Frieze - Ekspozita e rëndësishme e artistes meksikane Frida Kahlo në Galerinë Kombëtare të Hungarisë është goditur nga një gazetë pro- qeveritare, e ekstremit të djathtë se “po promovon komunizmin”. Akuzat vijnë sëbashku me një riformësim të politikave kulturore të vendit, si rezultat i fitores së kryeministrit Viktor Orban, në zgjedhjet e këtij viti.
Artikulli, i botuar më 14 korrik nga gazeta ‘Magyar Idők’, titullohej: “Kjo është mënyra sesi promovohet komunizmi duke përdorur paratë e shtetit.” Duke komentuar ekspozitën e Kahlos, artikulli i referohej romancës së artistes me Leon Trockin: “Nuk do e besoni, por Trocki u shfaq sërish në Budapest, këtë herë nga shtrati i Frida Kahlos.” Në të shkuarën, gazeta ka veçuar edhe muzikalin e Billy Elliot si promovues të propagandës homoseksuale – Opera e Shtetit anuloi performancën e tretë në korrik, duke cituar rënie të interesit pas recensioneve.
Kahlo ishte anëtare, për një kohë të gjatë, e Partisë Komuniste dhe thuhet se e kishte dekoruar shtratin me imazhe të Marksit dhe Maos. “Ndihem e paqetë me pikturën time.” , shkruante artistja në vitin 1951. “Mbi të gjitha dua ta shndërroj në diçka të dobishme për lëvizjen revolucionare komuniste, duke qenë se deri tani vetëm kam pikturuar portretin e sinqertë të vetes.”
Fidesz, partia në qeverisje, e mori pushtetin me politika anti-emigrante dhe shumë nacionaliste, nën flamurin e “Hungaria e fortë”. Mbështetësit e Orban-it kanë mbrojtur idenë që artet në Hungari të pasqyrojnë vlerat konservatore të qeverisë së djathtë dhe jo atë çka mbajnë si tendenca liberale dhe majtiste të artistëve. “Një epokë përkufizohet nga prirjet kulturore, bindjet kolektive dhe zakonet shoqërore. Kjo është detyra me të cilën po përballemi tani: duhet të ngulisim sistemin politik në epokën kulturore,” ka thënë në një fjalim të muajit të kaluar, kryeministri Orban.
Dy politikanë nga Partia e Gjelbër Gjermane kanë hedhur një fushatë peticioni për lirinë kulturore, kundër presionit në rritje prej së Djathtës Ekstreme në Europë. Ata kanë kritikuar qeverinë hungareze të Orbanit se e mbështet artin vetëm kur është “ideologjikisht besnik” dhe kanë shkruar: “ Arti është i lirë, nuk duhet t’i bëjë qejfin askujt dhe as duhet të jetë në shërbim të askujt.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.