madhe e punimeve dhe pastaj në dy dhomëza anësore, ku në njërën janë monedha dhe kartëmonedha në origjinal dhe në krahun tjetër janë monedhat dhe kartëmonedhat, por kësaj here me teknologjinë e hologramit, që vijnë si një risi në galerinë FAB”, vijon artisti. Mes kartëmonedhave e pullave të postës ka edhe nga ato që nuk janë shpallur fituese, megjithatë ai i trajton të gjitha si vepra të mirëfillta arti.

Artisti e cilëson si një ekspozitë të vecantë për faktin se nuk jemi hasur më përpara me të tilla ekspozita dhe pse jo e konsideron edhe si një nxitje për studentët.

“Është një ekspozitë e veçantë, pasi nuk është bërë më përpara. Në këtë galeri ne jemi mësuar të shohim ekspozita të ndryshme: me pikturë, instalacion, vizatime, por të tipit të tillë nuk ishte bërë më përpara, kjo besoj i rrit ndoshta edhe vlerën sepse kemi të bëjmë dhe me njëlloj didaktike që duam tua mësojmë studentëve”, shprehet artisti Papa.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri në 20 qershor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë