Ekspozite

Ekspozita – Kur arti bëhet forcë vajzash në Ballkan 

Foto nga ekspozita "Balkan Girl Power" në COD.

Artin dhe gjithë ç’del prej nënvetëdijes, ato e përdorin për të folur në një gjuhë tjetër, atë vizuale. Kështu thotë artistja Lala Meredith Vula në çelje të ekspozitës “Balkan Girl Power”, e çelur mbrëmjen e 11 shkurtit në mjediset e COD. Fuqia e Vajzave të Ballkanit është një iniciativë që bën bashkë vajza nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, të cilat ndajnë perspektivat e tyre, përmes fotografisë. Përditshmëria , zhvillimi, problematikat dhe figura femërore vijnë përmes lenteve të artisteve të reja, në një ekspozitë të kuruar nga artistja shqiptaro-angleze  Meredith Vula.

Artistja nga Kosova, Lala Meredith Vula

“Dua ta mbaj fokusin tek të rinjtë që kanë vendosur të gjithë përpjekjen e tyre në këtë projekt fantastik”, do të shprehej kuratorja , ndërsa artistet e reja, përmes fotografisë sjellin mesazhe fuqizuese për vajzat dhe gratë, duke sjellë kontrastin mes grave dhe vajzave të mbuluara dhe atyre që luftojnë dhe ngrenë zërin për të drejtat e tyre. Përmes fotove vjen e denoncuar edhe dhuna e ushtruar ndaj vajzave dhe grave, stigmatizimi apo shfrytëzimi i tyre, po ashtu edhe rrëzimi i miteve të rreme të bukurisë apo të stereotipave gjinorë.  Por nuk mungojnë edhe peizazhet e qeta me atmosferë ballkanase. Kjo ekspozitë dhe kjo nismë vjen në një kohë kur dhuna ndaj vajzave dhe grave në rajonin e Ballkanit Perëndimor e veçanërisht në Shqipëri e Kosovë, është e lartë.

Foto nga ekspozita “Balkan Girl Power” në COD.

Foto nga ekspozita “Balkan Girl Power” në COD.

Ky projekt u siguron mundësi dhjetëra vajzave nga pesë shtetet ballkanike që të njohin njëra-tjetrën dhe të zhvillojnë përmes fotografisë, një vizon të përbashkët të vendeve të tyre,  por edhe të shoqërive ballkanase ku gratë dhe vajzat luajnë rol aktiv, bashkë me burrat dhe djemtë, në përparimin e vendeve drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Foto nga ekspozita “Balkan Girl Power” në COD.
Foto nga ekspozita “Balkan Girl Power” në COD.
Foto nga ekspozita “Balkan Girl Power” në COD.

Kjo nismë, synon gjithashtu të ngrejë një rrjet informal me të paktën njëqind vajza nga pesë shtete ballkanike që ndajnë domethënien, perspektivat dhe ëndrrat e vendeve të tyre, por edhe të gjithë rajonit për të ardhmen në Europë. Gjithashtu synon t’i pajisë këto vajza me aftësi dhe mjete krijuese për të menduar në mënyrë kritike rreth rolit të tyre në shoqëri  dhe në formësimin e së ardhmes së vendeve të tyre.

Foto nga ekspozita “Balkan Girl Power” në COD.

Platforma  “Balkan Girl Power” i ndihmon vajzat të postojnë fotografitë dhe të ndërveprojnë me njëra-tjetrën dhe bën të mundur diskutime dhe u siguron një udhëheqje  nga fotografja e njohur Lala Meredith Vula, e cila përzgjodhi rreth 68 fotografi, si më të mirat për t’i shfaqur në ekspozitën  “Balkan Girl Power” në mjediset e COD, në godinën e kryeministrisë, në Tiranë.  Të tjerë mentorë të projektit janë fotografë si Blerta Kambo, Fjolla Besimi, Maja Đurić, Marija Djokovic, Tamara Zidar dhe Tomislav Georgiev.

Foto nga ekspozita “Balkan Girl Power” në COD.

Paraditen e 12 shkurtit, Lala Meredith Vula,  profesore e artit dhe e fotografisë në Universitetin “De Montfort”, në Britani, organizoi një masterklasë me temën “Të qenit një vajzë në Ballkanin Perëndimor”. Vetë Meredith Vula është artiste, e cila megjithëse jeton dhe punon në Angli, mishëron Ballkanin. Ajo u lind në Sarajevë më 1966-ën, me një baba shqiptar dhe nënë britanike. Lala u transferua në Britani në vitet ’70, ku më pas studioi Arte në Kolegjin Goldsmiths, në Universitetin  e Londrës.

Foto nga ekspozita “Balkan Girl Power” në COD.

Më 1988-ën, ajo vendosi të linte Londrën për periferinë shqiptare,  me një dëshirë për të rihyrë në kontakt me atdheun e saj. Periudhë kur  do të ndiqte studimet Master  në Universitetin  e Prishtinës. Një nga objektet e çuditshme në fokusin e fotografisë së saj kanë qenë mullarët e barit, të cilët nuk ka reshtur së fotografuari edhe pas tre dekadave. E para ekspozitë e saj ishte më 1988-ën ,në Londër dhe ka përfaqësuar Shqipërinë në Bienalen e Venecias më 1999-ën. Fotografitë e saj janë ekspozuar brenda dhe jashtë Kosovës, si në Angli, Gjermani dhe Itali dhe vende të tjera të Europës .

Foto nga ekspozita “Balkan Girl Power” në COD.
Në qendër – Lala Meredith Vula

Ajo ka qenë pjesë e ekspozitës “Documenta 14” në Athinë dhe Kasel  më 2017-ën me serinë “Kujtime Gjaku” dhe “Mullarë bari”. Ekspozita e saj e fundit solo “urtësia sot dhe përgjithnjë” , e kuruar nga Monika Szewczyk  u shfaq edhe në Muzeun Marubi në Shkodër, ndërsa së fundi krijimet e saj janë shfaqur në Çikago. Roli i  Meredith Vulës si dëshmitare u transformua, më 1990-ën, ajo mësoi rreth pajtimeve të gjakut, aty ku fotografonte mullarët e bareve. Duke lënë përkohësisht magjepsjen e saj me skulpturat rurale, ajo e ktheu lenten drejt qindra njerëzve që vuanin pasojat e gjakmarrjes.

Foto nga ekspozita “Balkan Girl Power” në COD.

Ekspozita “Balkan Girl Power” që e sjell Meredith Vulën  kësaj here në rolin e kuratores, do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 28 shkurt.

 

Më Shumë