Interviste

Eksperti Preçi: Duhen politika nxitëse për arsimin si parakusht për rritjen e produktivitetit të punës

Zgjedhjet nuk do të ndikojnë negativisht në turizëm

Nga Gazeta 'Si' - Në një intervistë për Gazetasi.al eksperti i ekonomisë Zef Preçi i bën një skaner ekonomisë shqiptare dhe rendit se ku duhet të fokusohet qeveria për përmirësimin e modelit aktual ekonomik duke nxitur dhe favorizuar prodhimin vendas. Sipas tij, një fokus i veçantë i duhet dhënë arsimit si parakusht për nxitjen e produktivitetit të punës.

Bota sipas tij është në një situatë të vështirë ekonomike, situatë e cila padyshim ndikon edhe në tregun vendas, por që qeveria shqiptare duhet të marrë masa.

Në intervistë eksperti Preçi flet edhe për largimin në masë të shqiptarëve, fenomen që e shpjegon me keqqeverisjen.

Pandemia dhe lufta “Rusi-Ukrainë” ka tronditur ekonominë botërore, rrjedhimisht edhe atë shqiptare. Jemi në një situatë rritje çmimesh pothuajse çdo ditë. Çfarë vendimesh duhet të marrë qeveria dhe Banka Qendrore? A ka ardhur momenti për ndryshim të modelit ekonomik? Si?

Qysh gjatë krizës së ekonomisë greke më shumë se një dekadë më parë ka qenë shtruar problemi i modelit ekonomik të vendeve të rajonit tonë dhe në përgjithësi të ish-lindjes komuniste duke evidencuar nevojë për një model të ri të rritjes ekonomike. Kjo ide mbështetej në faktin se rritja ekonomike sidomos mbas vitit 2000 ka qenë mbi mesataren e vendeve të BE-së, se papunësia ka qenë e ulët, dhe se borxhi publik gjithashtu ka qenë i ulët. Po kështu theksi vihej edhe në faktin se njohuritë teknologjike dhe industriale ishin përmirësuar vazhdimisht dhe se fuqia blerëse e disa prej vendeve të këtij rajoni ishte e përmirësuar dhe kjo fuqi blerëse ishte e krahasueshme me të ardhurat për frymë të vendeve të tilla si: Spanja, Portugalia, Italia, Greqia, etj.

Sipas Preçit një fokus i veçantë i duhet dhënë arsimit si parakusht për nxitjen e produktivitetit të punës.

Cili është pozicioni i vendit tonë në këtë panoramë?

Është vështirë të thuhet se këto prirje të një dekade më parë të kenë fituar qëndrueshmëri dhe se vendi ynë është gati për një hop cilësor sa u takon burimeve të rritjes ekonomike.

Pavarësisht kësaj, duhet thënë se ekonomia e Shqipërisë në përgjithësi i ka konsumuar burimet e saj të rritjes ekonomike ekstensive apo “tradicionale” siç mund të thuhet, pa siguruar përfitimet e pritshme në rinovimin teknologjik dhe modernizimin e industrive të përshtatura me ekonominë e hapur, pa rritur dukshëm të hyrat buxhetore të parashikuara që mund të ndikonin në përmirësimin e infrastrukturës fizike dhe sociale publike dhe rritjen e nivelit të jetesës  së qytetareve, etj. Ndërkaq problemet e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimet demografike kanë marrë një rëndësi të veçantë aq sa mund të thuhet se kushtëzojnë dukshëm çfarëdo modifikimi të mundshëm në modelin e rritjes së ekonomisë sonë kombëtare.

Nëse do të flasim për një model të ri apo më saktë për modifikim të atij ekzistues, çështjet primare duket se janë ato që lidhen me rritjen e produktivitetit të punës, dmth të kompetencës teknologjike të të punësuarve në tërësi, por edhe me çështje të tjera të lidhura me to, të tilla janë:

  • Politika makro-ekonomike që në ndryshim nga ato të sotmet të mbështetura kryesisht në rritjen e borxhit, mendoj se duhet të jenë proaktive për të nxitur rritjen e prodhimit vendas, rritjen e shkallës së përpunimit në vend të atyre burimeve që ende disponon kjo ekonomi,
  • Studimi i kujdesshëm i “zinxhirit të vlerës” për ato produkte që vlerësohen se mund të jenë konkurruese në tregun rajonal dhe në vendet e BE-së dhe përgatitja e kushteve të nevojshme për një  specializim të ekonomisë sonë në pjesët më fitimprurëse të këtij zinxhiri,
  • Shfrytëzimi i investimeve jo të vogla të derisotme në sektorin dixhital me synim jo vetëm përgatitjen e  të rinjve për tregun e huaj, por edhe nxitjen e përditësimit të këtyre investimeve në tregun vendas,
  • Shfrytezimi plotësisht i fondeve të tranzicionit të gjelbër
  • Intensifikimi hap mbas hapi i automatizimit në të gjithë sektorët e ekonomisë ku është i mundur dhe krijimi i kushteve për robotizimin në dekadën e ardhshme për të zbutur sadopak ndikimet negative të emigracionit në strukturën demografike të vendit,
  • Ndërmarrja e politikave nxitëse për përmirësimin e arsimimit si parakusht thelbësor për rritjen e produktivitetit të punës, që nga ana e tij mbetet  si rruga e vetme e sigurtë që për shtimin e burimeve financiare në dispozicion të shtetit për të ndërmarrë politika sociale në favor të grupeve të veçanta shoqërore në nevojë.

Ndërkaq zhvillimet e viteve të fundit në lidhje me hapjen e ekonomisë dhe ndikimin e globalizmit meritojnë të analizohen me kujdes mbasi situata mund të pershkallëzohet në drejtim negativ. Më konkretisht, ndërsa hapja e ekonomisë sonë ndaj rajonit dhe botës në tërësi ka ndikuar pozitivisht në nxitjen e përmirësimit të konkurrueshmërisë së firmave vendase dhe në ndërmarrjen e politikave qeveritare që e mbështesin këtë proces hapjeje, duket se vendi ynë është dukshëm i ekspozuar ndaj  globalizimit, dhe për rrjedhojë edhe i rrezikuar nga paqëndrueshmëria e ekonomisë botërore të ditëve të sotme. Për rrjedhojë kemi të bëjmë me një rritje të rolit të shtetit në jetën ekonomike dhe nëse flitet për modifikim të modelit të rritjes ekonomike, mendoj se nuk duhet harruar edhe rëndësia dhe roli i “ekonomisë së shkallës”, si një ndër mjetet që amortizon goditjet e jashtme në ekonominë kombëtare dhe jep mundësi për përshtatje të saj në rrethana krize.

Në një terren më konkret, modifikimi i modelit ekonomik në vendin tonë mund  të kishte kuptim nëse  politikat publike do të fokusoheshin në investimet dhe eksportet në funksion të rritjes ekonomike, rritjes së produktivitetit dhe përfshirjen në tregun e punës vendas sidomos të fuqisë së re puntore, në nxitjen drejt industrive përpunuese dhe agro-përpunimit te flukset e investimeve të huaja direkte, dmth drejt një rritjeje ekonomike të udhëhequr nga investimet. Kjo do të kërkonte detyrimisht zgjerimin e eksporteve shqiptare dhe përmirësimin e vlerës së shtuar të tyre, rritje e produktivitetit të punës dhe të investimeve në sektorët e prapambetur, etj. Po kështu,  një model i modifikuar i rritjes në ekonominë tonë kërkon edhe reformimin e institucioneve shtetërore për të përmirësuar mbrojtjen ligjore të bizneseve dhe tërheqjen e investimeve të huaja; shtimin e investimeve publike në arsim dhe trajnim dhe reformimin e sistemit arsimor në përgjithësi, duke i dhënë edhe një mbështetje më të madhe kërkim-zhvillimit, pa të cilat nuk mund të flasim për rritje të zinxhirit të vlerës...

Pas efektit që po krijojnë çmimet e larta në vlerën e eksporteve shqiptare sasia e tyre po vjen në rënie. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se në dy muajt e parë të vitit janar-shkurt 2023 eksportet në vlerë u rritën me 11.3% por në sasi ato pësuan rënie me 2.4%. Ka diçka që duhet të bëjë biznesi dhe nuk po e bën? Pse? A duhet ndërhyrja e qeverisë?

Mendoj se shkaqet e kësaj situate janë komplekse: të firmës/firmave, të ekonomisë sonë në tërësi e të politikave qeveritare kryesisht atyre fiskale, si dhe të konjukturës në tregjet e huaja gjithashtu. Për firmat prodhuese/eksportuese, këshilla e vetme, sipas mendimit tim, është që të përshtaten me situatën duke rivlerësuar rolin e fuqisë puntore si një komponent i rëndësishëm dhe përcaktues në suksesin e tyre.

Qeveria mendoj se përveç kushteve të përgjithshme si rendi, siguria, infrastruktura, etj., duhet të heqë dorë nga presioni fiskal, nga ndërhyrjet në jetën e kompanive (siç ishte edhe rritje e pagës minimale), por edhe duhet të zgjerojë dialogun me komunitetin e biznesit, si dhe të garantojë qëndrueshmëri më të madhe të politikave fiskale që ndjek. Edhe teorikisht, për shkak të efektit të saj gjenerues të inflacionit, rritja e pagave që tejkalon rritjen e produktivitetit është një faktor i konsiderueshëm risku për stabilitetin makro-ekonomik të vendit.

Ndërsa për zhvillimet në tregjet botërore, mendoj se nevojitet më shumë debat publik sidomos në rrethet profesionale, sidomos sa u takon efekteve në ekonominë tonë, që jo gjithmonë janë negative apo duhen parë si të tilla.

Pavarësisht akuzave britanike ndaj shqiptarëve, sharjeve, epiteteve, shqiptarët vijojnë të rezultojnë me rekord aplikimesh për azil në Britaninë e Madhe edhe për 2022, niveli më i lartë në tre vitet e fundit në BE. Kjo tregon një lëvizshmëri normale siç thotë kryeministri Edi Rama, apo ju keni një tjetër shpjegim?

Sipas mendimit tim, emigracioni i pandalshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të BE-së është pasqyra më e qartë e keq-qeverisjes së Shqipërisë, abuzimit me pushtetin të pushtetmbajtësve aktualë, modeleve sociale vanitoze dhe pasurimit të shpejtë që i serviren rinisë, propagandës trushplarëse 24/24 të qeverisë dhe bashkisë, mungesës së vizionit dhe falimentit të pashpallur të modelit fasadist të qeverisjes shqiptare...

Është koha që pushtetarët të kuptojnë se qytetarët nuk janë dele, siç edhe përcillet rëndom ky fenomen i dhimbshëm në bisedat e përditshme, se braktisja e vendit duhet konsideruar si forma më e lartë e reagimit social në një vend ku protesat e dhunshme janë të përjashtuara qysh nga ndryshimet sistemike të vitit 1991, dhe të pranohet se ndikimet e oligarkisë dhe të segmenteve të krimit të organizuar janë shtrirë edhe në kontrollin e jetës institucionale dhe mbi elitën politike të vendit. Si rezultat, në Shqipëri mungon liria ekonomike dhe konkurrenca për çështjet themelore të qeverisjes, biznesit dhe të jetës së qytetarëve.

Kështu ndodh në sistemin e prokurimeve, në formimin e administratës publike dhe të shërbimeve që kjo administratë duhet t’ju ofrojë qytetarëve dhe biznesve, në arsim, në shëndetësi, etj. Çështjet e pazgjidhura të pronës janë përkeqësuar dukshëm sidomos gjatë dekadës së fundit duke krijuar një situatë që pengon invrestimet e huaja, ushqen korrupsionin qeveritar, deformon rolin e agjencive pulbike në administrimin e tyre, nxit veprimtarinë e krimit të organizuar, vetëgjygjësinë, etj. Si rezulat, puna dhe prona janë ende shumë larg së qeni kapitaliste - pra që secili t’ju gëzohet fruteve të mundit dhe djersës së vet - kështuqë shumë qytetarë kanë humbur shpresat dhe përherë e më shumë përpiqen të shfrytëzojnë lirinë e lëvizjes, rrjetet informale dhe kriminale, çdo mjet për t’u larguar nga vendi...

A priten të ndikojnë zgjedhjet lokale në ekonominë e vendit dhe në turizëm këtë vit? Si?

Koha kur do të mbahen zgjedhjet administrative (lokale) mund të ndikojë në një pjesmarrje më të ulët të bashkë-atdhetarëve tanë që punojnë dhe jetojnë në vendet perëndimore, por nuk besoj se do të sjellë ndonjë pasojë negative në sektorin e turizmit, nga i cili shpresojmë më shumë të ardhura buxhetore, punësim dhe impakt pozitiv në jetën ekonomike të vendit gjatë vitit 2023 e në vijim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë