Ekspozite

Ekspozita/ Pse Ismail Lulani ishte një “doktor” i shpirtrave

... Një ekspo shpirti nga një artist, DOKTOR... i shpirtrave, shëroi vjeshtën, shëroi dimrin, ngrohu artin shqiptar nga acari i ngurtë i socializmit..., Kështu shkruan kuratori Helidon Haliti për ekspozitën e Ismail Lulanit të çelur në Muzeun Historik Kombëtar.

Pas shumë vitesh mungesë, artdashësit do të mund të shohin veprat e piktorit Ismail Lulani, atë që ngriti në kult artin, dhe gdhendi një mbiemër të madh, “Lulanët Muze”.  

Kjo ekspozitë ka nisur si projekt në mendjen e kuratorit Helidon Haliti në bashkëpunim me të bijën e tij, piktoren Ormira Lulani më shumë se 10 vjet më parë.  

“Ismail Lulani Muze është një projekt që unë dhe Ormira kemi mbi 10 vjet që e planifikojmë dhe e strukturojmë. Unë kur thërras me emër thërras Lulanët, për arsye se brenda Ismail Lulanit ka një dimension të gjerë artisti”, thotë Haliti, ndërsa shton se “Lulani është diplomuar për ndihmësmjek, e ushtroi këtë profesion për disa vite, dhe më pas nuk e gjeti veten atje dhe filloi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura dhe u mor vetëm me pikturë, pra vendosi të shërojë shpirtrat”.

Pjesë e ekspozitës është edhe katalogu që është i ndarë në disa gjini.

“Sapo kemi në duart tona katalogun, i cili është i ndarë në disa gjini, pra është e përfshirë edhe diploma e Ismail Lulanit, e cila vjen nga Akademia e Arteve, një diplomë e përmasave jo të zakonshme, 2 metër e gjysmë me 2 metër e gjysmë, dhe të gjitha vizatimet si për të thënë që ky është fillimi, por ky është dhe vazhdimi i gjenialitetit të vizatimit të Lulanit”, shprehet kuratori Helidon Haliti për Gazetën “Si”.

Gjatë karrierës së tij, më së shumti ai ka pikturuar familjarët e tij, ku ka pasqyruar rrugëtimin e tyre edhe në piktura që përcjellin dramacitet.

“Ai pikturon kryesisht vajzën e tij që në vegjëli, deri në momentet e fundit, ai pikturon prindërit e tij, bashkëshorten. Ai pikturon largimin në emigrim të djalit të tij, e cila është një pikturë me goxha dramacitet”.

Piktorja Ormira Lulani e emocionuar për rikthimin e të atit përmes veprës në këtë ekspozitë nënvizon forcën e jashtëzakonshme të artit që i bën artistët të pavdekshëm, duke lënë pas një thesar të çmuar.

“Në çdo cep të ekspozitës shikohet shpirti i Lulanit. Unë thjesht besoj fort në fuqinë e artit dhe duke besuar në fuqinë e artit besoj shumë edhe në pavdekësinë e artistit. Dhe mendoj që im atë, shpirti i tij ndodhet këtu bashkë me ju sot”, shprehet ajo.

I gjendur në dilemën e madhe i të qenit kurator i një prej piktorëve më në zë shqiptar, atij i është dashur të analizojë gjithë veprën e tij.

“Kam zbuluar se piktori Ismail Lulani ka mbajtur çdo shënim për pikturat e tij, pra, piktori është jashtëzakonisht i qartë me atë që ai do të shprehë. Kështu që në katalog, teksti është si një rrëfim për Lulanin apo një trashëgimi që ai ua lë brezave, këtu është edhe risia e tij. Për të shkuar pastaj tek analiza, që ai i bën dimrit, është një nga piktorët më të jashtëzakonshëm në mënyrën se si ai pikturon dimrin”, vijon kuratori.

Shumëllojshmëria e punëve dhe trajtesa e objekteve dhe subjekteve të veprës e veçojnë Ismail Lulanin nga të tjerët.

“Një vend shumë të rëndësishëm zënë vizatimet e tij që në këtë ekspozitë shtjellohen me shumë detaje, duke nisur nga vizatimet etyde, vizatimet bocete, me qindra vizatime, të cilat ai i ka bërë para se të bëjë veprat e mëdha. Pra në këtë ekspozitë shijojmë një Lulan në formën muzeale të tij, po kryesisht atë të boceteve, të vizatimeve, për të shkuar pastaj te piktura më përfaqësuese e tij që është dimri, vjeshta etj”, thotë Haliti.

Dëshira e kuratorit është që me këtë ekspozitë “t’i lejojmë publikut të zbulojë një vizatues gjenial, por padyshim të mbajë një dilemë brenda vetes a ta zbulojë më pas pikturën e tij?”

Duke i ftuar njerëzit që të shkojnë e të enden në botën e Lulanit, ai përfundon duke thënë se “është një nga ekspozitat më atraktive që mundet të jetë bërë në 30 vitet e fundit dhe këtë e theksoj sepse Ismail Lulani nuk arriti të ezaurohet. Ai u largua nga jeta në kulmin e karrierës së tij. Pas 90-s ai operoi me më guxim...”

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun kryeqytetas  për një javë, për të shtegtuar më pas në Shkodër e Mal të Zi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë