Ekspozite

Artistja kosovare – Ku është kufiri? Këtu, atje apo më atje?

Flaka Haliti në Galerinë Kombëtare të Arteve. Foto: Gerta Xhaferaj

Suadela Balliu - Një perde e tejdukshme në hyrje të sallës së ekspozitave të përkohshme në  Galerinë Kombëtare të Arteve, e shkrirë mes nuancave të blusë dhe vjollcës e bën vizitorin të ndalet, të mendojë një hop e më pas t’i shmanget, duke gjetur shtigje të tjera kalimi. Është kjo barriera e parë në ekspozitën e artistes Flaka Haliti, e para vetjake që ajo çel në Shqipëri. “Është një lloj komoditeti vetëkritik; të kesh mundësinë të rrish e të bësh vetëkritikën në skenën e artit apo në fusha të tjera”, rrëfen artistja ndërsa bën një shëtitje  në veprat që ka sjellë për publikun shqiptar, punë të pesë viteve të fundit. E titulluar “Këtu – apo atje, është më atje”, ekspozita e çelur më 7 shtator në Tiranë, sugjeron skepticizmin e përgjithshëm të artistes ndaj përkufizimeve të ngurta mbi hapësirën.Dy blloqe të mëdha betoni, që evokojnë rrethimet e ndërtesave të NATO-s në Kosovë, bëhen kështu barriera e dytë, të cilën vizitori e kalon shpejt për t’u hedhur në vepra të tjera.

"Hang over", pjesë nga ekspozita e Flaka Halitit në GKA

Janë flamuj të bardhë me vizatime gati lojcake, të kohëve fëmijërisë  apo të ngjashme me gdhendjen  primitive të shpellave,  që zënë një hapësirë të madhe të sallës, që “duket sikur na bëjnë udhë apo na ngacmojnë për t’u afruar në këtë qoshe apo duke na drejtuar lart  dhe,  ky robot në qendër...” , shpjegon kuratorja e ekspozitës Leonie Radine, ndërsa ndalet tek një robot i lyer në të gjelbër, i ndërtuar siç shton artistja vetë, nga mbetjet e kampeve ushtarake të NATO-s në Kosovë.

I rehatuar në gjendje të ulur, ky objekt, sipas kuratores Radine, vjen si mishërim i diçkaje mes një engjëlli të historisë dhe një lajmëtari me inteligjencë artificiale nga e ardhmja. E quan një lloj skulpture fantazmë Flaka Haliti, ndërsa materialet për ta ndërtuar i ka blerë në tregjet e sajuara që shisnin skrapin e mbetur prej kampeve të NATO-s, që dikur numëronte rreth 50 mijë trupa në Kosovë.Objekte të përndjekura nga e shkuara, për këtë i referohet si shpirtra dhe roboti i saj, tanimë pjesë e një serie në proces, është një prej atyre shpirtrave i ngecur mes së shkuarës, të tashmes dhe së ardhmes... “Një robot dembel, i ulur atje, duke reflektuar statusquo-në”.

Roboti i realizuar me mbetet e kampeve të NATO-s 

Ishte shtatëmbëdhjetë vjeç në kohën e luftës në Kosovë dhe ende nuk kishte nisur rrugën e artit. Më vonë do të largohej  për të studiuar në Gjermani. Siç ka thënë edhe më herët, Haliti nuk i përdor kujtimet e Kosovës, siç bëjnë shumë artistë, për t’u përballur me traumat. Arti saj vjen në kuptimin e pasluftës. “Pasojat e luftës kanë shumë elementë që janë pjesë e imja. Unë reagoj me situatën aktuale.”Sipas kuratores Leonie Radine, Flaka Haliti e gjendur mes Munihut ku jeton, Vjenës ku po kryen studimet e doktoratës dhe Prishtinës si vendlindja e saj, e ka bërë të fokusohet në çështjet emigracionit, politikat nacionale dhe trans-nacionale dhe dikotominë mes Lindjes dhe Perëndimit. Në këtë ekspozitë, Flaka Haliti sjell punë, që në mënyrë të vazhdueshme i kapërcejnë  kufijtë fizikë dhe mendorë.

Kundruesi në shëtitjen e tij në sallën e madhe të Galerisë Kombëtare të Arteve,  përballet me retë-si-fytyra. Të  vizatuara  në teknikën e photoshop-it, retë marrin animohen duke u kthyer subjekte, që jo vetëm shihen, por edhe shohin. Vijnë nga seria e punëve të titulluara  “Unë po shoh një fytyrë, a po e sheh edhe ti një fytyrë.”Ajo çka vihet re është mungesa e pikëpyetjes në fund të fjalisë. Autorja që e bën pyetjen nuk ka nevojë për konfirmim. Ka bindjen e brendshme se,  edhe kundruesi sheh atë çka sheh ajo.“Është një refleksion, një projektim”, shton artistja, ndërsa secilës fytyrë, edhe pse të punuara me të njëjtën teknologji,  është përpjekur t’u japë karakter unik. Disa vija janë më të trasha, disa më të holla. “Me këtë përpiqem të jap një motiv resë dhe ndërkohë luaj me idenë, se vija po përkufizon karakterin e saj. Në këtë kuptim, fytyrat mbajnë një histori të ndryshme – disa fytyra janë inteligjente, disa budallaqe, disa qesharake dhe disa nuk kanë gjini.”

Artstja Flaka Haliti dhe kuratorja Leonie Radine në ekspozitën në Tiranë. 

“Pse në natyrë shohim fytyra njerëzish, a jemi  egocentrikë apo empatikë?  Mbase janë të dyja”, shpjegon Leonie Radine, kuratorja e ekspozitës në Tiranë. Më herët Haliti e ka paraqitur këtë seri punimesh në dy ekspozita, në Kunsthalle Lingen dhe më vonë në Kunsthaus Hamburg. Qielli, e kaltra duken motive qendrore në punën e Halitit. “Qielli është mundësi e pafundme, vjen si ngjyrë, si  metaforë e  hapjes së kufijve”, përgjigjet Flaka, ndërsa kujton se edhe pavijoni i Kosovës, në Bienalen e Venecias më 2014 –ën, i përfaqësuar nga artisja me instalacionin “Spekulim në të kaltrën”  solli konceptin e kufijve dhe blunë e utopisë së pakufi.“Në punën time hyn vazhdimisht spekulimi i vazhdueshëm me ngjyrën, edhe në histori siç është përdorur e kaltra në të kaluarën me Horizont i kaltër, ngjyrat e Bashkimit Europian, etj.

Megjithëse një artiste nga Kosova bëhet ekzotike dhe temat e saj komentohen të lidhura ngushtë me tematikën e Kosovës, Haliti rrëfen se puna e saj nuk nis e mbaron me shtetin prej nga vjen. Ajo është e shqetësuar me emigracionin dhe nacionalizmin që po rritet në Europë, kufijtë janëpaspecifikuar dhe abstraktë për të treguar universialitetin e këtyre strukturave ndarëse.Me ngjarjet e fundit politike në zonën e Shengenit, vepra  e Halitit ka lëvizur estetikisht ndërsa ajo përpiqet të zhvendosë pyetjen e origjinës, rrënjëve, vendeve të përkatësisë dhe humbjes së posedimit. “Vepra ime është transgresuese, në një farë mënyre, trans-nacionale, pakufi dhe estetikisht, shumica e punëve të mia, mundohen ta humbasin burimin nga niset historia” – thotë, ndërsa i referohet robotit, që megjithëse është i krijuar me pjesë të mbetjeve të luftës dhe për pasojë të së shkuarës, është aq futurist dhe lajmëron të ardhmen, pa pasur origjinë të caktuar.

Pjesë nga ekspozita e Flaka Halitit "Këtu apo atje? Është më atje"

“Vepra ime e hap mundësinë e interpretimit dhe duke bërë atë gjest, të hapjes, hapen edhe të tjerë horizonte për atë vend origjine dhe të tjera mundësi interpretimi, vështrimi dhe të tjera mundësi për të ardhmen.” Ajo çka ka shprehur shpesh është çlirimi i vetes nga lentet që e ngushtojnë punën e saj përmes ekzotizmit të prejardhjes. Ajo pret që vepra e saj të hapë një lexim globalisht më gjithëpërfshirës.

“Qielli është mundësi e pafundme, vjen si ngjyrë, si metaforë e hapjes së kufijve”

\

Në krijimtarinë e saj, pak rëndësi ka vendi i origjinës, pas artisti, si një profet i së ardhmes, është gjithnjë në kërkim të shtyrjes së kufijve, ta hapë sa më shumë botën, të  gjejë perspektiva  të ndryshme, përtej pritshmërisë dhe paragjykimeve dhe kornizave që mundohen t’i shohin dhe bëjnë gjërat më të vogla seç janë vërtet. “Unë nuk merrem vetëm me kufijtë e territorit, por edhe ata mendorë dhe çdo lloj  kufiri tjetër të të menduarit.”Megjithatë, një prej vijëzimeve mbi retë – fytyra të lë përshtypjen se ngjan me hartën e Kosovës, por  Haliti qesh dhe thotë  “shkove shumë larg me imagjinatën, nuk e kam menduar të tillë”. Kufijtë e saj në këtë ekspozitë vijnë në një kohë kur narrativa politike e vendit të saj dhe Serbisë kanë sërish  në qendër ndarjen e kufijve, të mbetur ende të paqartë, edhe pas 10 viteve pavarësi.

"Spekulim në të kaltrën", instalacion i Halitit në Bienalen e Venecias, 2014. 

Haliti nuk ka frikë të bëjë deklarata të  guximshme me artin e saj.  Por e bën përmes vizatimeve që duken si naive, duke u distancuar në një mënyrë nga kumti që përçojnë krijimet e saj.  “Është një lloj strategjie”, thotë Flaka, “për të bërë një farë shmangieje të idesë. Zakonisht mund ta bësh përmes estetikës, naivitetit, që me qëllim e përdor në disa prej tyre. Kjo shmangie krijon një farë perdeje, patejdukshmërie”.Në këtë mënyrë, thotë, vjen e drejta për të mos u kuptuar, por për t’u përfaqësuar. E di se vepra e saj artistike është eklektike dhe estetike.” Ndonjëherë është e vështirë të përkufizohet, kështu që mendoj se varet nga njerëzit që të jenë të hapur për të”, kështu do e shpjegonte në një intervistë Haliti, sesi perceptohet vepra e saj nga publiku, e sidomos ai i vendit të saj, Kosovës.

“Unë nuk merrem vetëm me kufijtë e territorit, por edhe ata mendorë dhe çdo lloj kufiri tjetër të të menduarit.”

Flaka Haliti

Në katin e dytë të Galerisë janë vendosur disa punime të serisë “A je ti Joe”, alteregoja artistike e autores, përmes të cilit përçon idetë e saj. Fytyra prej sfungjeri të kamufluara në sfond mermeri. Këto asamble i ka nisur më 2015 –ën, me idenë e veprave të vogla që prodhohen në seri, Kjo vepër paraqet një sistem më të gjerë, duke nisur nga tregu, te pritshmëria e kuratorëve, institucioneve të shtypit dhe të gjithë aktorët në sistemin e artit. “Artisti ka rolin për të ndrequr pritshmërinë dhe sfondin e historisë që vijnë përmes mermerit” , shpjegon kuratorja Radine,  ndërsa shton se individi, i paraqitur me fytyrat e sfungjerta përthith informacion, ndikim, përjetim të mësuar nga shkolla, ekspozita, udhëtime në votë.

E vjella - pjesë ngaseria "Is it you Joe"

“Ti absorbon, je një trup poroz dhe informacionet kalojnë hyjnë e dalin,por edhe mermeri edhe se duket solid si material e merr bukurinë nga substancat që kalojnë përmes materialit dhe krijojnë këto modele shumëngjyrëshe”, shton Radine. Joe vjen edhe përmes një skulpture abstrakte, krijuar prej tubash metalikë, ngjyer me të kaltër dhe sfumaturë të bardhë që u ngjason reve dhe qiellit, ndërsa pas objektit abstrakt duken dy gishta të kryqëzuara, ngjyer me të gjelbër. “Gishta të zhytur në bojë të gabuar, në përpjekje për t’u kamufluar, por ngjyra bie dhe zbulohet dredhia”, shpjegon kuratorja, ndërsa i afrohet një vepre tjetër në neon ku shkruhet “I see that you have seen that i have seen.

Barrierat, vepër e Flaka Halitit. 

”Është hera e parë që e ekspozon, shton kuratorja, ndërsa flet më shumë rreth konceptit të shohësh dhe të shihesh, si një transferim i pushtetit, në epokën dixhitale dhe atë ët informacionit. Haliti luan me dimensionet dhe sendet, të cilat nga perspektiva të ndryshme shfaqin kuptime të ndryshme.Një vepër e kësaj serie, e bërë me mermer të marrë në Tiranë, titullohet “Buxhet i ulët” ku shfaqen vetëm dy sy të zmadhuar që shohin në habi ose kureshtje.

Për Halitin, kufijtë mendorë janë më të fortë se ata  fizikë. “Përfundimisht shumica e kufijve janë imagjinarë’  i bëjmë më të mëdhenj sesa janë. Nëse provojmë t’i sfidojmë atëherë shohim mundësi të reja”- thotë Flaka. Për muret mbrojtëse që u ngjasojnë rrethimeve të godinave të NATO-s në Kosovë ka përdorur dru dhe i ka lyer me bojë që të ngjajnë si beton, për të përcjellë mesazhin se kufijtë në fakt nuk janë të ngurtë, madje janë të thyeshëm.

Flamujt e bardhë janë të tejpashëm dhe të papeshë, të cilat mund të shpërngulen lehtë nga një hapësirë në një tjetër të ekspozitë, ndërsa ngjyra e gjelbër e robotit, që artistja thotë se i ngjan së gjelbrës së ekraneve me djegie, përcjell idenë se mbi të mund të projektosh çfarë të duash, pa pasur pengesa që duhen kapërcyer. Duke i zhvendosur format e zakonshme, apo duke animuar kujtime  që vijnë nga kontekste të veçanta politike dhe nga sfera të ndryshme të botës mondane të konsumit, ajo ofron lexime alternative të imazheve, objekteve dhe materialeve ekzistuese. Këto kompozime, të reja dhe ende të papërcaktuara, shpalosin marrëdhënie dhe ndërvarësi të pazakonta mes komponentëve të tyre heterogjenë. I komentuar shumë si i  angazhuar politikisht, a duket e pashmangshme që arti të ballafaqohet me politikën?  “Në art, ashtu si kjo perdja të jep mundësinë e të parit, edhe artistët kanë komoditetin më të madh për të thënë atë që të tjerët nuk mund ta artikulojnë, përmes formave të ndryshme dhe abstraksionit.”

Për Halitin, arti politik duhet parë në mënyrë më të hapur. “Çdo vepër e ka një lloj politike, një lloj deklarate, pastaj varet sesa i qartë do të jetë ai zë politik.”Thotë se e frustron ideja që krijimtaria e saj artistike,vazhdon të lidhet ngushtësisht me çështjet e Kosovës.“Pretendoj t’i thyej barrierat. Më frustron kur duan ta paketojnë punën vetëm në një dimension. “Meqë vjen nga Kosova, po merret vetëm me Kosovën. Në këtë ekspozitë veç robotit që e kam realizuar me mbetjet e materialeve nga kampet e NATO-s si edhe këto mure-barriera, të tjerat janë universale dhe lidhen me drejtime të tjera.”

Pamje nga afër e robotit- vepër e Flaka Halitit. 

Megjithëse artistikisht është hera e parë e saj në Shqipëri, përmes kësaj ekspozite e cila do të qëndrojë e hapur deri në muajin nëntor, dhe siç shpjegon drejtori i GKA-së, Erzen Shkololli do të ketë të tjerë aktivitete e bashkëbisedime mbi ekspozitën e Halitit gjatë muajve që do të qëndrojë në Tiranë, Haliti rrëfen se e ka ndjekur punën e disa artistëve shqiptarë, jo vetëm në Bienalen e Venecias, por edhe përtej si ekspozitat e Anri Salës apo punën e Adrian Pacit.  “Është mirë që tani skena e Kosovës dhe e Shqipërisë po shkrihen, për t’i bashkuar forcat, në një farë mënyre”.

“Përfundimisht shumica e kufijve janë imagjinarë’ i bëjmë më të mëdhenj sesa janë. Nëse provojmë t’i sfidojmë atëherë shohim mundësi të reja

Flaka Haliti

Përmes estetikës dhe kumtit, Flaka Haliti ofron një lexim alternativ të imazhit duke theksuar kështu rolin që luan imazhi jo vetëm në veprën artistike, por edhe në kulturën – e formësuar nga civilizimi dhe e ikur prej gjendjes natyre  - por edhe politikën. Në veprën e saj, punon mbi konstruksionin e identiteteve apo përkatësisë. Përmes shumësisë së mediumeve që përdor për t’u shprehur artistikisht, nga vizatimi te skulptura dhe instalacioni dhe mesazhit që kufijtë nuk janë aq të ngurtë sa duken, ekspozita e Flaka Halitit e lë publikun në mëdyshje, duke mos preferuar të përkufizojë vendndodhjen. Këtu? Atje? Apo më përtej...? Është një sallë ekspozitash, kufij territorialë apo imagjinarë?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë