Politike

Ekskluzive/ KE i përgjigjet Ramës: Po bisedojmë me vendet anëtare për vaksinën, por s’kemi afat

Bashkimi Europian i është përgjigjur të martën deklaratave të kryeministrit Edi Rama se unioni e ka braktisur Ballkanin Përëndimor duke i mbajtur stok vaksinat dhe duke mos ia shpërndarë vendeve të rajonit.

Kryeministri shqiptar ka kritikuar vazhdimisht qasjen e Bashkimit Europian për vaksinat, duke e konsideruar qëndrimin e disa vendeve anëtare egoist dhe të turpshëm.

Në një pëgjigje me shkrim për Gazetën Si, zëdhënësia e Komisionit Europian, Ana Pisonero, tha se Brukseli është në bisedime me vendet anëtare për dhurimin e vaksinave për vendet e Ballkanit, por shtoi se nuk mund të zbulojë detaje se kur mund të mbërrijnë vaksinat e para në rajon.

Komisioni Europian i tha Gazetës Si se është i vetëdijshëm për nevojat urgjente për vaksinën në Ballkanin Perëndimor. “Marrëveshja e lidhur nga Komisioni në emër të 27 Shteteve Anëtare ofron mundësinë për të ndarë një pjesë të vaksinave të blera nga BE në vendet e tjera".

“Diskutimet janë duke vazhduar me Shtetet Anëtare dhe ne nuk jemi në gjendje të specifikojmë dozat, vendet përfituese ose afatet kohore në këtë moment kohor. Ne po lehtësojmë këto bisedime dhe jemi të gatshëm për të koordinuar procesin”, deklaroi zëdhënësja e KE-së në përgjigjen për gazetën.

KE thekson se kur bëhet fjalë për vaksinat, BE ka mbështetur që në fillim një qasje shumëpalëshe për të siguruar vaksinat për rajonin.

“Kjo është arsyeja pse ne po mbështesim COVAX, e cila po udhëheq përpjekjet për t'i bërë vaksinat COVID-19 një e mirë publike globale”, shprehen zyrtarët e KE. “Të gjitha ekonomitë pjesëmarrëse në COVAX po presin të kenë qasje në doza në gjysmën e parë të vitit 2021, por gjithcka varet nga miratimet rregullatore dhe gatishmëria e vendeve që janë pjesë e kësaj nisme për shpërndarjen, një faktor i rëndësishëm për shpërndarjen e vaksinave, sipas planeve të COVAX. “

Komisioni thotë BE-ja veproi shumë shpejt në mbështetje të Ballkanit Perëndimor, duke i kujtuar Shqipërisë fondin e ndarë për rimëkëmbjen nga pandemia. KE kujton ka miratuar në fund të dhjetorit një paketë prej 70 milion eurosh për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor të mbulojë kostot e blerjes së vaksinave.

“Ato do të përdoren për të siguruar grante për Ballkanin Perëndimor. Ato do të përdoren për vaksinimin e grupeve prioritare, që është kryesisht personeli mjekësor dhe grupet e moshuara, dhe grupe të tjera me rrezik të lartë dhe të prekshëm”, tha Pisonero.

“Ne kemi mobilizuar një paketë shumë të konsiderueshme prej 3.3 miliardë për të mbështetur partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor për të adresuar urgjencën e menjëhershme shëndetësore dhe për të zbutur ndikimin socialo-ekonomik të pandemisë dhe ne kemi miratuar një plan ekonomik dhe investimesh për Ballkanin Perëndimor deri në 9 miliardë euro që do të ndihmojnë në nxitjen e rimëkëmbjes afatgjatë të rajonit, me investime në sektorë kryesorë si transporti dhe energjia e qëndrueshme.”


Copyright © Gazeta “Si”



Lajme të lidhura


Më Shumë