Kosova

Ekspertët: Armët e konfiskuara në veri mund të përdoren nga organet e rendit. S’ka nevojë të pritet procesi gjyqësor

Armët dhe mjetet e tjera të konfiskuara në Banjskë të Zveçanit, pas agresionit serb ku mbeti i vdekur rreshteri Afrim Bunjaku, mund të përdorrn për nevoja të organeve të rendit, vlerësojnë ekspertë të sigurisë. Për t’u përdorur këto armë, nuk është i nevojshëm përfundimi i epilogut gjyqësor, ndërsa për automjetet dhe blindat, kërkohet përfundimi i procesit.

Duke folur për sulmin terrorist të ndodhur të dielën e kaluar në veri të vendit, ish-koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Afrim Veseli, thotë se diçka e tillë mund të përsëritet sërish. Kjo sipas tij do të bëhet deri në përfundim të dialogut me Serbinë. Ai shprehet se tendenca e Serbisë është shkëputja e veriut nga Kosova por kjo sipas tij, nuk do të lejohet nga organet e rendit dhe faktori ndërkombëtar.

“Mendoj se edhe në të ardhmen e afërme për sa kohë nuk përfundon marrëveshja me Serbinë, organet e sigurisë së Serbisë, do të përpiqen që të krijojnë situata të tilla krize në veri të vendit. Ata me çdo kusht do të tentojnë që të mos ketë marrëveshje dhe që pjesa veriore e vendit të shkëputet, por ky plan i hershëm i tyre nuk do të realizohet, falë organeve tona të rendit dhe mbështetjes të fuqishme që kemi nga bashkësia ndërkombëtare; pra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja”, thotë Veseli. Duke folur për armatimin e konfiskuar në veri, Veseli e sheh të domosdoshëm përdorimin e tyre. Ai këtë e sheh si “dhuratë” nga shteti serb. Këto mjete sipas tij vijnë nga Rashka.

“Kodi i Procedurës Penale i konsideron si prova materiale të këtij grupi terrorist, mirëpo unë shpresoj që gjykata jonë ta kalojë ato shumë shpejt në shfrytëzim të organeve të sigurisë. Do të dëshiroja shumë që ato automjete t’u jepen policisë sonë, përkatësisht Njësisë Speciale, ndërsa municioni dhe pajisjet e tjera ushtarake t’i jepen FSK-së. Uniformat që i gjetën t’ua japim djemve të Njësisë Speciale si dhuratë nga shteti serb dhe nëse kanë edhe të tjera le t’i sjellin, ne i pranojmë të gjitha. I tërë armatimi është i ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe dhe burimin e ka nga Rashka”, shprehet Veseli.

Ndërsa avokati i njohur, Ardian Bajraktari, thotë se për përdorimin e mjete luftarake, nuk është i nevojshëm përfundimi i procesit gjyqësor. Ai shprehet se këtë ia lejon Kodi i Procedurës Penale. “Në bazë të asaj që kemi parë në vendin e ngjarjes, janë gjendur dy kategori të mjeteve, të cilat janë përdorur qoftë për kryerjen e veprave penale apo të ngjashme dhe në këtë drejtim janë kategoria e parë, mjete luftarake armë dhe pajisje tjera e të cilat mund të shfrytëzohen nga ana e institucioneve. Këtë e përcakton dispozita respektive e Kodit të Procedurës Penale. Madje këto armë mund të konfiskohen edhe pa pasur nevojë të pritet epilogu i procesit gjyqësor, përkatësisht fajësia apo pafajësia e të pandehurve”, thotë Bajraktari. Ndërsa për veturat dhe autoblindat, kërkohet përfundimi i procesit. /EO


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë