Kosova

Ekspertët: Nuk ka marrëveshje të shpejtë Vuçiç-Kurti

Kosova dhe Serbia rinisën të martën pas më shumë se një viti dialogun dypalësh për arritjen e marrëveshjes së paqes, por takimi i parë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç nuk shkoi sipas pritshmërive.
Dy liderët u përplasën ashpër në lidhje me pavarësinë, me presidentin serb që deklaroi qartazi se nuk do ta njihte kurrë Kosovën si shtet të pavarur. Ata u pajtuan vetëm për një pikë: vazhdimin e bisedimeve nga fundi i muajit të ardhshëm.

Profesori i Universitetit “Johns Hopkins”, Daniel Serwer, është i bindur se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë do të mund të arrihet, por jo në muajt e ardhshëm.

Në një intervistë për mediat amerikane, eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit është shprehur se takimi mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, është sinjal pozitiv, por ka shtuar se dy liderët duhet të shmangnin sulmet ndaj njëri-tjetrit”.

Ai ka theksuar se Vuçiçi e ka bërë të qartë se nuk është i gatshëm të ndërmarrë hapa si njohja e Kosovës, të paktën para zgjedhjeve presidenciale në Serbi.

Kur bëhet fjalë për Kurtin, Serwer ka thënë se kryeministri duhet t’i bëjë vetes disa pyetje. “Çfarë pret ai nga dialogu? Ai do të kërkojë dhe do të pyesë për përgjigje adekuate”, ka thënë Serwer.

=

Edhe pse ka shprehur bindjen se një marrëveshje përfundimtare mund të arrihet, Serëeri beson se shumë gjëra duhet të ndodhin paraprakisht, përfshirë edhe faktin se “Beogradi duhet ta pranojë se ka humbur sovranitetin mbi Kosovën”.

“Nuk pres që Beogradi do të pranojë me vullnet të lirë ndonjëherë Kosovën. Nuk ka bisedime për këtë, por mendoj se ato mund të jenë shtete mike dhe shpresoj. Të mos ketë konflikte diplomatike apo ushtarake”, ka shtuar ai.

Të martën, në Bruksel, Kosova paraqiti katër propozime, por palët nuk arritën pajtim për asnjë çështje.

Kryeministri Kurti tha se hodhi në tryezën e bisedimeve katër propozime, përfshirë atë që, “Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty”.
Më tej ai tha që pas njohjes së ndërsjellë, të dyja vendet të zbatojnë reciprocitet dypalësh, duke krijuar për serbët në Kosovë këshillin e tyre kombëtar siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.

Pala serbe nuk i ka pranuar propozimet e kryeministrit Kurti dhe presidenti serb Vuçiç tha se zoti Kurti “erdhi duke mos u pajtuar për asgjë”.

“Delegacioni shqiptar nuk dëshiron të përmbushë marrëveshjet që i kanë nënshkruar shqiptarët, pra nuk duan fare të bisedojnë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.

“Asociacioni nuk është për serbët por kundër Kosovës ashtu siç është dizajnuar, pra ne dëshirojmë që qytetarët e Republikës së Kosovës që janë të përkatësisë kombëtare serbe t’i kenë të gjitha të drejtat sikur të gjithë të tjerët, pra ne nuk duam që shumica të jetë e privilegjuar karshi pakicës, por në të njëjtën kohë nuk mund të lejojmë përsëritjen e skenarit të Bosnje dhe Hercegovinës”, tha ndërkaq kryeministri Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë