Lista zyrtare nuk është publikuar ende, por lojtari i talentuar i Anderlehtit, Kristal Abazaj, nuk do të jetë pjesë e Kombëtares për dy ndeshjet e radhës me Izraelin dhe Skocinë, të vlefshme për Ligën e Kombeve. Lajmin e ka konfirmuar për Gazeta Si vetë futbollisti, i cili është shprehur se në klubin e tij nuk ka shkuar ftesë nga Kombëtarja e Shqipërisë. “Jo, nuk kam marrë ftesë nga Kombëtarja”, - ka thënë fillimisht Abazaj, duke e shprehur qartë habinë për vendimin e trajnerit Kristian Panuçi.
Ish-lojtari i Luftëtarit kaloi te skuadra e madhe belge në verë, por një dëmtim ka ndikuar që ai të mos luajë në ndeshjet e para të kampionatit. Ndoshta kjo është arsyeja që trajneri italian ka vendosur të mos e grumbullojë Abazajn për dy ndeshjet e shtatorit. “Minutat nuk janë justifikim. E vetmja gjë që mund të them në këtë moment është se dua t’i uroj suksese Kombëtares në dy ndeshjet e radhës me Izraelin dhe Skocinë”, - ka shtuar më tej për Gazeta Si sulmuesi i krahut të djathtë, duke mos dashur të polemizojë.
22-vjeçari mendohej se do të ishte pjesë e listës së Panuçit, edhe pse nuk ka luajtur në këtë fillim të sezonit. Thjesht fakti që ai është pjesë e një klubi si Anderlehti dhe që stërvitet me të, të bën të mendosh se duhej të ishte pjesë e Kombëtares. Abazaj u shit në Belgjikë për rreth 750 mijë euro nga Skënderbeu, që e bleu në janar nga Luftëtari, por e lejoi të aktivizohej me këtë ekip deri në fund të sezonit që shkoi. Pas aktivizimit me Kombëtaren U-21, ai u grumbullua edhe me Kombëtaren e madhe disa muaj më parë.
Vetë lojtari nuk ka dashur të bëjë polemika për ftesën e munguar nga Kombëtarja, por Abazaj mund të jetë shumë shpejt një çështje e re te kuqezinjtë. Trajneri Kristian Panuçi pritet të shpallë së shpejti listën zyrtare për dy ndeshjet me Izraelin de Skocinë, ndërsa në konferencën e shtypit ai do të japë shpjegime edhe për mungesën e Abazajt. Për ndeshjet e radhës mungon Odise Roshi i dëmtuar dhe Abazaj mund të ishte zëvendësuesi i tij, pasi ka të njëjtin rol, por ky i fundit nuk ka marrë ftesë dhe kjo do të thotë se shtohen shanset e rikthimit të Jahmir Hykës në Kombëtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.