Politike

Eksperti i Rulit dhe Bodes në krye të fushatës së PD. A do jetë ministri i ardhshëm i Financave?

Ka qenë zv-ministër në kohën e qeverisë “Berisha”. Prej katër vitesh në krah të Ridvan Bodes në drejtimin e financave, por në krye të fushatës së PD-së, Rushaj vjen si propozim i Genc Rulit.

Alfred Rushajt i është besuar drejtimi i fushatës së Partisë Demokratike. Që sa duket nuk do të jetë vetëm në kuadrin e organizimit sepse Alfred Rushaj (ndryshe nga vite me parë) nuk do të jetë aq diskret edhe në raport me angazhimin publik.

Në një postim në Twitter, Rushaj vjen me një raport shifrash, për të shpjeguar se Shqipëria po thyen rekord në rajon për numrin e azilkërkuesve në BE.   

“Vetëm në vitin 2019 azilkërkuesit shqiptarë kanë qenë 20.500, një shifër dy herë me e lartë se shuma e azilkërkuesve nga të gjitha vendet e tjera të Rajonit! Asnjë formë propagande nuk e fsheh dot më dështimin fatal të Edi Ramës dhe qeverisjes së tij”, shkruan Rushaj në Twitter.

Ai ka shërbyer si Zëvendës Ministër i Financave nga viti 2009 deri në vitin 2013 (me Boden ministër) dhe si këshilltar juridik i Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë nga viti 2005 deri në vitin 2009 (kur Ruli ishte ministër).

Nisur nga eksperienca e tij dhe mënyra se si po kooptohet sërish në PD, Rushaj po shihet si një ndër kandidaturat favorite për drejtimin e financave nëse PD fiton zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Nga 1997 deri 2005 ai ka mbajtur disa pozicione menaxheriale dhe ekzekutive në KESH.

Rushaj ka qenë Kryetari i Bordit Mbikëqyrës të OSSH sh.a, Kryetari i Bordit Mbikëqyrës të INSIG sh.a.  dhe Anëtar i Bordit të Drejtues për Agjencinë e Burimeve Natyrore.

Ai gjithashtu ka dhënë mësim në lëndën e së Drejtës Publike në Fakultetin e Drejtësisë Universiteti i Tiranës nga viti 1999 deri në vitin 2004.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë